Në Tiranë është arritur marrëveshje mes operatorëve të trafikut urban, pasi ata pranuan një paketë të propozuar nga Bashkia e Tiranës për kalimin e situatës së krijuar.
Prej një jave, në rrugët e Tiranës numri i autobusëve ishte i përgjysmuar ndërsa qytetarët prisnin nëpër stacione.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj takoi sot përfaqësuesit e operatorëve të transportit urban, me të cilët ra dakord për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Operatorët pranuan kërkesat e Bashkisë për rritjen e standardit të shërbimit, vendosjen e GPS dhe formalizimin e shitjes së aboneve, ndërkaq, për herë të parë Bashkia e Tiranës do të ofrojë 1 milion euro subvencion.
“Bashkia e Tiranës do të ofrojë për herë të parë një subvencion prej 1 milion eurosh. Cilësinë e rrit vetëm transparenca, përdorimi i GPS, aboneja e formalizuar, dhe jo subvencioni. Por, duke qenë se jemi në kushte të jashtëzakonshme kam marrë një vendim të jashtëzakonshëm. Si fillim, angazhohemi edhe për subvencionin e TVSH-së dhe akcizës, që do e japë bashkia e Tiranës cash për operatorët, por sigurisht që do monitorohet me transparencë, me GPS dhe me mënyrën e formalizimit të shitjes së aboneve, në të kundërt në nuk kemi bërë asgjë”, tha Veliaj
Kryebashkiaku u shpreh se do të vijojë mbështetja për kategorinë e studentëve dhe të kategorive të tjera sociale. Kreu i Bashkisë paralajmëroi operatorët se nëse nuk do të rrisin cilësinë e transportit, do t’iu hiqet liçenca.
Operatorët pranuan paketën e ofruar nga Bashkia e Tiranës që synon të ofrojë një shërbim më të mirë të transportit publik urban në kryeqytet.