Lideri i opozitës, Lulzim Basha, ka folur në lidhje me vizitën e tij zyrtare në Gjermani, ku ka marrë pjesë edhe në Kongresin e CDU në Lajpcig.
Në një lidhje live nga ky Kongres, Basha ka thënë se po vijon takimet me zyrtarët e lartë të CDU, me të cilët po diskuton për integrimin e vendit në BE dhe çeljen e negociatave.
“Dje kam pasur rastin të bisedoj nga afër me zyrtarë të CDU-së. Sot pres të takohem me ministren e Mbrojtjes, ku në fokus të bisedave ka qenë çështja e integrimit të Shqipërisë dhe hapja e negociatave. Plani me 9 pika dhe udhërrëfyes për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza”, tha kreu i PD-së.
Basha tha më tej se do të kthehet nga Lajpcigu me zemrën dhe duart plotë, sa i takon nxjerrjes së vendit nga kriza, ndërsa ndau edhe një lajm të mirë për planin ekonomik të PD-së.
“Jam shumë optimist dhe nga Lajpcigu do të kthehemi me zemrën dhe duart plot sa i takon planit për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe për ta futur Shqipërinë në rrugën e zhvillimit. Dua të ndaj me ju një lajm të mirë që dje dhe sot ka qenë në fokus plani ekonomik i PD. Është hartuar me ndihmën e ekspertëve të kristiano-demokratëve gjermane. Ne vazhdojmë bashkëpunimin me ta, sa i takon dhe investimeve gjermane në vendin tonë”, pohoi Basha./Gazeta Liberale