Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, komentoi ditën e sotme problematikat që mund të hasen gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Teksa ishte i pranishëm në një tryezë të përbashkët me ekspertë ndërkombëtarë për çështjet zgjedhore, kreu i KQZ-së tha se nuk mund të vijohet sërish me reklama falas.
“Sot e dimë që media e shkruar e ka humbur atë rolin e vetë, rëndësinë e vetë, vazhdojnë mediat tradicionale, radio e tv të kenë rol të dorës së parë.
Por e dimë shumë mirë, që rrjetet sociale, mediet online kanë fituar teren në këtë fushë. Legjislacioni ynë nuk ka asnjë rregull që ti imponohet sjelljes së këtyre mediave. Ndaj shpresoj që në kuadër të reformës së re elektorale të gjej trajtesën e vetë edhe ky aspekt.
Edhe pse vetë në vetvete media online, rrjetet sociale, që janë një risi, nuk e kanë rregullimin që duhet të ketë, mendoj se kjo nuk i pengon partitë politike dhe Kuvendin e Shqipërisë të adresojë raportin mes partive politike, fushatave sociale dhe mediave sociale.
Lidhur me reklamat politike, eksperiencat e deritanishme kanë treguar se ka paqartësi në këtë mes. Kemi raste kur media të caktuara, justifikimin e tyre mbi një lloj ç'balancimi, në lidhje me reklamat politike, apo subjekteve elektorale, e kanë justifikuar, që ne kemi dhënë por i kemi dhënë falas, s’mund ta bëjnë këtë për partitë politike nuk lejohet nga ligji.”- tha Celibashi.