Ministrja e Punës dhe Shëndetësisë në Francë ka bërë të ditur se qeveria është e vendosur të zgjerojë listën e hapësirave publike ku pirja e duhanit do të jetë e ndaluar. Masat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 korrik, dhe kanë për qëllim të mbrojnë shëndetin publik, sidomos fëmijët dhe grupet më të ndjeshme.
Në deklaratat për gazetën rajonale Ouest-France, Catherine Vautran theksoi se “atje ku ka fëmijë, pirja e duhanit duhet të zhduket”. Ministrja fillimisht theksoi se pirja e duhanit ka një kosto të madhe për shëndetin publik.
“Çdo vit, një në dhjetë vdekje lidhet me pirjen e duhanit. Pirja e duhanit vret 75,000 njerëz në Francë. Kjo do të thotë më shumë se 200 vdekje në ditë. Është shkaku kryesor i vdekjes së parandalueshme”, shpjegoi ajo.
Më tej shtoi se qeveria dëshiron të mbrojë francezët nga rreziku, duke filluar me më të prekshmit, përkatësisht fëmijët.
“Nga 1 korriku, plazhet, parqet dhe kopshtet publike, mjediset shkollore, stacionet e autobusëve dhe objektet sportive në të gjithë Francën do të jenë zona të ndaluara për duhan. Pirja e duhanit do të ndalohet për të mbrojtur fëmijët tanë”, tha ajo.
BFMTV raporton se detajet e sakta të dekretit po përpunohen nga Këshilli i Shtetit, në veçanti zona e përjashtimit përreth shkollave. Qëllimi i Autoriteteve është që prindërit të mos pinë duhan pranë shkollës ndërsa presin fëmijët e tyre, por edhe që nxënësit të mos pinë duhan pranë shkollave. Cigaret elektronike janë të përjashtuara nga masat e reja, megjithëse qeveria franceze po punon për masa specifike për to.