Aktualitet

Ylljet Aliçka në një dimension tjetër. Identiteti shqiptar dhe...

Shkruar nga Liberale
Ylljet Aliçka në një dimension tjetër. Identiteti shqiptar

Nga Aleksandër Dhima

E kam pritur me interes botimin e një përmbledhjeje të tillë, jo se nuk e dija që Ylljet Aliçka është një prej autorëve të shquar bashkëkohorë në lëminë e letrave shqipe, por se ai i përqaset me guxim edhe një dimensioni tjetër, po aq të rëndësishëm në jetën shoqërore, atij të vëzhguesit të imët të realiteteve kulturore, që janë pjesë e pandarë e tharmit etnik të popullit tonë.

Përmbledhja në fjalë, që i jepet sot publikut shqiptar, përfshin 31 studime, ese kritike, analiza psiko-analitike mbi natyrën njerëzore, intervista mbi dimensionin artistik/ vlerësim personal dhe të autorëve të tjerë si dhe opinione prognostike për qenësinë e identitetit shqiptar dhe të kuptuarit e vetvetes, të mbështetura fort në përvojën e tij të gjatë në ballafaqim me realitetin shqiptar dhe me të huajt.

Mbasi e lexova me kureshtje përmbajtjen e lëndës, nuk e pata të vështirë t’i ndaja ndihmesat e përfshira në këtë botim në disa grupe: shkrime për histori të jetuara; konvergjenca të shkrimtarit krijues me diplomatin aktiv në çështjen e imazhit të shqiptarëve, midis alibive (të synuara enkas) dhe realitetit të prekshëm; statusi i letërsisë shqipe në mesin e letërsisë evropiane; ndikimi i vlerave dhe antivlerave nga e kaluara; trashëgimia kulturore në ballafaqim me incentivat e integrimit evropian të shqiptarëve; shfrytëzimi i trashëgimisë proverbiale nga retorika politike; sensi i humbur i paskomunizmit; sfidat dhe dilemat për politikën kulturore në realitetin e sotëm të Shqipërisë etj.

Ajo që më bën më tepër përshtypje në këtë mori temash e problemesh lidhet me karakterin aktual të tyre: aty ku mesazhi jepet në formën më të thjeshtë, të kapshme nga të gjithë (veç po s’deshëm ta kapim), ai ka një impakt të vërtetë për ne, që jetojmë në këtë mikrokozmos paksa të çuditshëm: shqiptarët i konceptojnë ngjarjet dhe përvojat që hasin gjatë jetës së tyre mbi bazën e një organizimi konjitiv ende defektuoz, nisur nga një pragmatizëm fals që nuk i lejon të shohin përtej së tashmes, d.m.th. se si mund të modifikohet më von perceptimi nga ky lloj “strukturimi” aktual. Mesazhe të fuqishme gjenden gjithkund përgjatë librit, por unë s’dua ta shuaj kurreshtjen e lexuesve; ata le ta gjejnë vetë ”ku u dhemb”, dhe besoj se nuk do ta kenë të vështirë. Sepse Ylljet Aliçka është sa i koklavitur (në dukje) aq edhe i kapshëm në përcjelljen e mesazhit.

Përtej mesazheve të freskëta për kohën që jetojmë, unë do të ndalesha me shumë dëshirë në disa dimensione me vlerë të shtuar, në këndvështrimin shkencor-akademik, bash në sferën e antropologjisë kulturore.

1. Kolegu Ylljet Aliçka, me një aftësi mjeshtërore poliedrike, na ka dhënë përmes këtij punimi një model të ri të komunikimit kulturor me publikun vendas dhe të huaj. Tashmë dihet se, ashtu siç ndikon kultura mbi komunikimin, edhe ky i fundit ndikon mbi të parën dhe përforcon tipare të veçanta të saj. Mënyra me të cilën komunikon autori në një kontekst kulturor të kultivuar përforcon identitetin kulturor të tij/ tonë prej shqiptari. Sepse e gjithë vepra e deritanishme e tij është, para së gjithash, ritual- qoftë ndonjëherë edhe sarkastik- që kontribuon pa mëdyshje në atù-në e një sensi identiteti, për shkak se në brendësi të tij gjallon çdo qelizë e tharmit letrar, politik, diplomatik dhe shkencor të Aliçkës (kështu ka qejf ai të thirret prej kolegëve dhe miqve).

Këtë dhunti, autori e transplanton natyrshëm para së gjithash në sferën diplomatike, ku është shquar si një nga diplomatët shqiptarë më të suksesshëm të brezit bashkëkohor.

