Gani MEHMETAJ
Filmat e kinostudios “Shqipëria e re” me partizanë apo ata që e madhërojnë komunizmin kur i sheh në dy-tri kanale televizive të hutojnë, të duket se ende nuk ka rënë komunizmi, se nuk ka ndryshuar asgjë. “Vdekje fashizmit, liri popullit”, a “Rroftë partia, poshtë armiku”, të duken parulla cinike e tallëse në shekullin 21. Por këta filma nuk mund të hiqen nga qarkullimi, pavarësisht protestave, sepse Shqipëria nuk e ka nxjerr jashtë ligjit komunizmin si Gjermania nazizmin, nuk i ka hap dosjet e zyrtarëve si ish- Gjermania lindore, pasi u shkëputë nga Bashkimi Sovjetik.
Shqipëria është i vetmi vend ish-socialist ku xhelatët endeshin derisa vdiqën të patrazuar, apo edhe më keq, ku qeverisnin. Prandaj më parë parlamentarët duhej të kërkonin nxjerrjen e komunizmit jashtë ligji, dënimin e kësaj periudhe të errët, pastaj t’u ndalohet figurave të komprometuara të qeverisnin. Heqja e filmave nga qarkullimi duhej të ishte akti i fundit. Por nuk ngjau ashtu, çdo gjë shkoi mbrapshtë.
Të ndalohen a të përzgjidhen
Pas tridhjetë viteve dikujt iu kujtua të propozonte ndalimin e disa filmave të kinostudios “Shqipëria e re”. Por është vonë. Ata kanë bërë jetë aktive publike në demokracinë e brishtë, ndërsa një pjesë e këtyre filmave nuk duhej të shfaqeshin, sepse lëndonin plagë të vjetra e hapnin plagë të reja. Ata e paraqitën luftën e partizanëve ashtu si nuk ishte, e helmuan dhe e hutuan edhe brezin e ri, i frikësuan regjisorët që të trajtonin periudhën e Luftës së Dytë a komunizmin ndryshe nga euforia ideologjike e regjisorëve të vjetër. Të rinjtë e sotëm nuk e dinë ishin të mirë partizanët e komunistët ashtu si e thonë filmat, a ishin të këqij ashtu si shkruan një pjesë e shtypit e disa televizione.
Po u hoqën nga qarkullimi një pjesë e filmave (por jo të ndalohen sepse u jepet pesha që nuk e kanë ), cili do të jetë kriteri? Do t’i heqin filmat partizanë, ku ngjarjet, personazhet dhe bëmat shtrembërohen në mënyrë të frikshme? Do të hiqen skenat me ballistë? Psh çfarë do të bëhet me filmin “I teti në bronz”, ku ballisti Sali Protopapa i Viktor Gjikës e Dritëro Agollit duket si një përbindësh, ndërsa në realitet Sejfi Protopa ishte gjeniu i shkencës në NASA, ShBA.
Janë dhjetëra filma partizanë që ta trazojnë lukthin kur i shikon se si e madhërojnë krimin, i shtrembërojnë faktet, kriminelët i paraqesin heronj, kurse heronjtë kriminelë. Por është mëkat të hiqet filmi “I teti...”, kur roli i komisarit, interpretuar nga Mevlan Shanaj është roli i tij më i realizuar. Ky film i tillë çfarë është pastaj mund t’i fus në një thes edhe “Rrugë të bardha”, “Gjeneral gramafoni” “Nëntori i dytë” etj.
Janë edhe shumë filma të tjerë të ideologjizuar me murtajën komuniste, por që shquhen me rolet të mira, xhirime të mrekullueshme, muzikë të kompozuar me shije, skenografi etj. Prandaj është e domosdoshme që para çdo shfaqje të bëhen sqarimet e nevojshme pse shfaqet, në kuadër të ndonjë cikli dhe arsyet pse i bëhet vërejtje.
