Kryetari i Komisionit të Jashtëm Parlamentar kërkon më shumë nga qeveria
Godo: "Parlamenti të kontrollojë qeverinë"
"Majko duhet të vijë çdo javë në Parlament. Të zgjedhë një staf të aftë këshilltarësh, për të mos krijuar situata qesharake"
TIRANË - Parlamenti duhet të kontrollojë qeverinë. Republikani Godo, në krye të Komisionit të Jashtëm Parlamentar, tha dje për gazetën “KJ" se duhet të ketë një raportim më të shpeshtë të kryeministrit Pandeli Majko dhe ministrave të kabinetit të tij në Kuvendin Popullor. Godo mendon se kjo është praktika më e mirë që të mos lejohen politikanët të bëjnë "gafa" diplomatike apo edhe të tjera, dhe të marrin sipas tij një pozicion "tepër qesharak". Dhe gabimi më i fundit diplomatik, është fjala e kryeministrit Pandeli Majko në Bari, gjatë një vizite disa orëshe në Itali, kur vetë ai deklaroi se "Italia të na ndihmojë njëlloj si në kohën e Turqisë". Kjo frazë e Majkos, nuk ka shqetësuar vetëm diplomatët italianë, të cilët, gjëja e parë që kanë menduar është konflikti që ata kanë aktualisht me Turqinë. Por një frazë e tillë nuk është pritur mirë as nga politikanët në Shqipëri. "Ky është i ri,- thotë Sabri Godo duke iu refereruar Majkos. - Unë nuk e di se kush mund ta ketë këshilluar në një rast të tillë kryeministrin shqiptar, apo ta ketë thënë vetë një gjë të tillë, por një gjë duhet të jetë e qartë: që ai të ketë një staf të plotë dhe të aftë njerëzish që ta këshillojnë siç duhet". Staf, i cili tani për tani i mungon kryeministrit Pandeli Majko. "Ky deklarim i Majkos nuk shkon në një rast të tillë,- komenton Godo. - Sepse ne sot jemi të pushtuar nga vetvetja dhe jo nga turku. Kështu mendoj se fraza e tij nuk ka aktualitet brenda. Edhe ne e kemi ndihmuar Italinë, kur pasi është pushtuar Shqipëria nga Gjermania naziste, kemi mbajtur nëpër shtëpitë tona rreth 23 mijë italianë, të cilët kohë më parë na kishin pushtuar. Dhe kemi treguar se nuk janë trajtuar keq. Pra të dy palët kemi ndihmuar njëri-tjetrin". Dhe për të mos u ndeshur më me gafa të tilla, kryetari i Komisionit të jashtëm parlamentar, i sugjeron kryeministrit që të bëjë të mundur sa më shpejt krijimin e stafit të këshilltarëve. "Raportet e parlamentit me qeverinë,- tha ai, duhet të ndryshojnë. Sepse këtu është traditë që kryeministri të duket në Parlament vetëm për Vitin e Ri dhe është një eveniment po t'i shohësh aty ministrat. Në të vërtetë, unë pashë në Francë dhe Itali, se kryeministri zbriste edhe dy herë në javë në Parlament". Deri tani ai mendon se kryeministri ka qenë konsekuent për çështjen e Kosovës dhe kjo sipas tij është tepër e rëndësishme. Por ai kërkon që Majko të zgjerojë marrëdhëniet e tij me parlamentin. "Majko duhet të vijë çdo javë në Parlament dhe jo vetëm në Komisionin e Punëve të Jashtme, por edhe në çdo komision tjetër". Sipas tij, edhe Parlamenti duhet të zgjerojë punën e tij me diskutime të ndryshme dhe jo vetëm të kalojë ligje dhe projekt-ligje. "Unë kam ndërmend që të propozoj shumë shpejt një projekt-ligj për një strukturë më të mirë dhe lidhje më të qarta të Ministrisë së Jashtme dhe Trupit Diplomatik me komisionin. Sepse duhet të dalim nga kjo gjendje, ku ministrat thirren në parlament vetëm për ndonjë interpelancë të parapërgatitur dhe ku në fund fare marrin një falënderim për sqarimet dhe kërkojnë ndonjë gjë për zonën e tyre. Kjo nuk është puna e vërtetë e deputetëve. Parlamenti duhet të ndërmarrë më shumë iniciativa dhe qeveria e ka për detyrë që të përpiqet dhe të punojë si ekip për të përballuar situatat",- përfundon Godo. ANILA BASHA