Dallimet në fe, gjuhë, në prirjet ideologjike, në mënyrat e ndryshme të organizimit shtetëror dhe shoqëror si dhe niveli i ndryshëm i kulturës dhe i emancipimit, pra identitetet në një botë kulturalisht të larmishme, bëhen shpesh burim për konflikte, në vend që të jenë motiv për plotësim dhe kompensim të njëri-tjetrit. Në vorbullën e gjatë të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, këto dallime kanë krijuar paragjykime, të cilat pastaj kanë ushqyer kastat politike dhe janë shfrytëzuar prej tyre si psikoza kolektive për përplasje dhe ballafaqime.

Një ndër problemet madhore në kohën e sotme lidhet me identitetin kulturor, veçanërisht të popujve të vegjël, siç janë popujt e Ballkanit. Hapësira kulturore shqiptare ka qëlluar në kryqëzim të kulturave dhe të qytetërimeve të Lindjes dhe Perëndimit. Ky ka qenë fati historik i saj. Duke qenë në këtë udhëkryq, shqiptarët vërtet kanë përfituar, por edhe e kanë pësuar nga trysnia e kulturave të tjera, duke qenë se ndikimi ka pasur një prapavijë asimiluese, me synimin për t’i “zhbërë” shqiptarët etnikisht, politikisht dhe ekonomikisht.

Sidoqoftë, problemi ndërlikohet nga fakti se sot vetë individi është “në hall”, sepse ai duhet të zgjedhë detyrimisht midis etnocentrizmit dhe eurocentrizmit. A ka ’më hapësirë në këtë botë për kulturat e vogla? A do të pajtohet bota e ardhshme me “tretjen e parashikuar” të këtyre kulturave në shtete e qytetërime të veçanta? Për fat, të mirë a të keq, Shqipëria ndodhet në udhëkryq nga pikëpamja gjeopolitike. Ka diçka që na bën të gjithë ne shqiptarëve të afërt me njëri-tjetrin; janë dhjetëra situata, që kanë shënjuar një pjesë të rëndësishme të jetës ose formimit psiko-somatik shqiptar, kaq të veçanta dhe të ndryshme nga çdo detaj që pati blatuar formimin e një populli ose të disa popujve të tjerë në të njëjtën epokë. Atëhere, dilema të tilla mund të shkaktojnë kriza të mëdha të identitetit. E, në këto dilema, njeriu i thjeshtë nuk duhet të lihet i vetëm dhe në udhëkryq.

Nga ana tjetër, Aliçka spikat për guximin qytetar, kur i sheh “në sy” dobësitë tona dhe ato të komunitetit ndërkombëtar lidhur me imazhin shpesh negativ mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Temën e imazhit, autori e trajton më tej në mënyrë të qartë në disa studime, ese dhe intervista, botuar kohë pas kohe në organet e shtypit dhe transmetuar nga mediet audio-vizuale të botës perëndimore.

Aliçka i del përballë dyzimit të realitetit, që mund ta detyronte individin shqiptar të ngatërrohej dhe të mos ishte i aftë t’i takojë një “kohe të përcaktuar”, por të pluskojë nëpër kohëra, ide e koncepte të ndryshme. Realiteti kulturor ka dëshmuar shpesh herë se shqiptarit, të frikësuar se mos humbasë “të vjetrën” dhe shpesh me dëshirën për të fituar “të renë” (koncepte këto që, si pa kuptuar, i përplasen atij me njëri-tjetrin), i ndodh një rrëmujë e vërtetë ekzistenciale dhe e gjithë kjo duket sikur justifikohet me zhvillimin pasmodern, pa e ditur që këtë “amulli sociale” e krijojnë pikërisht “rrënjët” e tij.

Në të kaluarën e vendit, individët që arrinin vetërealizimin ishin të pakët. Por, në shoqërinë e re pasdiktatoriale, çdo individ mund të ngjitet në majë të “piramidës së Moslovit”, sepse gjithkush është tashmë i brumosur me një “magji” të re, të fragmentarizuar dhe refleksive; shqiptarët janë tashmë “të detyruar” ta rivështrojë jetën për të “rilindur si të vetërealizuar”- një gjendje kjo, pa të cilën do të ndiheshin përgjithmonë të pakënaqur. Por, bash në këtë hulli, mund të hasim një problem të ri në marrëdhëniet brenda shoqërisë sonë: nga kjo gjendje e re, realiteti kulturor do të “copëtohej” me vështirësi, sepse- në rrethana të tilla- çdo gjë do të ishte e kontrolluar dhe e planifikuar, jo në sajë të aftësive personale, por të dëshirës së grupit ku bën pjesë individi dhe ku dëshira personale degjeneron shpesh në dëshirën e liderit, çka- në shumicën dërrmuese të rasteve- nuk pasqyron gjë tjetër veçse një gjendje paramoderne të zhvillimit.

