Universitet

Nga Patrick J. Deneen - Universiteti i NOTRE DAME: Paqëndrueshmëria e Liberalizmit

Shkruar nga Liberale

Nga Patrick J. Deneen - Universiteti i NOTRE DAME: Paqëndrueshmëria e

Patrick J. Deneen*

Për shumicën e njerëzve në Perëndim, ideja e një epoke dhe mënyrë jetese pas-liberale është po aq e besueshme sa ideja e të jetuarit në Mars. Megjithatë, liberalizmi është një eksperiment i guximshëm politik dhe social suksesi i të cilit nuk është aspak i sigurt. Forca e tij dukshëm mbështetet në një numër të madh institucionesh dhe burimesh para, jo, madje edhe antiliberale, të cilat nuk i ka riintegruar dhe vitet e fundit është përpjekur në mënyrë aktive t'i minojë. Kjo “tërheqje” nga trashëgimia paraliberale nuk është kontigjente apo aksidentale, por një tipar i qenësishëm i liberalizmit.

Kështu, eksperimenti liberal është në kontradiktë me vetveten dhe një shoqëri liberale pashmangshmërisht do të bëhet "post-liberale". Kushti postliberal mund të ruajë shumë aspekte që konsiderohen si triumf i liberalizmit – në veçanti barazia e dinjitetit njerëzor – ndërkohë që imagjinon një kuptim alternativ të njeriut, komunitetit njerëzor, politikës dhe marrëdhënies së qyteteve njerëzore me qytetin e Zotit. Përfytyrimi i një gjendje pas liberale na kërkon të mos rikthejmë diçka që dikur ishte, por të konsiderojmë diçka që mund të jetë; nuk është një projekt nostalgjie, por vizioni, imagjinate dhe ndërtimi.

Shumë nga ato që konsiderohen si parametrat shënjuese të liberalizmit – veçanërisht marrëveshjet politike si konstitucionalizmi, sundimi i ligjit, të drejtat dhe privilegjet e qytetarëve, ndarja e pushteteve, shkëmbimi i lirë i mallrave dhe shërbimeve në tregje dhe federalizmi – gjenden në mendimin mesjetar. Pacënueshmëria e dinjitetit njerëzor, kufizimet kushtetuese ndaj pushtetit qendror dhe barazia para ligjit janë pjesë e një trashëgimie paraliberale.

Marrëveshjet rreptësisht politike të konstitucionalizmit modern nuk përbëjnë në vetvete një regjim liberal. Përkundrazi, liberalizmi përbëhet nga disa supozime thellësisht antropologjike që u japin institucioneve liberale një orientim dhe identitet të veçantë: 1) individualizmi antropologjik dhe koncepti I zgjedhjes vullnetare dhe 2) shkëputja dhe antagonizmi njerëzor karshi natyrës. Këto dy revolucione në të kuptuarit e natyrës njerëzore dhe shoqërisë përbëjnë “liberalizmin” për aq sa prezantojnë një përkufizim rrënjësisht të ri të “lirisë”.

Liberalizmi prodhon një shmangie partikulare nga trashëgimia e tij paraliberale, kryesisht duke mos marrë parasysh implikimet e zgjedhjeve të bëra nga individët mbi komunitetin, shoqërinë dhe brezat e ardhshëm. Idenë e zgjedhjes nuk e ka themeluar liberalizmi. Liberalizmi hodhi poshtë idenë se ekzistojnë zgjedhje të gabuara ose të këqija, dhe në këtë mënyrë hodhi poshtë strukturat dhe institucionet shoqërore të cilat ishin paracaktuar që të frenonin tundimin drejt përllogaritjeve egocentrike.

Revolucioni i parë, aspekti më themelor dhe më dallues i liberalizmit, konsiston tek themelimi i politikës mbi idenë e vullnetarizmit – zgjedhja e lirë, e papenguar dhe autonome e individëve. Ky argument është artikuluar fillimisht nga Thomas Hobbes në mbrojtjen proto-liberale që I bëri monarkisë. Sipas Hobsit, qeniet njerëzore për nga natyra ekzistojnë në një gjendje pavarësie dhe autonomie radikale. Duke njohur brishtësinë e një gjendjeje në të cilën jeta është "e keqe, e vrazhdë dhe e shkurtër", ata përdorin egoizmin racional për të sakrifikuar shumicën e të drejtave të tyre natyrore me qëllim që të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e një sovrani. Legjitimiteti I atribuohet pëlqimit.

