Policia nuk ka ende të arrestuar për atentatin që iu bë Aleksandër Sadikajt, ditën e shtunë në Sauk. Mediat kanë nxjerrë detaje nga e kaluara kriminale e të riut, por edhe përfshirjen e familjarëve të tij në aktivitete të tilla.
Sipas Vizion Plus,6 muaj më parë, e ëma e 27 vjeçarit, Silvana Kalemi është proceduar penalisht nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (sot AMP) për shfrytëzim prostitucioni.
53-vjeçarja dyshohej se shfrytëzonte ambientet e lokalit që e kishte në pronësi në Memaliaj dhe ushtronte aktivitetin e ushtrimit të prostitucionit.
Në atë kohë, bashkë me Kalemin, u pezulluan nga detyra edhe dy punonjës policie të Tiranës, të cilët ndihmonin gruan në aktivitetin e kundraligjshëm. Njëri prej policëve, specialist i Seksionit të Hetimit të Aksidenteve, ishte dhëndri i Kalemit, ndërsa një inspektore 27-vjeçare, punonjëse në Sallën e Komandimit, njoftonte gruan për aksionet e policisë.
Në banesën e nënës së Aleksandër Sadikajt u gjetën dhe sekuestruan 2 armë gjahu gjysmëautomatike dhe sasi fishekësh, të cilat mbaheshin pa leje, si dhe jelek anti-plumb, duke ngritur dyshime se i riu i ruhej një atentati të mundshëm.
Miqtë dhe e dashura dëshmuan në polici se nuk ishin në dijeni të konflikteve. Kjo e fundit, tregoi edhe lëvizjet që kishte bërë i dashuri i saj, para se t'i bëhej atentat me vendosje tritoli në makinë.