
Raporti i politikës me moralin ka qenë problematik që prej kohëve që nuk mbahen mend. Mirëpo ngjarjet e fundit në politikën shqiptare e kanë ulur nivelin moral deri në neveri. Nga njëra anë kryeministri, këtij strategu të cilit drejtësia e re, megjithëse ende larg pritshmërive, po i merr ushtarë, oficerë e gjeneralë, vazhdon të vegjetojë në batakun e llumit të qeverisjes më të korruptuar të Europës, apo ndoshta të gjithë botës. E megjithatë ai përdor armën e fundit që njëh politika, pafytyrësinë. Fjalimi i fundit me sukseset e turizmit, i cili në shtetin e drejtuar prej tij, i ka të gjitha gjasat t’i bëjë shqiptarët të jetojnë po aq të lumtur dhe të pasur sa tajlandezët e haitianët, ose thënë ndryshe si shërbyes të keqpaguar në shtëpinë e tyre, pasi nga këto të ardhura të konsiderueshme nuk përfitojnë shqiptarët, të cilët në shumicë nuk paguajnë dot një javë pushime, por përfitojnë investitorët trategjikë të cilëve po iu shet Shqipërinë e që popullojnë deri dhe kabinetin e tij.
Përballë kësaj mazhorance, qëndrimin e së cilës ende në pushtet nuk e arsyeton dot asnjë logjikë, asnjë analizë, e asnjë manual politik, qëndron opozita shqiptare me në krye copat e ish partisë demokratike, si i vetmi shpjegim. Llumi i berishistëve sovranistë e anti spak-istë, të përzierë me lsi-stët specialistë e së fundmi edhe me gazbardhistë. Të mbështetur fuqishëm nga milionat e oligarkisë dhe nga hapësira mediatike e zhytur der inë grykë në interesat e pista që e lidhin me pushtetin e djeshëm e të sotëm. Që të jemi të qartë, po flasim për të njëjtën hapësirë mediatike, shumica e së cilës deri dje majmej me paratë e ‘’reklamave’’ të inceneratorëv, e që sot lan duart si Ponc Pilati, sepse aferës i ka plasur qelbi dhe nuk mund të mbrohet më. Është e njëjta hapësirë mediatike që bëri dy vjet propagandë ndaj Partisë Demokratike, që censuroi fushatën e saj më 14 maj, megjithëse ishte e detyruar me ligj t’i jepte hapësirë si forca e dytë politike në vend. Është e njëjta hapësirë mediatike, në të cilën politikani më prezent përgjatë fushatës rezultoi non gratta, gjoja armik i atyre që e kontrollojnë në shumicë, rilindjes dhe bashkisë së Tiranës.
Provat dhe faktet që ulërasin në heshtje, se ata janë bashkë, vjedhin bashkë dhe duan të ruajnë eskluzivitetin e vendimmarrjes bashkë, të bëjnë të mendosh se ky paska qenë populli më apatik i planetit. Por jo. Nuk duhet bërë ky gabim. Shqiptarët janë aq apatikë sa ishin gjermanët e viteve 30 dhe aq apatikë sa janë rusët sot. Të parët donin Hitlerin, të dytët duan Putinin. Por a kishin gjermanët dje dhe rusët sot akses në informacion të pavarur? Shumica e popullit shikon vetëm një emision lajmesh në ditë. Njerëzit duhen ndriçuar.
Deri dje nuk kishte alternativë. Partia Demokratike, e përzierë me berishizëm, ish komunistë dhe korrupsion të së shkuarës, nuk mund të ishte një alternativë e pranueshme për shqiptarin e papozicionuar në formacionet politike që qelbeshin era korrupsion. Sot që Partia Demokratike hyn në skenë e vetëpastruar në mënyrë të natyrshme, e pajisur me një kartë të fortë morale si e vetmja forcë e madhe politike e papërfshirë në korrupsionin 32 vjeçar, pas një procesi të gjatë e të vështirë në të cilin u nda me berishizmin dhe me të shkuarën e saj të kalbur; ajo po gjen përballë të bashkuara fort, forcat e errëta që kanë dominuar e vjedhur shqiptarët e që sot unifikojnë forcat si e vetmja shpresë për t’i shpëtuar projektit amerikan për një Shqipëri të çliruar nga korrupsioni.
E sikur të mos mjaftonte kjo, sot axhenda berishiste dhe rilidase gjen një aleat të çmuar, statutistët. Të përbërë në shumicë nga deputetë, të cilët fillimisht votuan për përjashtimin e non gratta-s dhe për një PD me vokacion euroatlantik dhe iu bashkuan këtij projekti parimor dhe idealist. Por mesa duket, në zgjedhjet e 14 majit nuk besuan se anija do ta përballonte stuhinë dhe nisën në kulisa të negocionin me atë që e shihnin si ngadhënjimtarin e së nesërmes, non gratta-n. Duke qenë të vetëdijshëm se duke komplotuar për të mos dalë me kandidatë më 14 maj dhe se me fushatën për kandidatët e foltores e kishin dëmtuar Partinë Demokratike, ata panë si oportunitet për të penguar atë projekt nga i cili ishin vetëpërjashtuar, klauzolat statutore dhe gjoja nevojën e demokratëve për bashkim.
Çdo fije kashte është e mirë për t’u kapur kur po mbytesh. Të vetëdijshëm se ishin në fund të karrierës së tyre politike, statutistët nxjerrin përfaqësuesit e tyre më të artikuluar nëpër studiot televizive. Këtu nis estrada. Dy prej tyre popullojnë studiot televizive, me argument kryesor nevojën e demokratëve për bashkim, që të jenë më të fortë përballë Ramës.
Të thuash se demokratët janë më të fortë ndaj Ramës kur janë të bashkuar, është njësoj si të thuash se nata është më e errët se dita, ose në verë është më ngrohtë se në dimër. E megjithatë studiot e pothuaj të gjitha televizioneve kishin të ftuar ‘’par excellence’’ dy përfaqësuesit më të elokuentë të këtij grupimi, Koreshin dhe Sulën.
Se mbi cilat baza do të bëhej ky bashkim, se si do të tejkalohej problem i non gratta-s, se cila do të ishte platforma e ideve që do të bashkonte demokratët, asnjë shpjegim, zero dhe as nuk iu bëhej si pyetje nga moderatorët profesionistë. Mjafton që kjo i shërbente propagandës së ditës në dëm të Partisë Demokratike.
Pas koreshizimit të hapësirës mediatike shqiptare, takimi i sotëm po gazbardhizon edhe Kuvendin e Shqipërisë. Që sot e tutje rilindja duhet të dridhet nga aleanca e gazrave të Lulit që kanë filluar të mbajnë erë të mirë, të akomoduar te prehri i babit të Zenit.
Partia Demokratike nuk humbet asgjë me shndërrimin e kuvendit në pazar të gjësë së gjallë. Ulja e Gazmend Bardhit në prehrin e ngrohtë të doktorit nuk ka asnjë vlerë politike. Kjo nuk e ndryshon realitetin e forcave në terren, por thjesht përçudnon përfaqësimin në kuvend. Dmth është një përpjekje për të ‘’legalizuar’’ non gratt-an dhe për t’u dhënë një të ardhme politike deputetëve të mbetur pa parti. Në fakt nuk do të ndodhë as njëra e as tjetra. Deputetët e mbetur pa parti nuk i sjellin asnjë vlerë të shtuar politike Sali Berishës. Nesër do t’i flakë si limona të shtrydhur.