Shteti është krijuar për të frenuar veprimet e jashtme të individëve dhe për të kufizuar përmes ligjit  veprimtarinë potencialisht shkatërruese të qenieve njerëzore rrënjësisht individualiste. Ligji është një grup kufizimesh praktike ndaj individëve egoistë; nuk presupozohet assesi ekzistenca e vetëpërmbjatjes e lindur nga shqetësimi reciprok. Siç shkruan Hobbes tek Leviathani, ligji është i krahasueshëm me një gardh që është vendosur “jo për të ndaluar udhëtarët, por për t'i mbajtur ata në rrugë”; domethënë, ligji frenon prirjen e natyrshme të njerëzve për të vepruar sipas "dëshirave impulsive, pakujdesisë ose pamaturisë", prandaj ekzistojnë gjithmonë "rregullat e autorizuara" si kufizime të jashtme mbi atë që përndryshe përbën lirinë tonë natyrore. “Aty ku ligji hesht”, njerëzit janë të lirë, duke u detyruar vetëm për aq sa rregullat e “autorizuara” nga shteti janë të qarta. I gjithë autoriteti legjitimues i është dhënë shtetit. Ai është krijuesi dhe zbatuesi i vetëm i ligjit pozitiv, madje përcakton edhe shprehjet legjitime dhe jolegjitime të besimit fetar. Shteti ka për detyrë ruajtjen e stabilitetit shoqëror dhe parandalimin e rikthimit në gjendjen e anarkisë natyrore; përmes përmbushjes së këtyre detyrave shteti “siguron” të drejtat tona natyrore.

Kësisoj, qeniet njerëzore janë për nga natyra krijesa "jo-relacionale", individualiste dhe autonome. Në këtë mënyrë, liberalizmi inicion një projekt sipas të cilit legjitimiteti i të gjitha marrëdhënieve njerëzore - duke filluar, por pa u kufizuar tek lidhjet politike - bëhet gjithnjë e më shumë subjekt i kriterit të zgjedhjes vetjake, zgjedhje e cila bazohet thellësisht tek interesi racional.

Xhon Loku, pasardhësi filozofik i Hobsit, e kuptoi se logjika voluntariste në instancë të fundit ndikon në të gjitha marrëdhëniet, duke përfshirë edhe ato familjare. Loku - filozofi i parë i liberalizmit – në Traktatin e dytë të qeverisjes e pranon se detyrat e prindërve në rritjen e fëmijëve dhe detyrat korresponduese të fëmijëve në bindjen ndaj prindërve të tyre burojnë nga urdhërimi "të nderosh babanë tënd dhe nënën tënde", por më tej pretendon se çdo fëmijë duhet ta nënshtrojë përfundimisht  trashëgiminë ndaj logjikës së pëlqimit duke përqafuar versionin e gjendjes së natyrës, në të cilin ne veprojmë si individë autonomë që zgjedhin. “Meqënëse fëmijët për nga natyra janë po aq të lirë sa prindërit ose paraardhësit e tyre, ata mund të zgjedhin, ndërkohë që janë në këtë gjendje lirie, se cilës shoqërie t’I bashkohen, cilit komunitet do t’I nënshtrohen. Por nëse ata duan të përfitojnë nga trashëgimia e paraardhësve të tyre, ata duhet ta pranojnë atë me të njëjtat kushte që e kanë pranuar paraardhësit e tyre dhe t'u nënshtrohen të gjitha kushteve që i bashkëngjiten një trashëgimie të tillë.” Edhe ata që e miratojnë trashëgiminë e prindërve të tyre e bëjnë këtë vetëm nëpërmjet logjikës së pëlqimit, paçka se pëlqimi I tyre mund të jetë vetëm I nënkuputuar.

Edhe martesa, thotë Locke, përfundimisht duhet kuptuar si një kontratë, kushtet e së cilës janë të përkohshme dhe subjekt rishikimi, veçanërisht pasi përfundojnë detyrat e rritjes së fëmijëve. Nëse logjika (gjithëpërfshirëse) e zgjedhjes zbatohet për marrëdhëniet më elementare dhe më themelore të familjes, atëherë ajo vlen edhe më shumë për lidhjet më fleksibël që i lidhin njerëzit me institucione dhe asociacione të tjera, në të cilat qëndrueshmëria e anëtarësimit është subjekt i monitorimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm për të verifikuar nëse është avantazh apo barrë e tepërt për të drejtat individuale të çdo personi.

Kjo nuk do të thotë se epoka paraliberale hodhi poshtë idenë e zgjedhjes së lirë të individëve. Mes mënyrave domethënëse që krishterimi preliberal kontribuoi në zgjerimin e zgjedhjes njerëzore ishte transformimi i idesë së martesës nga një institucion i bazuar në konsideratat e familjes dhe pronës, në një institucion të bazuar në zgjedhjen dhe pëlqimin e individëve të lidhur përmes dashurisë sakramentale. Ajo që sugjerohet është se baza themelore për vlerësimin e institucioneve, shoqërisë, përkatësive, anëtarësimit dhe madje edhe marrëdhënieve personale I nënshtrohet konsideratave të zgjedhjes individuale të bazuara në përllogaritjen individualiste të interesit vetjak, pa konsideruar ndikimin më të gjerë që zgjedhjet e dikujt kanë mbi komunitetin – në të tashmen dhe të ardhmen - dhe detyrimet që dikush ka ndaj rendit të krijuar dhe në analizë të fundit ndaj Zotit.

