Në kuadër të prezantimit të programit për zhvillim të pronave publike me projekte transformuese, kryeministri Edi Rama zhvilloi sot takim me përfaqësues të sipërmarrjes, sektorit bankar dhe prezencën e përfaqësuesve të trupit diplomatik.
Rama u shpreh se falë përmirësimit të kushteve të administratës shtetërore dhe në funksion të krijimit të partneriteteve, do të përfitojë financiarisht edhe sektori publik.
“Ne jemi sot këtu për të ndarë me ju një qasje tërësisht tjetër të bazuar në eksperiencat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, nisur posaçërisht nga eksperiencat e Italisë dhe të Spanjës, të cilat prej shumë e shumë vitesh kanë ngritur struktura të ngjashme me strukturën e Korporatës Shqiptare të Investimeve ose siç e quajmë edhe ligjërisht Albanian Investment Coorporation, struktura që janë pikërisht në dispozicion të sektorit publik dhe shërbejnë si ura shumë të fuqishme për ndërveprime dhe bashkëpunime komplekse me sektorin privat. Jemi këtu për të prezantuar disa projekte të para që janë rezultat i konkurseve ndërkombëtare, projekte që lidhen me zhvillime të përbashkëta me sipërmarrjen”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se projektet e reja që do të zhvillohen do të kalojnë nëpërmjet garës.
“Synojnë nga njëra anë, t’i vënë në dispozicion shtetit hapësira të reja, hapësira me standarde europiane për aktivitetin e administratës publike dhe nga ana tjetër, t’i japin mundësi sipërmarrjes që në këmbim të bëjë biznes, duke hyrë në një marrëdhënie me shtetin, të njëjtë si marrëdhënia e përditshme e sipërmarrjes në fushën e ndërtimit me pronarët private”, tha Rama.