Autori i këtij shkrimi kur ishte drejtor i “Kosovafilmit”, i shfaqi për televizion tre filma me partizanë “sypatrembur” dhe “ballistë të mashtruar”: “Si të vdiset” , “Kur pranvera vonohet” dhe “Era dhe Lisi”, por me plotësimet e nevojshme. Televizionet shqiptare i shfaqin të njëjtët filma të “Kosovafilmit” pa sqarime dhe pa të drejtën e shfaqjes.
Filmat shqiptar dhe filmat serb nuk ndryshonin në aspektin ideor e tematik
Filmat shqiptar në aspektin ideor e tematik nuk ndryshonin nga filmat jugosllavë (serb, kroat, boshnjak). Më shumë se gjysma e filmave shqiptar e jugosllav ishin filma me partizanë, ku armiku ideologjik ishte i egër, mizor, ndërsa partizanët dragua që sa s’fluturonin. Filmat e kinostudios “Shqipëria e re” armiq kishin ballistët, të mirët ishin partizanët. Të filmat serb partizanët ishin të mirët, të këqijtë ishin ballistët, ustashët dhe çetnikët. Ngjashmëritë në paraqitje, tematikë e njëanshmëritë në trajtim i bënin vëlla e motër kinematografinë serbe dhe kinematografinë shqiptare.
S’ka asnjë film për krimet serbe gjatë historisë, por ka shumë filma për “krimet” e ballistëve. Të ne dihej pse nuk bëheshin filma për krimet serbe: nuk i lejonte Serbia. Po në Shqipëri Serbia i pengonte?
Më rënien e komunizmit filmat partizanë e ata që e madhëronin ideologjinë komuniste duhej të kalonin në kinoteka, të shfaqeshin për shikuesit e zgjedhur e për filmofilet. Jo pak nga ta sot duken jashtë kohe, qesharak, nuk kanë vlera, kanë parulla në vend të dialogut. Por në kohën kur u shfaqen të shikuesi i painformuar në Dardania krijuan huti, përshtypje se Shqipëria është kopsht me lule, se atje edhe partizanët ishin ndryshe, nuk ishin vrasës si të gjithë partizanët e Ballkanit.
Kështu, të ndikuar nga këta filma bijtë e kombëtarëve në Dardani u bënë marksistë-leninistë, me fjalë të tjera partizanë, ndërsa prindërit e tyre kishin luftuar kundër partizanëve. Pjesa tjetër të ndikuar nga këta filma kur hynë për herë të parë në Shqipëri me 1991-1992, sa s’pësuan goditje në zemër: në vend të kopshtit me lule nga rrëfimet kinematografike u doli një vend i rrënuar, si ta kishte goditur bomba atomike, populli i varfër, lypsarë, njerëzit të çoroditur e të frustruar, pushteti i paqëndrueshëm e djallëzor. S’kishte asgjë nga Shqipëria e filmave. Këtu do të duhej të këputej shfaqja e atyre filmave që krijuan iluzione, që mashtruan. Filmi është art i iluzioneve, por jo i mashtrimeve e shtrembërimeve të skajshme.
Realizmi socialist e dëmtoi shumë letërsinë, e dëmtoi edhe artin, por artistët e mirë herë-herë i shpëtuan kësaj murtaje. Askush nuk i gjykon pse bënë filma me porosi të partisë, por kur ra partia duhej që krijuesit t’i tërhiqnin ata filma që të mos turpëroheshin. Të gjithë e dimë se filma disident në Shqipëri nuk mund të bëheshin, sepse do t’i pushkatonin regjisorwt mu si i vranw Vilson Bloshmin dhe Genc Lekën. Por t’i shfaqin filmat që e fyejnë gjysmën e kombit me ideologji komuniste është tepër.
Autori ishte drejtor i Kosovafilmit dhe pedagog në Akademinë e Filmit në Prishtinë./Liberale.al