Liberalizmi ka filluar me pohimin eksplicit, të cilin ende vazhdon ta pretendojë, se ai thjesht përshkruan vendimmarrjen tonë politike, sociale dhe individuale. Megjithatë, në mënyrë implicite ai është konstituuar si një projekt konstruktiv ose normativ: Ajo që paraqitet si përshkrim i vullnetarizmit njerëzor në fakt duhej të zëvendësonte një formë shumë të ndryshme të vetëkuptimit njerëzor dhe përvojës kumulative. Në këtë mënyrë, teoria liberale u përpoq të edukonte njerëzit që të mendonin ndryshe për veten dhe marrëdhëniet e tyre. Liberalizmi shpesh pretendon neutralitet në lidhje me zgjedhjet që njerëzit bëjnë në shoqërinë liberale; është mbrojtësi i "të drejtës", jo i ndonjë koncepti të veçantë të "të mirës".

Megjithatë, liberalizmi nuk është neutral sa I përket bazamentit mbi të cilin njerëzit marrin vendimet e tyre. Ashtu siç kurset e ekonomisë pretendojnë se thjesht përshkruajnë qeniet njerëzore duke I paraqitur si aktorë individualë të cilët maksimizojnë dobinë, por që në të vërtetë ndikojnë tek studentët që të veprojnë më me egoizëm, në të njëjten mënyrë liberalizmi i meson njerëzve të evitojnë angazhimet dhe të adoptojnë marrëdhënie dhe lidhje të paqëndrueshme. Jo vetëm që të gjitha marrëdhëniet politike dhe ekonomike janë të këmbyeshme dhe subjekt i ripërcaktimit të vazhdueshëm, por edhe të gjitha marrëdhëniet e tjera, – qofshin këto me vendin, me fqinjësinë, me kombin, me familjen apo edhe me fenë. Liberalizmi tenton të inkurajojë lidhje të shpenguara.

Revolucioni i dytë, dhe presupozimi i dytë antropologjik që përbën liberalizmin, është më pak i dukshëm në pikëpamje politike. Mendimi politik paramodern - i antikitetit klasik dhe mesjetar, veçanërisht ai i ndikuar nga koncepti aristotelian i shkencës natyrore - e kuptonte njeriun si pjesë të një rendi natyror gjithëpërfshirës. Njeriu konceptohej se kishte një telos, një fund të caktuar, të dhënë nga natyra dhe të pandryshueshëm. Natyra njerëzore ishte në harmoni me rendin e botës natyrore, kështu njeriut i kërkohej që të ishte në përputhje si me natyrën e tij ashtu edhe, në një kuptim më të gjerë, me rendin natyror, pjesë e të cilit ishin qeniet njerëzore. Qeniet njerëzore mund të veprojnë lirisht kundër natyrës së tyre dhe rendit natyror, por veprime të tilla I deformojnë dhe dëmtojnë të mirën e vetë qenieve njerëzore dhe të botës. Etika e Aristotelit dhe Summa Theologica e Aquinas janë përpjekje për të përcaktuar kufijtë që natyra - pra ligji natyror - vendos mbi qeniet njerëzore dhe secila vepër kërkon të edukojë njeriun se si të jetojë sa më mirë brenda këtyre kufijve, nëpërmjet praktikës së virtyteve, në mënyrë që të arrihet kushti i prosperitetit njerëzor.

Filozofia liberale e hodhi poshtë kërkesën për vetëkufizim njerëzor. Fillimisht ajo zëvendësoi idenë e një rendi natyror ndaj të cilit njeriu ishte I nënshtruar dhe më pas edhe vetë nocionin e natyrës njerëzore. Liberalizmi inauguroi një transformim në shkencat natyrore dhe humane, i bazuar në transformimin e pikëpamjes së natyrës njerëzore dhe marrëdhënien e njeriut me botën natyrore.

Vala e parë e këtij revolucioni - e filluar nga mendimtarët e hershëm modernë që nga periudha e Rilindjes – argumentoi se njeriu duhet të kërkojë zotërimin e natyrës duke përdorur shkencën natyrore dhe një sistem ekonomik të transformuar që mbështet një ndërmarrje të tillë. Vala e dytë – e zhvilluar kryesisht nga shkollat e mendimit historicist, veçanërisht në shekullin e nëntëmbëdhjetë – zëvendësoi besimin në idenë e një natyre njerëzore fikse me besimin në “plasticitetin” njerëzor dhe aftësinë për progres dhe transformim moral. Ndërsa këto dy versione të liberalizmit - shpesh të etiketuara "konservatore" dhe "progresive" - ​​pretendojnë sot supremaci ndaj njëra-tjetrës, ne do të bënim mirë të kuptonim ndërlidhjen e tyre të thellë.

Mendimtari "proto-liberal" I cili udhëhoqi "valën e parë" të transformimit që solli liberalizmi ishte Francis Bacon. Ashtu si Hobbes (i cili ishte sekretari i Bacon-it), ai sulmoi konceptin Aristotelian dhe Tomist për natyrën dhe ligjin natyror dhe argumentoi lidhur me aftësinë e njeriut për të "zotëruar" ose "kontrolluar" natyrën - madje duke e krahasuar natyrën me një të burgosur që fsheh sekretet nga një inkuizitor dhe kërkon që hulumtuesi (shkencëtari) ta nënshtrojë ndaj torturës – e gjitha me qëllim që të sigurojë "lehtësimin e gjendjes njerëzore".

