Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun Lezhë, Agron Gjekmarkaj, e festoi ditëlindjen këtë vit në një mënyrë të veçantë. Ai ndodhej në ambientet e Parkut Olimpik, ku ndoqi nga afër procesin e numërimit të votave të diasporës për qarkun që përfaqëson.
Vëmendja e tij ishte përqendruar te rezultati, pasi ekzistonte rreziku për humbjen e mandatit të katërt – një mandat që në fund PD ia doli ta ruajë.
Megjithatë, dita e tij nuk ka kaluar pa surpriza. Gjekmarkaj është befasuar dy herë: fillimisht nga kolegët e tij demokratë, të cilët e kanë surprizuar me një tortë urimi, dhe më pas, në një gjest të pazakontë, Admir Kadeli, kandidati i PS që nuk e fitoi mandatin për një grusht votash, së bashku me përfaqësuesit i Partisë Socialiste, i kanë dhuruar një tortë me mbishkrimin “Edhe 100 Agron”. Me humor, Gjekmarkaj ka komentuar praninë e tortës së socialistëve duke thënë: “Mos i kini hedhur helm”.