Kryesore

Tri pyetjet për Venecian

               Publikuar në : 10:07 - 16/07/21 liberale

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur pyetjet e dërguara Komisionit të Venecias rreth çështjes së lidhet me zgjedhjet e 30 Qershorit. Mes tyre ajo pyet nëse ka juridiksion për të vlerësuar kushtetueshmërinë e tyre, rreth periodicitetit të tyre dhe nëse është siguruar interesi më i lartë i votuesve në zgjedhjet lokale, të bojkotuara nga opozita. Tre pyetjet pritet të  marrin përgjigje më 14 tetor

Me tri pyete, Gjykata Kushtetuese i është drejtuar për një opinion Komisionit të Venecias. Pasi ka dëgjuar palët në një seancë disa orëshe, pasi ka bërë edhe një përshkrim të sfondit në të cilin u zhvilluan zgjedhjet lokale të  30 Qershorit, anëtarët e Kushtetueses pyesin ekspertët ndërkombëtarë nëse kjo gjykatë ka juridiksion për të vlerësuar kushtetueshmërinë e procesit zgjedhor.

Duke cituar shkronjën “e” të nenit 13 të Kushtetutës, që parashikon se Gjykata Kushtetuese vendos për çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës dhe të deputetëve, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre, kërkohet një opinion që do të sqaronte nëse Gjykata mund të vlerësojë edhe zgjedhjet lokale.

Zgjedhje të cilat u anuluan e më pas u shtynë nga presidenti, u bojkotuan nga Opozita, u zhvilluan nga maxhoranca si e vetmja ofertë politike për zgjedhësit, si edhe u vlerësuan nga vëzhguesit e OSBE/ODIHR.

Këta të fundit theksuan në raportin përfundimtar se  zgjedhjet lokale të 30 Qershorit u mbajtën pa marrë parasysh interesin e elektoratit. Në një klimë ngërçi politik dhe polarizimi, votuesit nuk patën mundësi kuptimplotë për të zgjedhur mes disa opsioneve politike. Në 31 prej 61 bashkive, kandidatët garuan pa kundërshtarë.

Megjithatë ndërkombëtarët dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës – përmes zërit të zv/ndihmës sekretarit të shtetit Palmer, artikuluan se prisnin që zgjedhjet të mbaheshin në datën e dekretuar më herët nga kreu i shtetit, për të respektuar periodicitetin e tyre.

Për këtë Gjykata Kushtetuese ka hartuar pyetjen e dytë,  pasi i kërkoi Shoqatës së Bashkive që janë edhe pala paditëse të përpilonin shtatë syresh.

Pasi theksohet  se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, Kushtetuesja pyet se cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?

Megjithëse Komisioni i Venecias në raportin përfundimtar të 12 tetorit 2019, doli në përfundim se Presidenti me aktin e tij nuk kishte kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës sa për të argumentuar shkarkimin e tij përmes nenit 90 të Kushtetutës, pati konkluzione edhe për bojkotin e zgjedhjeve lokale.

Sipas Venecias, anulimi apo shtyrja e zgjedhjeve ndikonte drejtpërdrejt tek e drejta për të votuar, që është në thelb një e drejtë e njeriut.

Edhe pse kjo e drejtë e votës është në fakt e drejta për të zgjedhur mes kandidatëve,  mungesa e PD dhe LSI sado ta kishte prekur këtë të drejtë, nuk ishte shkaktuar nga shteti, por nga vetë vullneti i partive që vendosën të mos garojnë, por t’i bojkotojnë ato.

 

Edhe periodiciteti i zgjedhjeve u pa si një kërkesë e parimit të demokracisë dhe si e drejtë themelore. Çdo kufizim i së drejtës për të marrë pjesë në zgjedhjet periodike duhet të sigurohet nga ligji, të ketë qëllim të legjitimuar dhe të jetë proporcional. I njëjti kriter aplikohet edhe për zgjedhjet lokale. Në konkluzionet e raportit thuhej se “Bojkoti i zgjedhjeve nga partitë politike, edhe në qoftë se ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit nuk mund të pengojë zhvillimin e zgjedhjeve të rregullta. Për ndryshe, këto parti do të merrnin fuqinë për të penguar plotësisht çdo palë zgjedhje”.