Liberalizmi e përqafoi ngushtësisht këtë orientim të ri të shkencave natyrore dhe gjithashtu avancoi një sistem ekonomik – sipërmarrjen e lirë të bazuar tek tregu – që në mënyrë të ngjashme promovonte ekspansionin e përdorimit, pushtimit dhe zotërimit të botës natyrore nga njeriu. Liberalizmi i hershëm mbronte pikëpamjen se natyra njerëzore ishte e pandryshueshme – qeniet njerëzore ishin, nga natyra, krijesa egoiste, impulset bazë të të cilave mund të shfrytëzoheshin, por jo të ndryshoheshin rrënjësisht – por, nëse kanalizohej në mënyrë të dobishme, mund të nxiste një sistem ekonomik dhe shkencor që rrit lirinë e njeriut përmes ekspansionit të kapaciteteve të qenieve njerëzore për të ushtruar dominimin e tyre ndaj natyrës.

"Vala e dytë" e këtij revolucioni filloi si një kritikë direkte ndaj kësaj pikëpamjeje mbi njeriun. Mendimtarët, duke nisur nga Rousseau te Marksi, nga Milli te Dewey dhe nga Richard Rorty te “transhumanistët” bashkëkohorë e hedhin poshtë idenë se natyra njerëzore është e fiksuar. Duke adoptuar këndvështrimin e teoricienëve të valës së parë, ata e shtrinë në vetë natyrën njerëzore idenë e natyrës së nënshtruar ndaj pushtimit njerëzor.

Kështu liberalët e valës së parë përfaqësohen sot nga "konservatorët" të cilët theksojnë nevojën për të dominuar natyrën nga pikëpamja shkencore dhe ekonomike, por nuk e shohin të nevojshëm shtrirjen totale të këtij projekti në natyrën njerëzore. Ata mbështesin pothuajse të gjitha përdorimet utilitare të botës (natyrës) për qëllime ekonomike, por kundërshtojnë shumicën e formave të "përmirësimit" bioteknologjik. Liberalët e valës së dytë miratojnë gjithnjë e më shumë pothuajse çdo mjet teknik për çlirimin e njeriut nga imperativët biologjikë të trupave tanë. Debatet e sotme politike ndodhin kryesisht dhe pothuajse ekskluzivisht midis liberalëve - të valës së parë dhe të dytë - paçka se asnjëri prej tyre nuk ballafaqohet me një kuptim thelbësisht alternativ të natyrës njerëzore dhe marrëdhënies njerëzore me natyrën që mbronte tradita paraliberale.

Kësisoj, liberalizmi nuk është thjesht një projekt rreptësisht politik I cili promovon qeverisjen kushtetuese dhe mbrojtjen juridike të të drejtave, siç portretizohet shumë shpesh. Përkundrazi, ai kërkon transformimin tërësor të jetës njerëzore dhe të botës. Dy revolucionet e tij – individualizmi antropologjik dhe koncepti i zgjedhjes vullnetare, si dhe këmbëngulja e tij në shkëputjen dhe antagonizmin e njeriut ndaj natyrës - krijuan konceptimin e tij të ri dhe të veçantë për lirinë, e përkufizuar si zgjerimi më i madh i mundshëm i veprimtarisë autonome njerëzore në shërbim të përmbushjes së vetvetes. Liberalizmi e hodhi poshtë konceptin klasik dhe paraliberal të lirisë si një aftësi edukuese e qenieve njerëzore për të kontrolluar dëshirat e tyre bazike dhe hedoniste. Kjo lloj lirie është kusht si për vetëqeverisjen e qytetit ashtu edhe të shpirtit, duke bashkuar ngushtësisht kultivimin dhe praktikën individuale të virtytit dhe vetë-rregullimin e aktiviteteteve komune. Shoqëritë që e kuptojnë lirinë në këtë mënyrë kërkojnë formimin dhe edukimin gjithëpërfshirës të individëve dhe qytetarëve në artin dhe virtytin e vetë-kufizimit.

Në vend të kësaj, liberalizmi e kupton lirinë si një gjendje në të cilën njeriu mund të veprojë lirisht brenda sferës e cila nuk është e kufizuar nga ligji pozitiv. Liberalizmi praktikisht e ribën botën sipas vizionit të tij për gjendjen e natyrës, duke formësuar një botë në të cilën teoria e individualizmit natyror bëhet gjithnjë e më shumë realitet, e siguruar përmes arkitekturës së ligjit, politikës, ekonomisë dhe shoqërisë. Me liberalizmin, qeniet njerëzore jetojnë gjithnjë e më shumë në një gjendje autonomie e cila u imagjinua për herë të parë nga teoricienët e gjendjes së natyrës, ku anarkia që kërcënon të zhvillohet nga ajo gjendje e supozuar natyrore kontrollohet dhe shtypet përmes imponimit të ligjeve dhe rritjes korresponduese të shtetit. Me njeriun e çliruar nga komunitetet themelore (duke mbetur vetëm lidhjet e lirshme) dhe natyrën e shfrytëzuar dhe të kontrolluar, sfera e konstruktuar e lirisë autonome zgjerohet (në dukje) pa limit.

