Sport

Barcelona rrezikon përjashtimin nga La Liga, pas skandalit me nënkryetarin e Komitetit për Gjyqtarët

Shkruar nga Liberale
Barcelona rrezikon përjashtimin nga La Liga, pas skandalit me

Klubi i Barcelonës është akuzuar se i ka paguar 1.4 milionë euro një kompanie në pronësi të Jose Maria Enriquez Negreira, i cili ishte nënkryetar i Komitetit Teknik për Gjyqtarët nga viti 1994 deri në vitin 2018. Nga viti 2016 deri në vitin 2018, Barcelona i ka paguar shumën 1 milion e 685 mijë e 142 euro një kompanie që ai zotëronte me emrin DASNIL 95, pretendon Prokuroria e Barcelonës.

Ata pretendojnë se paratë janë paguar për shkak të punës këshilluese që ka kryer Negreira për mënyrën se si lojtarët duhet të sillen ndaj gjyqtarëve, dhe ai gjithashtu ka dhënë këshilla se çfarë mund ose nuk mund të bëjnë, në varësi të faktit se cili ishte arbitri i një ndeshjeje të caktuar.

Nga ana tjetër, presidenti aktual i Barcelonës, Joan Laporta, ka pohuar se lajmi i dalë tani nuk është rastësi dhe ka bërë të ditur se do të ndërmarrin veprime ligjore për të mbrojtur të drejtat e klubit nëse është e nevojshme.

Gjiganti katalanas mund të përballet me një dënim të rëndë nëse akuzat e ngritura ndaj tyre vërtetohen. Ata mund të përballen me një rënie të mundshme nga La Liga, ose edhe përjashtim për 5 vite.

Kush është Jose Maria Enriquez Negreira?

Jose Maria Enriquez Negreira lindi më 6 shtator 1945 në Barcelonë. Ai ishte një nga fytyrat e njohura në futbollin spanjoll në vitet 1980, pasi ishte arbitër në Kategorinë e Parë midis viteve 1975 dhe sezonit 1991-92.

Negreira e mbylli arbitrimin në moshën 46-vjeçare. Sipas statistikave, në 132 ndeshjet që ka drejtuar ka përjashtuar 50 lojtarë dhe ka dhënë 433 kartonë të verdhë.

Në vitin 1994, Negreira u bë nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve (CTA), post që e mbajti pa ndërprerje deri në fund të sezonit 2017-2018.

Më 2 gusht 1995, katalanasi themeloi kompaninë DASNIL 95 SL, dedikuar "tregtisë me shumicë të produkteve ushqimore", një qëllim i korporatës që ndryshoi në vitin 2000 duke i dhënë kompanisë një kthesë për t'iu përkushtuar "shërbimeve reklamuese për kompanitë, promovime, dhe artikuj dhuratash, printim tekstesh dhe realizim të videove sportive për marketing”.

Negreira emëroi djalin e tij Javier Enriquez Romero si administrator të vetëm të kompanisë në vitin 2004. Romero e mbajti këtë pozicion deri më 18 shkurt 2019. Ai ka studiuar Administrim dhe Menaxhim të kompanive të teknologjisë. Ai luajti në kategoritë e ulëta të Barçës dhe Espanyol për t'u regjistruar më vonë në Sabadell, Sant Andreu, Hospitalet dhe madje edhe në Valencia.

Në vitin 2016, familja Enriquez u përfshi në një skandal që preku ish-arbitrin dhe djalin e tij./Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH