Juljan Grori, student i Universitetit Europian të Tiranës, mentor i Ekipit Kombëtar të Robotikës, tregon për rrugëtimin e deritanishëm të kësaj skuadre dhe përgatitjet për përfaqësimin e rradhës në garën olimpike botërore të organizuar nga First Global Challenge
Student në vitin e tretë, në degën Informatikë-Ekonomike pranë Universitetit Europian të Tiranës, Juljan Grori është pjesë e Ekipit Kombëtar të Robotikës, në rolin e mentorit. Në një kohë kur në Shqipëri për robotikën flitet pak, këta të rinj e përfaqësojnë vendin denjësisht në kompeticione që sprovojnë talente nga e gjitha bota. Çdo vit, FIRST, e cila është organizata më e madhe jofitimprurëse, dedikuar inkurajimit të të rinjve nga e gjithë bota në STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë) zhvillon FIRST Global Challenge. Ajo fton çdo shtet të konkurojë me një skuadër përfaqësuese në “Lojërat Olimpike” të robotëve, të cilat zhvillohen çdo vit në një shtet të ndryshëm, duke patur si qëllim të frymëzojë të rinj nga e gjithë bota të marrin pjesë në STEM dhe t’u drejtohen problemeve më të ngutshme të botës sonë. Çdo konkurim i përvitshëm zhvillohet rreth një prej 14 Sfidave të Mëdha të identifikuara nga Akademitë Ndërkombëtare të Inxhinierisë. Këtë vit tema e përcaktuar është “Ocean Opportunities”.
Team Albania është Ekipi Kombëtar i Robotikës që merr pjesë në garën olimpike botërore të organizuar nga First Global Challenge. Gara olimpike zhvillohet 1 herë në vit sipas një teme të caktuar nga organizatorët. Ata dërgojnë pjesët e robotit dhe skuadra krijon robotin sipas disa rregullave të rrepta dhe të njëjta për të gjithë pjesmarrësit. Me këtë robot zhvillohet gara duke kaluar në disa faza. Gara synon përfshirjen e të rinjve të talentuar në shkencën e robotikës dhe përdorimin e kësaj shkence në zgjidhjen e problemeve globale.
Juljani, i cili ka patur gjithnjë passion të tij robotikën, është një nga dy inicatorët për krijimin e këtij ekipi, i cili merr pjesë në këtë sfidë globale për herë të tretë këtë vit. Në fillim ishte një pjesë e skuadrës ndërsa tashmë mban rolin e udhëheqësit për anëtarët më të rinj.
“FIRST Team Albania është skuadra perfaqësuese e Shqipërisë në FIRST Global Challenge, “Olimpiada e Robotikës” e Organizatës FIRST. Kjo garë robotike, në të cilën marrin pjesë skuadra gjimnazistësh nga 196 vende të botës, do të mbahet në Dubai në dt. 24-27 tetor 2019. Skuadra Team Albania ka perfaqësuar me krenari Shqipërinë në FIRST Global 2017 në Ëashington DC dhe më pas në FIRST Global 2018 në Qytetin e Meksikës”, tregon Juljani.
Ndërkohë që sfida e ka qenë e madhe, në të dyja vitet e shkuara, talenti dhe përkushtimi kanë bërë që të dalin kryelartë, duke u vlerësuar edhe me çmime.
“Jemi krenarë që vjet, në gusht 2018, skuadra Team Albania fitoi cimimin e dytë ndërmjet 196 vendeve konkuruese. Cmimi i rëndësishëm i “Dokumentacionit Katherine Johnson”, për Fletoren Inxhenjerike, që iu dhurua skuadrës Team Albania e ka marrë emrin nga matematikania e NASA-s, Katherine Johnson, kalkulimet e së cilës mbi mekanikën orbitale, mundësuan suksesin e udhëtimit të njeriut në hapësirë”, rrëfen Juli.
Në tetor 2018, revista e mirënjohur kombëtare amerikane për gjimnazistë, “TeenInk” një platformë 25 vjeçare me më shumë se 300,000 abonentë, botoi dhe nderoi me çmimin “Përzgjedhur nga Editori” esenë mbi rrugëtimin dhe fitoren e skuadrës Team Albania në FGC 2018 në Meksikë. Në shkurt 2019, gjatë Javës së Inxhenjerit, skuadra Team Albania u vu edhe njëherë në pah në një platformë globale kur ëebsite-i, “FIRST’s Inspire Blog” i vetë themeluesit të organizatës FIRST, Dean Kamen, gjithashtu botoi esenë mbi arritjen e fitores së çmimit të dytë mbi Fletoren Inxhenjerike të skuadrës Team Albania.
Tashmë sfida i pret në Dubai, në eventin që do të zhvillohet në fund të tetorit, për të cilin Juljani tregon se përgatitjet e robotit nga ana e skuadrës kanë përfunduar dhe se ekipi Team Albania ndjehet I sigurtë për jë përfaqësim tjetër dinjitoz të Shqipërisë në FIRST Global 2019. Në këto tri vite, një sërë sipërmarrjesh kanë mbështetur rrugëtimin e talenteve të reja, përfshirë dhe Universitetin Europian të Tiranës i cili ka vendosur në dispozicion të Ekipit Kombëtar të Robotikës ambientet e tij dedikuar teknologjisë, në mënyrë që skuadra të realizojë robotin e saj. /Gazeta Liberale