Ironikisht, sa më i plotë të jetë garantimi i një sfere autonomie, aq më gjithëpërfshirës dhe më i fuqishëm duhet të bëhet shteti. Liria, e përkufizuar kësisoj, kërkon në radhë të parë çlirimin nga të gjitha format e asociacionit dhe marrëdhënieve themelore – nga familja, te kisha, te shkolla, fshati, lagja deri te komuniteti i gjerë – të cilat ushtronin kontroll të fortë mbi sjelljen kryesisht përmes normave dhe pritshmërive komune dhe joformale.

Këto forma kontrolli ishin në masë të madhe kulturore, jo politike – ligji në përgjithësi nuk ishte shumë i zgjeruar dhe ekzistonte kryesisht si një vazhdimësi e normave kulturore, pritshmërive joformale të sjelljes të cilat mësoheshin kryesisht përmes familjes, kishës dhe komunitetit. Me çlirimin e individëve nga këto asociacione dhe anëtarësimin e bazuar në zgjedhjen individuale, rritet nevoja për imponim të ligjit pozitiv për rregullimin e sjelljes. Në të njëjtën kohë, teksa autoriteti i normave shoqërore zhduket, ato konceptohen gjithnjë e më shumë si të tepërta, arbitrare dhe shtypëse, një thirrje motivuese për shtetin që të punojë në mënyrë aktive për t’i çrrënjosur nëpërmjet rregullimit dhe racionalizimit të ligjit.

Kështu, liberalizmi kulminon në dy pika ontologjike: individi i çliruar dhe shteti kontrollues. Leviathani i Hobsit i ka portretizuar në mënyrë të përsosur këto dy realitete: Shteti përbëhet vetëm nga individë autonomë (dhe jo të grupuar), dhe individët "përmbahen" nga shteti. Asnjë grupimi tjetër nuk i jepet realitet ontologjik.

Në këtë botë, mirënjohja për të shkuarën dhe detyrimet ndaj së ardhmes zëvendësohen nga kërkimi pothuajse universal i kënaqësisë imediate: Kultura, në vend që të ofrojë urtësinë dhe përvojën e së shkuarës me qëllim që të kultivojë virtytin e vetëpërmbajtjes dhe mirësjelljes, bëhet sinonim i sugjestionit hedonik, vulgaritetit visceral dhe shpërqëndrimit, të gjitha të orientuara drejt promovimit të kulturës së konsumit, dëshirave dhe shpengimit. Si rezultat, në shoqëri fillojnë të mbizotërojnë sjelljet në dukje vetëmaksimizuese, por shoqërisht shkatërruese.

Në shkolla, normat e modestisë, mirësjelljes dhe ndershmërisë akademike zëvendësohen nga përhapja e aktiviteteve të paligjshme dhe mashtrimi (së bashku me rritjen e formave të mbikëqyrjes ndaj të rinjve), ndërsa në sferën e dominuar nga mosha e rritur, normat e miqësisë zëvendësohen nga lidhjet dhe raportet seksuale utilitare. Modeli i martesës së qëndrueshme dhe jetëgjatë, zëvendësohet nga dispozita të ndryshme që sigurojnë autonominë themelore të individëve, qofshin të martuar apo jo. Fëmijët shihen gjithnjë e më shumë si kufizim i lirisë individuale, madje deri në atë pikë sa të justifikohet vrasja e foshnjave nën flamurin e "zgjedhjes", ndonëse niveli i përgjithshëm i lindjeve në të gjithë botën e zhvilluar është në rënie. Në sferën ekonomike, skemat e pasurimit të shpejtë zëvendësojnë investimet dhe amanetin (ndaj natyrës). Në marrëdhënien tonë me botën natyrore, shfrytëzimi afatshkurtër i pasurive shihet si e drejtë e lindur e jona, pavarësisht nëse kjo mund të rezultojë në mungesë burimesh vitale për jetën e fëmijëve tanë, si p.sh. shtresa e punueshme e tokës dhe uji i pijshëm. Kufizimi i ndonjë prej këtyre aktiviteteve konsiderohet si domen i shtetit i ushtruar përmes të drejtës pozitive dhe jo rezultat i vetë-kufizimit të kultivuar i lindur nga normat dhe institucionet kulturore.