Por, paditësja Voltana Ademi nën cilësinë  e kreut të Shoqatës së Bashkie pretendon se është cenuar neni 45 I Kushtetuës dhe neni 3 I Protokollit të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me nenet 1 dhe 10 të Konventës. Sipas saj, duke pasur  vetëm një kandidat, zgjedhjet ishin moniste, duke mos garantuar pluralizmin politik dhe të drejtën e zgjedhjes.

Ky ishte edhe pretendimi i presidentit Meta, i cili do të shprehej se e kishte gjetur të drejtën e anulimit të dekretit të mëhershëm për datën e zgjedhjeve – fenomen jo për herë të parë – për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve moniste në një vend, me pluralizëm politik prej  30 viteve. Nëse më herët data e zgjedhjeve ishte shtyrë nga presidenti me pëlqim të palëve politike – si rasti i qershorit 2017 – Presidenti Meta do të thoshte se e mori kompetencën pikërisht në mosdakordësinë e palëve për t’u ulur në tryezë bisedimi. Ai u bëri thirrje disa herë që palët të uleshin për të caktuar një datë të re. Por edhe pse asnjëra nuk pranoi, kreu i shtetit nxori një dekret të ri për t’i mbajtur zgjedhjet më 13 tetor të po atij viti.

Në parashtresën drejtuar Venecias, nga Gjykata Kushtetuese theksohet edhe neni 3 i Kushtetutës, ku ndër të tjera pluralizmi konsiderohet si baza e shtetit, i cili ka detyrë ta respektojë.

Sipas padisë së Ademit- e cila bashkë me kryebashkiakët e Kamzës e Mallakastrës u shpreh se nuk do t’i njihnin zgjedhjet lokale – është vetëm Presidenti ai që  ka kompetencën të ndryshojë datën e zgjedhjeve dhe ky akt është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga kushdo.

Ai mund të shfuqizohet vetëm me një vendim të Gjykatës kushtetuese ose një dekret të ri presidencial, ose mund të humbë fuqinë si pasojë e përmbushjes së qëllimit të tij. Duke marrë atribute që takojnë vetëm Gjykatës kushtetuese KQZ ka shkelur edhe parimin e ndarjes së pushteteve.

Po sipas palës paditëse zgjedhjet janë zhvilluar pa pasur një dekret të Presidentit, prandaj KQZ nuk ka respektuar kompetencën e këtij organi për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Nxjerrja e një dekreti që revokon një dekret të mëparshëm është vazhdimësi logjike e pushtetit  diskrecionar të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Por, tre ditë pasi presidenti anuloi zgjedhjet, Kuvendi miratoi Rezolutën, ku e konsideroi akt të pavlefshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, dekretin e presidentit për të anuluar datën e zgjedhjeve.

Po atë ditë, KQZ e vënë në lëvizje me kërkesë partisë Uniteti Kombëtar  për  çregjistrimin e saj nga zgjedhjet e datës  30 qershor vendosi rrëzimin e kërkesës duke vlerësuar se dekreti i presidentit është akt i pavlefshëm,  nul, ndaj ky organi vendosi të vijojë punën për realizimin e procesit zgjedhor për zgjedhjet lokale .

Mbi bazën e ankimit ndaj këtij vendimi të KQZ-së,  Kolegji Zgjedhor i Gjykatë së Apelit   rrëzoi padinë e palës paditëse.

Megjithë thirrjet e Opozitës për bojkotimin e zgjedhjeve, pasi më herët kishin lëshuar edhe deklarata për pengimin e tyre,  ato u mbajtën më 30 qershor, duke e parë PS-në si të vetmen fituese.

Në korrik, ishte Voltana Ademi në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë që trokiti në dyert e Gjykatës Kushtetuese – atëkohë jo funksionale – me pretendimin e konstatimit antikushtetues të zgjedhjeve të  30 qershorit,  si edhe verifikim e kushtetueshmërisë së vepritmarisë së  partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në Gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor. Ndonëse flitej për themelimin e një partie të re nga ish-deputeti demokrat Astrit Patozi, ajo u krijua brenda një nate dhe u regjistrua në gjykatë në afatet e fundit, ndërsa opozita pretendoi se ishte në fakt jashtë afateve ligjore për të hyrë në garën e zgjedhjeve lokale.

