Universiteti Europian i Tiranës ka çelur edicionin e parë të Festivalit të Filmit Universitar me prodhime kinematografike të studentëve, ish-studentëve dhe maturantëve.
Nën organizimin e Departamentit të Arteve të Aplikuara, ky festival synon t’iu vijë në ndihmë studentëve që të lidhen me mjedisin e artit dhe fushës ku studiojnë. Gjatë ditëve të festivalit, ata do të shfaqin punimet e tyre të finalizimit të studimeve, si dhe do të njihen me filma të zhanreve të ndryshme nga studentë apo ish-studentë të Universitetit Europian të Tiranës dhe homologëve të tij.
Përgjegjësi i departamentit, dr. Ermir Nika e cilësoi një start për bashkimin e ideve dhe konsolidimin e tyre me prodhime të suksesshme, që rezervon ambicien e kthimit në traditë.
“Është edicioni i parë, është një hap i guximshëm sepse sot kemi detyrë jo vetëm që të formojmë dhe nxjerrim kineastët e rinj, por edhe të zhvillojmë veprimtari kushtuar filmit të brezit të ri të kineastëve. Mendoj se fillimisht nis si një marrëzi, pastaj krijohet një traditë.”
Juria e këtij edicioni të parë përbëhet nga figura të njohura që kanë kontribuar në fushën e arteve skenike dhe kinematografike, si: Artur Gorishti, Bujar Kapexhiu, Armando Bora, Dritan Boriçi, Driada Dervishi, Ermir Nika dhe Igli Zarka.
Në cilësinë e kryetarit të jurisë, aktori dhe regjisori Artur Gorishti tha se detyra e tyre është të mbështesin dhe inkurajojnë të rinjtë që të ndjekin pasionin e të çojnë para punën e gjeneratave të kaluara.
“Kam nderin të jem kryetar jurie i Festivalit të parë të Filmit Universitar këtu në UET dhe dua të them që detyra jonë është të inkurajojmë të rinjtë të vazhdojnë në punët e gjeneratave të mëparshme dhe ta çojnë më tej, dhe jo vetëm të mendojmë sesi ta bëjmë punën për vete.”
Ish-studenti i Universitetit Europian të Tiranës, regjisori Elton Baxhaku, i cili solli në këtë festival film-dokumentarin e sapo përfunduar “Vala e re”, e cilësoi një rast të mirë për t’u prezantuar me punët e të tjerëve si dhe për të marrë indicie për eksperimentime.
“Më bëhet shumë qejfi që sot jam si një kontribuues minimal dhe shpresoj shumë që të vazhdojë sepse kjo është fusha ime tashmë, kështu që shpresoj shumë që të jetë një vazhdimësi, të jetë një hapje, një ogur i mirë dhe pse jo, të takohemi pas 10 vitesh me një festival që të jetë 10-vjeç.”
Ish-studenti tjetër, regjisori Enriko Hamzaj u prezantua me filmin “Ata që nuk fluturuan tutje”, pjesëmarrës në disa festivale ndërkombëtare dhe i nominuar për dhjetëra çmime. Ai tha se për një filmëbërës të ri, rëndësi ka të prezantohet krijimi i tij, pavarësisht kritikës që mund të ndjellë.
“Ne si filmëbërës të ri që jemi pas gjithë kësaj sakrifice dhe pune të fortë që kemi bërë, gjithçka që kërkojmë është që filmi më pas të ketë ekspozurë dhe të shikohet sa më shumë në shumë vende të ndryshme. Kritikat qofshin të mira apo të këqija, gjithmonë na ndihmojnë që të ecim përpara.”
Në ditën e parë të festivalit dyditor u shfaqën katër prodhime kinematografike, të gjinisë: film me metrazh të shkurtër, film-dokumentar dhe film i animuar, shoqëruar në fund me vlerësimin e jurisë dhe përshtypjet e studentëve të Arteve Skenike në UET.