Bazuar në idenë se aktiviteti themelor i jetës është ndjekja e pashmangshme e asaj që Hobsi e quajti "tërheqje pas pushtetit që pushon vetëm me vdekjen" - Alexis de Tocqueville do ta përshkruante më vonë si "ankth" ose "shqetësim" – kërkim i pandalshëm për të zvogëluar pengesat drejt vetëpërmbushjes dhe rritje e forcës për të nxitur pandërprerë dëshirën e shpirtit njerëzor për të përshpejtuar rritjen ekonomike dhe përhapjen e konsumit. Shoqëria liberale zor se do t’i mbijetonte ngadalësimit të një rritjeje të tillë dhe do të kolapsonte nëse do të ndalej ose do të kthehej pas për një periudhë të gjatë kohore. Motivi dhe justifikimi i vetëm për indiferentizmin ndaj qëllimeve njerëzore –  theksimi i të “drejtës” mbi “të mirën” – themelohet mbi premisën e prezantimit të njeriut liberal si një individ vetë-konstruktues dhe konsumator vetë-shprehës (self-exppressive). Kjo aspiratë e paracaktuar imponon zgjedhje jo të vështira midis opsioneve të stilit të jetesës.

Themeluesit e liberalizmit prireshin ta merrnin si të mirëqenë vazhdimësinë e normave shoqërore, edhe pse ata kërkonin çlirimin e individëve nga asociacionet konstitutive dhe nga edukimi vetëkufizues i cili përmbahej në këto norma. Në momentet e tij të para, liberalizmi mori si të mirëqenë përfitimin dhe vazhdimësinë e familjeve, shkollave dhe komuniteteve, megjithëse bazamenti i tyre ishte minuar filozofikisht. Minimi filozofik çoi në minimin e këtyre të mirave në realitet, pasi institucionet autoritative normëdhënësë dobësohen me përparimin e liberalizmit. Në fazën e tij të avancuar, përfitimi pasiv shndërrohet në shkatërrim aktiv: Asociacionet historikisht të ngarkuara për kultivimin e normave shihen gjithnjë e më shumë si pengesa për lirinë autonome dhe aparati i shtetit I dedikohet detyrës për të çliruar individët nga çdo lidhje e tillë.

Në mënyrë analoge - në sferën materiale dhe ekonomike - liberalizmi ka konsumuar një pjesë të madhe të burimeve shekullore në përpjekjen e tij për të pushtuar natyrën. Një paaftësi e vazhdueshme për të garantuar me sa duket zgjedhje të pafundme do të rezultonte në një krizë sistematike, duke kërkuar nga shteti që të ballafaqohet me një popullsi e cila papritmas përballet me “zgjedhjen” e papranueshme të zgjedhjeve të kufizuara. Liberalizmi mund të funksionojë vetëm përmes rritjes konstante të të mirave dhe kënaqësive materiale të disponueshme dhe të konsumueshme, dhe kësisoj duke zgjeruar në mënyrë konstante pushtimin dhe zotërimin e natyrës nga njeriu. Pavarësisht programit politik të liderëve të sotëm, program i pakontestueshëm është një tjetër. Askush nuk mund të aspirojë një pozicion lidershipi politik përmes thirrjes për kufizime dhe vetëkontroll.

Liberalizmi ishte një bast me përmasa titanike, një premtim i cili zhvlerësoi normat klasike të sjelljes në emër të një forme të re çlirimi dhe garantoi se pushtimi i natyrës do të siguronte karburantin që do të lejonte pothuajse një pafundësi zgjedhjesh. Rezultati i dyfishtë i kësaj përpjekjeje - eleminimi i vetëkufizimit moral dhe gërryerja e burimeve materiale - e bëjnë të pashmangshëm një hetim mbi atë që vjen pas liberalizmit.

Mbrojtësit e liberalizmit i frikësohen kompromentimit të principeve liberale sepse sipas tyre një gjë e tillë mund të rezultojë në ringjalljen e luftërave fetare, ri-skllavërimin e popujve, humbjen e pavarësisë së grave dhe braktisjen e të drejtave dhe barazisë para ligjit. Megjithatë, nëse kam të drejtë, një rikonsiderim i dy aspekteve themelore të liberalizmit nuk përbën kompromentim, por përkundrazi ka për të qenë parakushti për sigurimin e dinjitetit njerëzor dhe lirisë së organizuar (ordered liberty). Koncepti i pacënueshëmërisë së dinjitetit njerëzor, i kufizimeve kushtetuese ndaj pushtetit qendror, i barazisë para ligjit dhe i shkëmbimit të lirë të mallrave dhe shërbimeve në treg është, pjesë e një trashëgimie paraliberale.

Krijimi i një bote pas liberale nuk kërkon, siç mund të druhen disa, çmontimin e Kushtetutës ose "Bill of Rights", dhe as shkatërrimin e tregjeve të lira. Në vend të kësaj, është i nevojshëm një rikoncpetim themelor I mënyrës sesi ligji dhe ekonomia kuptohen dhe përdoren për të mbështetur vizionin liberal të shoqërisë. Për shkak të domosdoshmërisë ky rikonceptim po ndodh. Sa më pak që qeveria është në gjendje të ofrojë shërbimë për njerëzit të cilët po përballen me kohë sfiduese, (megjithë pretendimet e së majtës politike), aq më tepër njerëzit domosdoshmërisht do t'i drejtohen marrëdhënieve konstitutive të cilat liberalizmi i konsideronte si kufizime të autonomisë sonë: familja, lagja dhe komuniteti. Edhe krizat e tregjeve bëjnë thirrje për forcimin e institucioneve të tilla. Për shembull, kriza ekonomike rezultoi në rritje të vetëdijes për nevojën e mbështetjes në ndihmën e familjes dhe komunitetit, siç tregohet nga rritja e familjeve multi-gjeneracionale, të cilat kanë qenë normë për pjesën më të madhe të historisë njerëzore.