Në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR shkruhej se, mosmarrëveshjet zgjedhore u zgjidhën nga KQZ-ja dhe nga gjykata brenda afateve të parashikuara ligjore, por nuk u garantua gjithmonë në kohën e duhur aksesi në vendimet e tyre dhe njoftimi i palëve përkatëse. Sipas ODIHR, kjo cenon transparencën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe nuk shërben për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut mbi rregullat e procesit zgjedhor. Gjykata e ngushtoi legjitimimin e garuesve në mosmarrëveshjet lidhur me regjistrimin e kandidatëve, duke i lënë kështu palët e prekura nga kjo pa zgjidhje efikase.

Pyetja e tretë dhe e fundit e Gjykatës Kushtetuese ndaj Komisionit të Venecias, i cili solli verën e 2019-s delegacionin e saj që u takua me palët dhe presidenti gjithashtu u dërgoi një argumentim të gjatë juridik mbi aktin e tij, lidhet me interesin më të lartë të votuesve.

Në një situatë të një klime pasigurie juridike, pyet Gjykata,  a ka cenuar sjella e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?

Sipas raportit të ODIHR-it për këto zgjedhje, atmosfera e ngërçit dhe e pasigurisë juridike mes institucioneve kryesore minoi besimin e publikut te legjitimiteti i zgjedhjeve.

Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave  kanë pretenduar  se Gjykatës Kushtetuese i mungon juridiksioni sipas nenit  13,  pika 1 shkronja “e” të Kushtetutës pasi dekreti i Presidenti është një akt me natyrë individuale ndaj edhe çështja  duhet të pushohet.

Sipas presidentit Meta, dekreti i tij për të anuluar zgjedhjet as u ndryshua, as u anulua apo u shfuqizua nga nga Kolegji Zgjedhor, apo nga  ndonjë Gjykatë tjetër në Republikën e Shqipërisë.

Këshilltari juridik i Presidentit, do të shprehej gjatë seancës  shqyrtuese në Kushtetuese se dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve më 13 tetor, është ende në fuqi, pasi askush nuk është shprehur për të.

Tre pyetjet e Gjykatës Kushtetuese, e cila duket  i vetmi institucion i këtij rangu  që i drejtohet Venecias, do të shqyrtohet më 14 tetor të këtij  viti, ndërsa ekspertët ndërkombëtarë do të duhet të japin përgjigje nga një kënd tjetër, veç atij të vjeshtës së 2019-s.

Pyetjet e Zbardhura nga Kushtetuesja

Gjykata Kushtetuese ka në shqyrtim çështjen e paraqitur nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt: “1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. 2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”.

Në seancën plenare të datës 23.06.2021, Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi parashtrimet e kërkuesit dhe subjekteve të interesuara, në bazë të nenit 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vendosi të pezullojë gjykimin e kësaj çështjeje dhe të kërkojë një opinion amicus curiae nga Komisioni i Venecias në lidhje me standardet dhe parimet që duhet të merren në konsideratë në çështjen në shqyrtim.

Gjykata, pasi vlerësoi edhe pyetjet e propozuara nga palët, ka çmuar të nevojshme të parashtrojë pyetjet e mëposhtme për të sqaruar aspektet kryesore të këtij gjykimi:

Pyetja nr. 1 A mund të interpretohet neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?

Pyetja nr. 2  Duke qenë se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?

Pyetja nr. 3 Në një situatë të një klime pasigurie juridike, a ka cenuar sjella e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?

Nëpërmjet shkresës nr. 291 prot., datë 09.07.2021, Gjykata Kushtetuese i është drejtuar Komisionit të Venecias me kërkesën për dhënien e një opinioni amicus curiae, një kopje e plotë e së cilës u është vënë në dispozicion edhe palëve në proces, si dhe gjendet në linkun e mëposhtëm në shqip dhe në anglisht.

 

Tags: , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back