Në një ceremoni ku ishte e pranishme dhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti, juria e Konkursit “Libri i Karantinës”, bëri publike 3 autorët fitues mes 82 dorëshkrimeve pjesëmarrëse në këtë konkurim.
Juria e përbërë nga Rita Petro, Durim Abdullahu, Fatmira Aliaj, Ylli Demneri dhe Loer Kume, ka vlerësuar si librat më të mirë të konkursit “Libri i Karantinës” veprat e mëposhtme:
“I liri” me autor Lum Gashi me motivacionin: “Për prekjen dhe përshkrimin e gjallë dhe të imët të karaktereve e situatave të zakonshme, duke i përcjellë fuqishëm përmes forcës artistike, një autor që arrin të kthejë jetën e përditshme në një art të madh”. “Tregime” me autor Ervin Nezha me motivacionin: “Për stilin befasues, mjeshtërinë e ndërtimit të karaktereve, si vazhdimësi e një tradite në gjininë e tregimit shqip”. “Grupi Bella Ciao” me autor Vera Bekteshi me motivacionin: “Për kulturën e lartë të shkrimit, karakteret e spikatura, ironinë dhe humorin, përmes së cilës “vizaton” kohën e koronavirusit”.
Tre veprat fituese do të botohen nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishte e pranishme dhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti, e cila e quajti kohën e karantinës një lloj diktature, por që nuk arriti ta ndalte shkrimin.
“82 vepra u bënë pjesë e kësaj gare e cila kishte për qëllim të motivonte nxitjen e shkrimit shqip”, tha Alda Bardhyli drejtore e QKLL-së. Sipas saj, libri shqip dhe autori shqiptar do të jenë në fokus të punës së QKLL-së. Fatmira Aliaj anëtare e jurisë veçoi nivelin artistik të autorëve pjesëmarrës, duke thënë se ky konkurs ishte një befasi për nga prurjet.
“Dorëshkrimet ishin të një niveli të lartë artistik. Kishte tematika të ndryshme por dhe gjini të ndryshme si tregimi, i cili dominonte pjesën më të madhe të dorëshkrimeve. Edhe pse një gjini e vështirë, ishte trajtuar me seriozitet nga autorët konkurrues”, tha Fatmira Aliaj. Sipas saj ky konkurs arriti të sillte një tablo të atmosferës letrare në vend, duke nxjerrë në pah emra të rinj me potenciale në fushën e letrave në të ardhmen.
“Të rinjtë ishin befasues, duhet bërë më shumë për ti mbështetur në rrugën e tyre”, tha Aliaj. Më pas ajo vlerësoi shkrimtaren Bekteshi si një autore të konsoliduar e cila me një kulturë të lartë të shkrimit ka arritur të përshkruajë më së miri situatën dramatike për të gjithë ne të koronavirusit, por ta japë atë me syrin e letërsisë.
Shkrimtari Ylli Demneri anëtar i jurisë u shpreh se për fituesit kishte votuar me bindje, dhe se ky konkurs ishte i një niveli të lartë.
Loer Kume, anëtar i jurisë u shpreh se tashmë mund të flasim për një brez të ri krijuesish në letrat shqipe, të cilët mund të qëndrojnë shumë mirë në tregun e librit. Sipas tij 10 finalistët mund të botohen, pasi janë vepra të vërteta letrare.
I nisur në 1 prill 2020 konkursi “Libri i Karantinës” u iniciua nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Lexmit. Drejtoresha e QKLL-së tha se kjo ishte një mënyrë për të nxitur shkrimin shqip, por dhe për të parë se si do të ishte dialogu i brendshëm tek krijuesit në këto kohë jo të lehta për të gjithë.
Përgjatë 3 muajve në këtë konkurs erdhën 82 dorëshkrime nga autorë të ndryshëm nga gjithë trevat shqipfolëse. Juria i lexoi dorëshkrimet në mënyrë anonime dhe kjo ishte dhe një tjetër risi e këtij konkursi.” Një nga kriteret që vendosëm së bashku si juri ishte që dorëshkrimet nga sekretaria e Qendrës të na dorëzoheshin pa emra. Pasi klasifikuam librat më të mirë, atëhere na u paraqitën emrat e shkrimtarëve. Midis shkrimtarëve të afirmuar, kishte plot emra të rinjsh, dhe kjo për ne ishte befasuese, sidomos kur i shihje ata përkrah dorëshkrimeve që kishim dalluar. Gjithashtu, kishte dhe pjesëmarrje të autorëve nga Kosova. /Gazeta Liberale