“Konservatorizmi” bashkëkohor nuk ofron një përgjigje përkundër liberalizmit, sepse ai vetë është një lloj liberalizmi. Ndërkohë që veteranët e së djathtës politike vazhdojnë të kundërshtojnë "ambientalistët", ata nuk arrijnë të kuptojnë se sa thellësisht konservator (konservacionistët) është impulsi midis të rinjve të cilët shohin qartë kufijtë e ekonomisë konsumeriste dhe shkatërrimet që ajo i lë trashëgim brezit të tyre. Ajo që u ka munguar përgjithësisht këtyre urtarëve është njohja e faktit se nuk mund të rivlerësosh një nga principet themelore të liberalizmit, sot i karakterizuar si "progresivizëm", duke injoruar një tjetër, veçanërisht liberalizmin ekonomik.

Është e nevojshme një paradigmë tjetër, e cila lidh ngushtësisht kultivimin e vetëkufizimit dhe vetëqeverisjes - midis asociacioneve dhe komuniteteve konstitutive - me një etikë të përgjithshme kursimi, përkorje, pune të palodhur, përgjegjshmërie dhe kujdestarie (ose amaneti). Për sa kohë që narrativa dominuese – si në sferën personale ashtu edhe ekonomike - bazohet tek zgjedhja individuale e cila synon më së pari kënaqësinë hedoniste dhe konsumerizmin, etika e liberalizmit do të vazhdojë të dominojë shoqërinë tonë.

Si e majta, ashtu edhe e djathta kanë miratuar efektivisht një sulm të kordinuar në të cilin asociacionet dhe grupet lokale gllabërohen nga zgjerimi I shtetit dhe tregut, duke prodhuar singularitet në çdo sferë: një shtet dhe një treg. Nëse e majta këmbëngul në interpretimin liberal të institucioneve tona kushtetuese dhe politike, në një përpjekje të pakompromis për të mbrojtur rolin gjithnjë në zgjerim të shtetit për të siguruar lirinë praktike të individëve, e djathta mbron sistemin e tregut të lirë dhe refuzon kategorikisht çdo kufizim ndaj zgjedhjeve të shpenguara të individëve. E djathta përqafon ortodoksinë e tregut duke e pozicionuar individin autonom, zgjedhës në qendër të teorisë së saj ekonomike si dhe miraton kornizën e përgjithshme liberale sipas të cilës alternativa e vetme ndaj tregut të lirë, ndaj doktrinës individualiste, është etatizmi dhe kolektivizmi. Ajo kërkon të promovojë vlerat familjare, por e mohon se tregu minon shumë nga vlerat që janë në themel të jetës familjare. E majta ekzalton çlirimin seksual si rrugën më të mirë për të arritur autonominë individuale, ndërkohë që dënon në mënyrë të pakuptimtë imoralitetin e një tregu në të cilin seksi është mënyra më e mirë për të shitur. Leviathani gjithëpërfshirës po bëhet çdo ditë e më shumë realitet.

Ndryshimi I kësaj trajektoreje nuk kërkon ndryshim të institucioneve; kërkohet një ndryshim në mënyrën sesi konceptohet njeriu në marrëdhënie me njerëzit e tjerë, me natyrën dhe burimin e krijimit. Megjithëse, Kushtetuta i ka koncentruar në qendër një sërë aktivitetesh politike, ajo ka lënë hapësirë ​​të konsiderueshme për subjektet lokale. Një rikthim tek një formë më e fortë federalizmi do të lejonte më tepër autonomi lokale për krijimin dhe kultivimin e formave lokale të kulturës dhe vetëqeverisjes.

Kjo do të krijojë hapësirë ​​për diskutime të nuancuara ndërmes asaj që sociologu Robert Nisbet e ka quajtur "laissez-faire midis grupeve shoqërore". Rekomandimi i federalizmit i përgjigjet nevojës për të integruar paragjykimet lokale përmes vetëqeverisjes dhe kulturës lokale. Ky argument është një përpjekje e sforcuar, jo për të mbrojtur arritjen e jashtëzakonshme dhe sipas meje të pakthyeshme të të ashtuquajturit Imago Dei të Krishtërimit, por përkundrazi për të kufizuar ndërhyrjen e shtetit në çdo sferë të jetës, e justifikuar me arsyetimin se normat dhe kufizimet lokale shprehin fanatizëm dhe çojnë drejtpërsëdrejti në shtypje.