Duke pasur parasysh këtë prirje të mundshme dhe për të rekomanduar rrugët për shmangien e saj, autori i qaset një teme tjetër me interes në aspektin kulturor, që ka të bëjë me identitetin kolektiv. Individi, si një konsumues kulturor, është aktiv në kërkimin dhe riprodhimin e vlerave, pra ai mund të bëhet njëkohësisht krijues kulturor. Individët, me gjithë subjektivizmin e tyre, mund të çlirohen nga disa korniza shoqërore dhe kulturore, me ç’rast fusha e kulturës do të zgjerohej në fushë të ”shoqërisë masive”, d.m.th. kultura nuk do të kuptohej ’më si “kulturë e lartë elitare” apo si “art elitar”, por si një “kulturë e popullarizuar”.

2. Dimensioni i dytë që më ngacmoi ka të bëjë me shfrytëzimin e trashëgimisë popullore, konkretisht të proverbave, në parullat politike të ditës. Këtë studim fondamental, autori e ka hartuar në bashkëpunim me asistenten Bisej Kapo, një ndër asistentet më premtuese të Universitetit Europian të Tiranës në sferën e shkencave politike. Aty zbërthehet përmbajtja strukturore dhe funksionale e dikotomisë proverba/ parulla politike, duke e marrë nxitjen nga libri dhe skenari me të njëjtin titull i filmit ”Parullat në gur” që shënoi rrugëtimin e sukseshëm të autorit në panteonin e letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Së pari është për t’u vlerësuar fakti që Ylljet Aliçka, me këtë studim, inauguron në Shqipëri një fushë të re si pariemologjia, që- për hir të vërtetës- njihet pak ose aspak në vendet e Evropës lindore. Ndaj edhe interesi për të ia vlente të përfshihej në këtë libër. Meqenëse vërtetësia e brendshme natyrore që bartin proverbat i bën ato lehtësisht të asimilueshme nga masa e gjerë e popullit, ato mbeten ”pjesë e fshehur e taktikave manipulative të përpunimit të opinionit publik”, siç shprehet me të drejtë Aliçka, çka do t’i shërbente ideologjisë totalitare (në rastin shqiptar) për ligjërimin politik të tjetërsuar, mbi bazën e logjikës së ”veprimit të grupit”.

Përdorimi i proverbave në ligjërimin e liderëve politikë totalitarë ka funksion të dyfishtë: nga njera anë, ky lloj ligjërimi ka natyrë performuese; nga ana tjetër, ai krijon bindje, si pasojë e përsëritjes në kontekste të ndryshme kulturore, prej nga i hapet rruga manipulimit të dëshiruar. Ky ”funksion i dyfishtë” i proverbës shfrytëzohet nga retorika politike si “aftësi rigjeneruese” e parullave politike, që- me shumë gjasë- s’e kanë të vështirë mandej të përftojnë statusin e proverbës në realitetin e ri politik. Autori e konkretizon këtë deduksion përmes shembujve konkretë nga periudha komuniste.

Të mos harrojmë se kjo prirje vazhdon deri në ditët e sotme. Shumica e politikanëve shqiptarë janë mjeshtër të komunikimit me publikun; nëpërmjet këtij komunikimi, ata transmetojnë forcën e manipulimit dhe ky bashkëudhëtar i tyre- sidomos në ngjarje të rëndësishme politike- shndërrohet në mekanizëm për kontrollin, qoftë edhe të pjesshëm, të medies. Njoftimet për shtyp, deklaratat, intervistat, ftesat në televizione etj. janë të gjitha pjesë e këtij lloj komunikimi; gjatë fushatave elektorale, këto “ngasje” bëhen ”armë” kryesore të politikanëve dhe kandidatëve të ndryshëm.

Nga ana tjetër, ligjërimi (qoftë ky edhe i natyrës politike) nënkupton përfshirjen e audiencës në situata, praktika dhe kontekste sociale reale, mjafton që fjalët e përdorura nga ligjëruesi ta shprehin ashtu siç duhet (ose siç shpresohet) mesazhin e tyre. Këtu jemi përpara një paradigme tjetër të rëndësishme që lidhet me kuptimin e drejtë/ të qashtër, të gabuar apo të tjetërsuar të fjalës. Fjalitë e vendosura në një rend strukturor të përcaktuar mund të arrijnë deri aty sa ta shpjegojnë realitetin duke e ndryshuar atë enkas. Kjo ndodh sepse gjuha, si dukuri sociale, është produkt i zhvillimit shoqëror; për rrjedhojë, ajo pasqyron edhe vizione semantikisht të ndryshme mbi botëkuptimin.

Me të drejtë, autori citon në këtë rast Bourdieu-në, sipas të cilit ”struktura të pa-tjetërsueshme njerëzore konceptohen në mënyra të ndryshme, si rrjedhojë e faktit që çdo komunitet njerëzor i jep fjalës kuptimin që do”. Kjo paradigmë ngjan më se e vërtetë, po të kemi parasysh faktin se në botën shoqërore ekzistojnë edhe struktura subjektive (në rastin konkret: lidershipi politik), të cilat janë në gjendje të pengojnë veprimin e strukturave objektive, ose të ndikojnë në përfytyrimin e njerëzve mbi ’to. Dhe, efekti i një veprimi të tillë është më efikas kur ata i drejtohen sistemeve simbolike, sidomos gjuhës, mitologjisë dhe traditës popullore.

Përkundër këtij ndikimi të imponuar, Ylljet Aliçka i kthehet dilemës: kush e ka ”pësuar” më tepër në diktaturë, kolektivi apo individi? Sipas tij, "dramatikja [e kohës] zbulohet më mirë në të përditshmen, në rutinën e zakonshme, se sa në heroizma”. Ndaj, shumica e personazheve të tij janë njerëz të zakonshëm. Por, a përbën shumësia e këtyre njerëzve të thjeshtë, ”të prerë njëlloj”, një ”dhuratë” të sistemit të kohës? Dhe më tej, a la ajo mendësi pasoja në memorien kolektive? Patjetër po, madje në formën e një ndjesie irracionale, çka Aliçka e vë formalisht ”në gojën” e shkrimtares austriake Anne Kim, ndërsa është më tepër një aset i tij personal i karakterit ekzistencial.

Kur vendosën ta ndryshonin sistemin politik, shqiptarët s’e patën menduar se duhej të ishin vigjilentë ndaj fiction-eve që i prisnin… Dhe çuditemi sot, pse ishim aq naivë; harrojmë se, duke u bërë gjasme më të zgjuar, s’po e ”kapim” dot kohën. A ka gjë më përvëluese se kjo? Dhe unë mendoj se mesazhi i Adam Michnik për “sensin e humbur të paskomunizmit”, që riprodhohet në këtë libër në mënyrë mjeshtërore nga Aliçka për t’iu kundërvënë qytetarisht paligjshmërive korruptive (shih: “Njeriu e provon sa i ndershëm është vetëm kur ballafaqohet me një ofertë të mirë korrupsioni”) apo intrigës dhe shpifjes, aq më keq me mjete gjuhësore-letrare (shih kritikën ndaj Rudolf Markut) i tejkalon shumë herë kolanat e çdo editoriali të gazetave tona të përditshme, që rendin gjithnjë e më tepër kah scoop-eve të kronikës së zezë, pa u shqetësuar për dukuri të tilla kapitale si “pastrimi/ [në fakt] harresa kolektive”, që s’na lënë të ecim përpara me ”kutin” e kohës.

Në këtë drejtim ngrenë kokë, herë pas here, edhe ndoca blasfemi nga të huajt, siç është rasti i akuzës së ish-prokurores së Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte mbi transplantimin dhe trafikun e organeve [të ushtarëve serbë të vrarë nga UÇK-ja], që paskërkesh ndodhur pikërisht në një zonë ku Ylljet Aliçka kishte shërbyer dikur si mësues. Kush më mirë dhe drejtpërdrejt se autori i ka dhënë përgjigje dërrmuese kësaj alibie të shëmtuar, që synon të ulë vlerat morale të këtij populli apo që mendon se shqiptari e ka humbur tashmë pa kthim ndjesinë e të qenit evropian?

Dhe mendoni që Aliçka e ka bërë këtë deklaratë në maj 2008, kur Kosova në shkurt të atij viti kishte përjetuar ngjarjen më të madhe kombëtare mbas 100 vjetësh robërie! Ja edhe një mesazh i ndjerë që na bën të shohim te figura e Ylljet Aliçkës patriotin realist. Dhe është me vend të përmendim se kjo deklaratë riprodhohet tashmë në botimet tona, meqenëse fillimisht u botua në frëngjisht në ”Courrier des Balkans”, në Paris.

