Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka theksuar edhe një herë vendosmërinë e opozitës për të vijuar betejën kundër asaj që e cilëson si një regjim autokratik dhe zgjedhje të manipuluara. Në një deklaratë publike, Berisha e cilësoi aksionin opozitar si një betejë të gjithanshme dhe shumëplanëshe, e cila ka për qëllim rikthimin e demokracisë dhe garantimin e zgjedhjeve të lira në vend.
“Beteja është e gjithanshme. Ne këto që bëjmë, i bëjmë për dy arsye: së pari, si detyrim ndaj shqiptarëve, së dyti ndaj komunitetit ndërkombëtar, me bindjen më të thellë se problemin do ta zgjidhin vetë shqiptarët dhe opozita,” u shpreh Berisha. Ai nënvizoi se opozita do të përqendrojë përpjekjet e saj në një front të gjerë veprimi, me një moto të qartë: “Qeveri teknike, zgjedhje të lira.”
Berisha tha se opozita është e bindur në suksesin e kësaj beteje, pavarësisht kompleksitetit dhe sfidave që ajo sjell. Deklarata e tij vjen në vazhdën e akuzave për parregullsi në zgjedhjet e fundit dhe thirrjeve për një zgjidhje politike që garanton standarde demokratike të procesit zgjedhor në Shqipëri.
Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:
Beteja është e gjithanshme. Ne këto që bëjmë, i bëjmë për dy arsye, për të hedhur dritë, së pari si detyrim ndaj shqiptarëve, së dyti ndaj komunitetit ndërkombëtar me bindjen më të thellë se, problemin do ta zgjidhin vetë shqiptarët dhe opozita.
Natyrisht beteja do të jetë shumëplanëshe, komplekse. Është një betejë shumë e gjerë, shumë komplekse, por me bindjen tonë më të thellë që do fitohet.
Qeveri teknike, zgjedhje të lira, kjo është motoja jonë.