Duhet lejuar një mori normash dhe besimesh lokale, brenda kufijve të cilët do të përjashtonin përcaktimin skandaloz të kufijve të lirisë njerëzore. Këto institucione dhe këto sjellje autoritative të cilat I japin formë normave, janë të vetmet mekanizma të besueshëm për të tejkaluar rënien substanciale të shtetit. Normat dhe besimet lokale do të ofronin një përvojë të ndryshme lirie, të cilën liberalizmi e ka injoruar, dhe e cila thekson vetëqeverisjen dhe vetëkufizimin e arritur kryesisht përmes kultivimit të zakoneve dhe virtyteve. Kultivimi i lirisë së organizuar (ordered liberty) do të frenonte ndjekjen e lirisë pafre dhe do të bllokonte tendencën drejt zgjerimit të shtetit dhe tregut, të cilat së bashku minojnë gjithnjë e më shumë institucionet shoqërore konstitutive, duke e lënë individin "të lirë" të formësohet nga kultura masive dhe reklama të cilat synojnë kryesisht të inkurajojnë dëshirat e ushqyera nga joshjet e një tregu të globalizuar.

Njohja e rolit qëndror, por edhe domosdoshmëria e institucioneve të ndryshme që ekzistojnë midis shtetit dhe individit ka qenë një reflektim themelor i mendimtarëve nga Tocqueville deri tek mendimtarët bashkëkohorë si nga e djathta ashtu edhe e majta, ndër të cilët përmendim Bertrand de Jouvenel, Robert Nisbet, Russell Kirk, Christopher Lasch, Alasdair Macintyre, Wilson Carey McWilliams, and Jean Bethke Elshtain. Ata kanë argumentuar se, familja, qytetaria, kisha, lagjja, komuniteti, shkollat dhe tregu duhet të afrohen ngushtësisht në një tërësi më të integruar - në çdo aspekt - duke filluar nga mjedisi i përbashkët deri te kultivimi i kulturave autentike lokale që rrjedhin nga laryshia e rrethanave të vendeve të ndryshme. Për t’I bërë bashkë nevojitet një etikë vetëkontrolli. Për sa kohë që e djathta përpiqet t'i mbrojë pa ofruar një ekologji më të gjerë të një komuniteti thellësisht të integruar dhe produktiv - më teëpr sesa mbrojtja e "vlerave familjare" e cila denigron idenë e pasjes së një marrëdhënieje midis familjes dhe fshatit - ajo nuk mund të ofrojë asnjë alternativë reale ndaj liberalizmit.

Nëse kam të drejtë që projekti liberal në instancë të fundit është në kontradiktë me vetveten, duke kulmuar në zbrazjen e depozitave morale dhe materiale mbi të cilat është mbështetur, pa i rimbushur, atëherë ne përballemi me një zgjedhje. Ne, me dëshirë mund të kërkojmë më tepër vetëqeverisje lokale ose të pësojmë pakujdesisht një luhajte midis anarkisë në rritje dhe një rendi të imponuar (potencialisht) ushtarakisht nga një shtet gjithnjë e më i paaftë.

Nëse analiza ime është substancialisht e saktë, liberalizmi përfundimisht është i paqëndrueshëm në çdo aspekt: rendi ​​nuk mund të imponohet vazhdimisht mbi një koleksion individësh autonomë të cilët janë gjithnjë e më shumë të zhveshur nga normat themelore shoqërore, as nuk mund të sigurohet vazhdimisht një rritje e pafundme materiale në një botë me limite. Ne ose mund të zgjedhim një të ardhme të përqëndruar tek vetëkufizimi I lindur nga praktika dhe përvoja e vetëqeverisjes në komunitetet lokale, ose mund të kthehemi ngadalë por në mënyrë të pashmangshme tek një e ardhme në të cilën liria ekstreme prodhon diktat ekstrem.

Pohimi klasik sipas të cilit njeriu për nga natyra është një kafshë politike, dhe i cili përmes ushtrimit dhe praktikës së virtytit të kultivuar në komunitet mund të arrijë një formë vetëkufizimi lokal dhe komunitar - një kusht i kuptuar me të drejtë si liri - nuk mund të mohohet përgjithmonë pa kosto. Aktualisht ne ankohemi dhe përpiqemi të trajtojmë simptomat e shumta sociale, ekonomike dhe politike të idesë së liberalizmit për lirinë, por kemi anashkaluar burimet më të thella të këtyre simptomave të cilat kanë si shkak themelor premtimet filozofike të liberalizmit.

Teksa shumica e kritikëve i konsiderojnë krizat aktuale – qofshin të kuptuara moralisht apo ekonomikisht ose, disi më rrallë, njëkohësisht moralisht dhe ekonomikisht – si probleme teknike që duhen zgjidhur përmes një politikë më të mirë, njerëzit më të zhytur në refleksione duhet të mendojnë nëse këto kriza janë paragoditjet e një tërmeti më sistematik që pritet të ndodhë. Ndryshe nga romakët e lashtë, të sigurt për qytetin e tyre të përjetshëm, të cilët nuk qenë të aftë të imagjinonin një gjendje "pas Romës", ne duhet të mendojmë për një perspektivë më të mirë që na pret pas liberalizmit.

* Patrick J. Deneen është profesor i asociuar i Shkencave Politike në Universitetin e Notre Dame

Përktheu: Kevi Muçllari

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH