Djali i Lirie Xhepës, e cila dyshohet se u vra në shkurt të 2019-ës nga kunati i saj, ka dëshmuar sot para gjykatës. Djali i të ndjerës, Marjus Xhepa, ka lëshuar akuza ndaj xhaxhait të tij, Dashamir Xhepa. Madje ai nuk ka nguruar që të kërcënojnë xhaxhain e tij, ndërsa i tha atij se; “Po u dënove do të shpëtosh, unë të dua jashtë”.
Sipas djalit, prej 7 vitesh familja e tij nuk fliste me xhaxhain, ndërsa shtoi se nëna e tij kishte një urdhër-mbrojtje. “Xhaxhai e kërcënonte gjithmonë nënën time”, tha Marjus Xhepa.
"Marrëdhëniet me xhaxhain kanë qenë shumë të këqija, ai është zënë me të gjithë njerëzit e shtëpisë.
Unë personalisht kisha shtatë vite që nuk flisja me të, edhe me nënën time nuk ka folur fare.
Në fillim Dashamir Xhepa zihej me të gjithë. Që nga vdekja e babait tim në vitin 2006 marrëdhënia ka qenë shumë e tensionuar me të.
Ai e shqetësonte nënën time, ndërsa ka marrë edhe një urdhër mbrojtje pasi vinte në shtëpi dhe zihej me të gjithë, kërkonte para.
Nëna ime ka kërkuar urdhër mbrojtje pasi shkonte e shqetësonte edhe kur unë nuk isha në shtëpi, i shkonte prapa e ruante dhe i kërkonte para. Jam zënë me atë dhe prap pasi kalonte një javë ishte i njëjti muhabet.
Nënën time e çoja vetë në punë pasi ai e shqetësonte gjithë kohës. Donte lekë, nuk e di sa i kërkonte por ai ishte pa punë. Kur e ka vrarë në ditën e ngjarjes i ka marrë 500 euro në çantë, e cila sot e kësaj dite nuk është gjetur", ka deklaruar ai.
Lirie Xhepa u gjet e pajetë në liqenin e Sharrës në Tiranë. Gruaja ishte dhunuar dhe më pas ishte qëlluar me 3 plumba në trup dhe më pas ishte hedhur në liqen. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti për pronat, që kishte nisur prej disa vitesh me dy familjeve.