3. Lidhur me dimensionin e tretë të natyrës kulturore që dëshiroj të prek në këtë Parathënie, ai ka të bëjë me disa mendime të vyera të autorit mbi sfidat e reformës kulturore që duhet të ndërmerren për t’i dhënë jetë rolit që i takon aksionit kulturor mbarëkombëtar në krijimin e një shoqërie të hapur, që përmbush njëkohësisht aspiratat evropiane të shoqërisë shqiptare.

Mesazhi më i rëndësishëm që përcillet përmes këtij aksioni është: instancat vendimmarrëse dhe publike ta shndërrojnë lirinë kulturore në një nga "shtyllat” e shtetit. Për ta konkretizuar këtë ide, autori ka renditur disa nga prioritetet kryesore që duhet të plotësojë reforma kulturore, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian. Sipas opinionit të autorit, në paketën ligjore të kësaj fushe nuk është punuar ende mbi bazën e një strategjie afatgjatë, për shkak të nevojave emergjente të tranzicionit, përkatësisht në mbështetje të iniciativave spontane. Por, edhe sa duhet të presim që të kapërcehet kjo fazë kalimtare? Kush e mban përgjegjësinë institucionale-politike dhe qytetare për një ”javashllëk” të tillë? Mos vallë na mban shpresa se kultura përshtatet më shpejt se sa strukturat ekonomike e sociale?

Idetë e Aliçkës shtjellohen në “Raportin” që ai i pati paraqitur Drejtorisë së Përgjithshme të UNESCO-s pranë Komisionit Evropian në Bruksel në vitin 2000, të riprodhuara shqip në këtë botim. Për sa i përket analizave që Y. Aliçka, si ekspert i çështjeve të kulturës, bën rreth politikave kulturore të Qeverisë, unë ndaj, gjithashtu, të njëjtat dilema me të lidhur me të ardhmen e identitetit të kulturës shqiptare:

Asnjë komb europian, historikisht i lumtur apo fatkeq, nuk ka hequr dorë nga gjuha e tij letrare, nga letërsia dhe arti i tij, nga perceptimi unik i vlerave të jetës si vlera kulturore. Ruajtja dhe shpëtimi i individualitetit të kulturës shqiptare duhet të jetë kusht sine qua non i aksionit të saj. Në këtë kuptim, mbrojtja e saj [kulturës kombëtare] nuk është vetëm një simptomë e situatës së kulturës shqiptare sot, por vetë simboli i saj efikas.

(Sfida të reformës kulturore në Shqipëri).

Në kuadrin e reformës dhe politikave të reja kulturore, autori nuk mund të mos qëmtonte në disa shkrime indikatorët dhe faktorët që ndërhyjnë në një ”prerje” të tillë dhe që mund të pengojnë simbiozën e natyrshme midis vektorëve të ndryshëm kulturorë.

Autori jep mendimin e tij të vyer për një politikë të re kulturore, e cila do të modifikonte rrënjësisht procesin e integrimit evropian të vendit, meqenëse vetë kultura i kapërcen natyrshëm kufijtë shtetërorë, aq më lehtë në trevat ballkanike, ku pjesë të tëra të traditës popullore (materiale dhe sidomos asaj shpirtërore) pleksen ngushtë dhe ndërveprojnë me njëra-tjetrën.

Fjala e Y. Aliçkës, mbajtur në Strasburg, në Këshillin e Evropës, në vitin 1992, e botuar e plotë në këtë libër, do të shërbente si një model parimor konkret për ndërhyrjen kulturore të BE-së, nëpërmjet programeve të agjencive bashkëpunuese ndër-rajonale.

Në përfundim, shpreh bindjen se njerëz të tillë, si Ylljet Aliçka, na duhen fort dhe ata duhet t’i mbështesim e përshëndesim në aktivitetin e tyre prodhues, mbi të gjitha për kurajën qytetare dhe për impenjimin shkencor në vërtetimin e asaj çka jemi, në ballaqafim me vetveten dhe me botën e qytetëruar, pjesë përbërëse e së cilës duhet të jemi. Por, jo me fjalë, përkundrazi me vepra. Ndaj them se këtë punim duhet ta lexojmë me kujdes, jo për të shuar kuriozitetin, por për ta studiuar.

Unë shpreh bindjen se Ylljet Aliça do të motivohet nga ky botim për të na dhënë vepra të tjera të ndjera- jo vetëm letrare (ku ai, tashmë, e ka përballuar ”provën e Prokrustit”), por sidomos të karakterit akademik-shkencor, përderisa më duket se po i kushton vëmendje më tepër se më parë një jete për shkencën. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH