Në 2018 mund të tingëllonte marrëzi nisma e guximshme për të futur në një universitet privat degët e arteve. Gjashtë vite më pas, kur shpërfaqja e talenteve rrëzon çdo skepticizëm, kupton se pasioni dhe puna e gjejnë vetë rrugën e suksesit.
“Nuk është kollaj sot të ngresh një shkollë të re, nuk është kollaj të skalisësh një njeri të ri e të mos bësh një kopje. Ajo që është kopje nuk është e vërtetë”, u shpreh themeluesi i degës së Arteve në UET, prof. Zhani Ciko.
I rikthyer në Universitetin Europian të Tiranës si kryetar i jurisë së edicionit të parë të Festivalit të Muzikës, titulluar “Odeoni i muzikës së kultivuar”, dirigjenti u shpreh i lumtur që sheh rrugëtimin në ngjitje të këtij institucioni, duke evidentuar pasionin e vërtet dhe punën pedagogjike. “Është e vetmja shkollë në arsimin e lartë me një staf pedagogjik me kaq shumë përvojë.”
Departamenti Arteve të Aplikuara u jetësua në vitin akademik 2018-2019, nën drejtimin e mjeshtrave të artit shqiptar, si: pianistja Anita Tartari, sopranoja Edit Mihali, instrumentisti Fatos Qerimaj, aktori Viktor Zhusti, regjisori Leka Bungo etj. Emra artistësh të mirënjohur do t’i bashkëngjiten këtij departamenti ndër vite, të cilët edhe sot vijojnë të kontribuojnë me përkushtim, si: prof. asoc. dr. Edit Mihali, prof. dr. Shqipe Zani, prof. asoc. dr. Ramazan Peku, pianisti Johan Botka e pedagogu Kristi Bello.
Teksa i falënderoi për sakrificat e bëra, drejtuesi i Departamentit të Arteve të Aplikuara, dr. Ermir Nika tha se “pa njëri-tjetrin nuk do të arrinim këtu ku jemi sot. Janë gjashtë vite aktivitet i dendur dhe sot kemi krijuar një model të krahasueshëm me vendet përreth”.
Festivali u nderua me praninë e dirigjentit Dritan Lumshi nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, me të cilin Nika tha se do të ketë një marrëveshje institucionale për bashkëpunim dhe shkëmbim mes tyre.
I konceptuar jo vetëm për të qenë një aktivitet që përmbyll vitin akademik në javën e parë të qershorit, ky festival synon të kapërcejë dyert e UET-it dhe të krijojë bashkëpunim me institucionet e tjera të artit. Hapi i parë u hodh që në këtë edicion, ku u paraqitën dy nxënës nga Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë: baritoni Noel Prifti dhe sopranoja Albana Bajraktari të cilët, të shoqëruar në piano nga Xhulia Karriqi, sollën një repertor muzikor nga W. A. Mozart, Avni Mula dhe Simon Gjoni.
“M’u duk shumë interesante kjo ndërthurja e prurjeve të reja nga shkollat tona”, theksoi Ciko, duke vënë në pah formimin e studentëve. “Ka një rritje. Studentët kanë ndërtuar zërin e tyre. Të këndosh me ngjyrë, kolorit, të marrësh frymë kur duhet, nuk është pak.”
Përveç kualitetit në interpretim, festivali solli kualitet edhe në repertor, me përqasjen e stileve, kulturave, veprave e autorëve të përzgjedhur. Pianisti Klaudio Hasanllari luajti “The crave” nga kompozitori i njohur italian Ennio Morricone. Të shoqëruan në piano nga Reinold Kokiçi, tenori Arbër Bala solli këngën “Pse na ndan o zemër” nga kompozitori shkodran Simon Gjoni, ndërsa sopranoja Françeska Shtalbi interpretoi këngën e kompozitorit Ramadan Sokoli, “Hanko Dudia”. Studentja Megi Sula luajti në violinë “Gjashtë valle rumune” të kompozitorit hungarez Bela Bartok.
Dy studentët që përmbyllën festivalin, tenori Hygert Spathia dhe sopranoja Alisa Berisha sollën nga dy interpretime secili, të shoqëruar në piano nga pedagogu Johan Botka. Spathia interpretoi këngën “Fenesta che lucive” dhe “Torna a Surriento” të Ernesto de Curtis, ndërsa Berisha emocionoi me “Dy pritjet” e Zef Çobës dhe “Le nozze di Figaro- Venite Inginoçhiatevi” të Mozzart-it.
“Këtu nuk japim vetëm mësim. Ne skalitim profile artistësh që nesër të mbajnë lart emrin e universitetit”, do të shprehej Nika në përfundim të festivalit, ndërsa Ciko theksoi bindjen se UET do të bëjë të pamundurën për të çuar më përpara punën e nisur.