Politikë

SHIFRA E DITËS: Krahasimi me zgjedhjet e kaluara, përse pjesëmarrja në votimet e 11 majit 2025 ishte tepër e lartë dhe jo e ulët!

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS: Krahasimi me zgjedhjet e kaluara, përse

Procesi zyrtar i votimit në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 sipas të dhënave paraprake është shoqëruar nga një numër i ulët votuesish, krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Në fakt pjesëmarrja e shtetasve rezidentë ndryshe nga shifrat mund të jetë rekord me përjashtim të qarqeve në jug ku duket pati një refuzim masiv, ndoshta për shkak të zhgënjimit dhe mungesës së alternativës së duhur.

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja në rang kombëtar në zgjedhjet e 11 majit 2025 është regjistruar në 42.16%.

Qarku me pjesëmarrjen më të lartë është Dibra, me 50.10% të votuesve që kanë marrë pjesë në proces. Tirana pati një përqindje të kënaqshme prej 48.73%, që përfaqëson edhe numrin më të madh të votuesve, 279,104 zgjedhës. Kukësi renditet qarku i tretë me një përqindje të lartë pjesëmarrjeje prej 46.15%.
Në anën tjetër të renditjes është Vlora, ku pjesëmarrja rezulton më e ulëta në vend, me 31.49%, ose 62.399 votues, e ndjekur nga Shkodra me 36.78%, ose 68.410 votues.

Si krahasim në vitin 2021 pjesëmarrja ishte 46.3, në vitin 2017 morën pjesë 46.8 për qind. Në vitin 2013 kur socialistët erdhën në pushtet ishte edhe pjesëmarrja rekord, 53.5 për qind.

Sipas KQZ-së 245.935 emigrantë u rregjistruan për zgjedhjet e 11 majit 2025, ndërsa Censi i vitit 2023 zbuloi se popullsia në vend ishte tkurrur me rreth 400 mijë banorë. Tkurrja është shkaktuar kryesisht prej emigracionit ndërkohë që një e tillë besohet se mund të jetë thelluar ndjeshëm në dy vitet e fundit për të njëjtin shkak. Pra, duke përfshirë edhe diasporën, ishin shqiptarët në emigracion ata që munguan masivisht në votime. Ndërkohë popullsia e mbetur në Shqipëri ka votuar masivisht, gati njësoj si në zgjedhjet e para pluarliste.
Shifrat zbulojnë se në Jugun e vendit si në Vlorë dhe Gjirokastër ku PS ka pasur mbështetje historike, në zgjedhjet e 11 majit është rregjistruar pjesëmarrje e ulët.

Emigracioni masiv thuajse e ka përgjysmuar popullsinë aktive në 20 vitet e fundit. Edhe pse në zgjedhjet e 11 majit diaspora fitoi të drejtën historike për të votuar vendosën për t’u regjistruar në votime një pjesë e vogël e tyre. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 3.713.761 shtetas shqiptarë patën të drejtën e votës, brenda e jashtë vendit në zgjedhjet e 11 Majit. Ndër ta, 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Para se të niste "epoka e artë e socialistëve" pas rënies së komunizmit, në zgjedhjet e para pluraliste të zhvilluara në vend në vitin 1991, nga 1.984.993 votues të regjistruar në listat e votuesve, e ushtruan të drejtën e votës 98.92% e tyre.
Në vitin 1992 në zgjedhjet parlamentare, përqindja në votim ishte 91.5%, ose rreth 8% më pak se zgjedhjet e para pluraliste.
Në zgjedhjet e treta parlamentare dhe pluraliste të vitit 1996, nga 2.204.000 votues të regjistruar, në zgjedhje morën pjesë 89.08% e tyre.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 1997, viti i trazirave, ishte 72.56% e qytetarëve.
Në zgjedhjet e viti 2001 numri me të drejtë vote u rrit në 2 mln e 500 mijë, por kutive të votimit ju drejtuan 54.95%.
Nga më shumë se 2 mln e 800 mijë votues të regjistruar, në 2005, të drejtën për të votuar e ushtruan vetëm 48.73% e tyre.
Në vitin 2009 numri i votuesve në listat e komisionit qendror të zgjedhjeve figuronin mbi 3 milionë votues por kutive të votimit iu drejtuan vetëm 50.77% e tyre.

Liberale Newsroom

A ishin zgjedhjet e 11 majit 2025 një farsë elektorale, siç pretendon opozita?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH