"Vëllain tim nuk do të ma kthejë kaskush. Ne duam drejtësi." Kështu është shprehur Xhuliano Bitri, vëllai i vogël 18-vjeçar i Klajdit, punëtorit 23-vjeçar me origjinë shqiptare i vrarë pasditen e së dielës në Sirolo, në rajonin Marche, i goditur nga një shigjetë peshkimi në gjoks pas një debati në rrugë.
Në një intervistë me "Resto del Carlino", i riu tregoi atë që ndodhi në fundjavën e kaluar në rrugën "Cilea" dhe kërkoi që drejtësia të vihej në vend. "Klajdi ishte kështu: altruist vetëmohues. Nuk mund t'i harroj ato kohë kur fitonte 500 euro në një stazh të paguar dhe më ndante të paktën 300. Për të ardhmen time. Ai ishte pika ime e referencës, nuk mund ta mendoj se sa shumë do më mungojë”, tha Xhuliano.
Vëllai i madh u vra teksa po përpiqej të mbronte një mik italian, Danilo, i cili nga ana e tij ishte sulmuar nga një 27-vjeçar algjerian, i cili më pas u arrestua për krimin.
Pak para tragjedisë, dy vëllezërit kishin drekuar në një restorant në Montemarciano së bashku me familjen e mikut të tyre, i cili nga ana e tij kishte ndihmuar Klajdin kur ai mbërriti në Itali për të gjetur një punë.
“Në mes të pasdites vendosëm të shkonim për një aperitiv në një klub në Sirolo. Danilo ishte në makinë me gruan dhe fëmijët, unë dhe vëllai im Klajdi ishim në një tjetër me kushëririn e tij. Në një moment, kur mbërritëm në rrethrrotullimin në rrugën Cilea, makina e Danilos ndaloi. Ne shikuam dhe pamë atentatorin që po shkonte drejt tij në mënyrë kërcënuese. Vëllai im doli menjëherë. Nuk mendoi dy herë: vrapoi atje për të ndihmuar Danilon”, kujton Xhuliano. Më pas mosmarrëveshja u përshkallëzua.
“I bërtita vëllait: Fshihu, ai ka armë. Më ka vdekur në duar”, ka shtuar ai, duke saktësuar: “U përpoqa të hiqja shigjetën, më pas ndoqa makinën ku ishte partnerja e vrasësit, por unë nuk munda ta ndaloja. Ajo e mori njeriun e saj dhe ata ikën"./Liberale.al