Ministrja e Kulturës në ikje, Elva Margariti ka reaguar për herë të parë pas shkrirjes së ministrisë së Kulturës. Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në Facebook, Margariti ka zgjedhur që të flasë me shifra pas shkrirjes së kësaj ministrie.
Ky reagim i saj vjen një ditë pasi kryeministri Edi Rama njoftoi formimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke emëruar ish-drejtorin të DPSHTRR, Blendi Gonxhja si ministër të ri.
Emri i këtij të fundit ndodhet në tavolinën e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për dekretim dhe së shpejti pritet të jetë në parlament.
Sot Margariti publikoi në Facebook një grafik, me anë të cilit shpalos punën dhe arritjet e ministrisë së Kulturës, përgjatë periudhës që ajo ka drejtuar këtë institucion.
“43.22% më shumë se viti 2022 dhe 133.92% më shumë se viti 2021 rezultojnë të ardhurat e mbledhura në vitin 2023 nga biletat në institucione, parqe arkeologjike, kala e monumente kulture. Më shumë shërbime dhe mirëmbajtje në shërbim të turizmit kulturor”, ka shkruar Elva Margariti.
Ndërkohë kryeministri Rama e argumentoi vendimin e tij, duke u shprehur: “kultura nuk mund të mbetet më në një ishull të vogël të ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave mund të përfitojë shumë më tepër”.
Përgatiti: A Mënalla/ Liberale.al