Politikë

Pse Europa po lëviz djathtas?

Shkruar nga Liberale
Pse Europa po lëviz djathtas?

Nga Federico Fubini

Modeli i Melonit ka filluar të duket si një shembull që duhet të ndiqet nga e djathta nacionaliste për të fituar pushtet dhe pastaj për ta ndryshuar Evropën nga brenda. Por pasiguria gjeopolitike është në të vërtetë problemi qendror që po fuqizon pozicionin elektoral të të djathtës ekstreme...

Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian këtë qershor, e djathta nativiste duket se po fiton terren nëpër të gjithë kontinentit, veçanërisht në vendet kyçe. Megjithëse vala shoviniste shtrihet nga Portugalia në Skandinavi, ajo po udhëhiqet më së shumti nga partitë e krahut të djathtë në pesë vende kyçe anëtare të BE-së, vende të cilat e hodhën poshtë nacionalizmin më shumë se shtatëdhjetë vjet më parë.

Në Itali, një politikane me të shkuar neo-fashiste, Giorgia Meloni, ka qenë kryeministre që nga viti 2022 dhe vijon të mbetet popullore. Në Holandë, partia radikale ksenofobe Geert Ëilders doli e para në zgjedhjet e nëntorit të kaluar dhe mbetet gjithashtu popullore (megjithëse ka dështuar të fitojë mjaftueshëm mbështetje nga partitë e tjera sa për të krijuar një qeveri).

Në Francë, partia Marshimi Kombëtar i Marine Le Pen është në krye të garës, me gati 30 për qind shkallë miratimi popullor. Në Belgjikë, partia e ekstremit të djathtë e flemishëve, Vlaams Belang është duke u rritur fort në sondazhe. Dhe në Gjermani, Alternative für Deutschland (AfD) [Alternativa për Gjermaninë] është ngritur në pozicionin e partisë së dytë më të madhe. Mes anëtarëve fillestarë të Bashkimit Evropian, vetëm Lukseburgu i vogël mund të vijojë të mburret me politikë të fortë centriste.

E vërtetë, disa nga këto parti kanë arritur disi të maskojnë axhendat e tyre raciste ndërsa të tjera ia kanë dalë të krijojnë reputacione më të respektueshme si konservatorë. Meloni ka qenë pro-Perëndimore në politikën e saj të jashtme dhe, siç duket, pragmatiste, në lidhje me problemet e politikës së përditshme. Strategjia e saj e moderimit ka qenë kaq e suksesshme sa tashmë le Pen po e kopjon atë haptazi. Në anën tjetër, AfD ka vënë bast edhe më fort në politikën e ekstremizmit.

Dhe pavarësisht kësaj, kur u pyet së fundmi mbi faktorët e përbashkët që po nxisin forcat e krahut të djathtë në të gjithë Evropën, Meloni nuk pati nevojë që të gjejë ndonjë përgjigje të komplikuar. Ajo tha: “Qartazi, përgjigjet që Evropa ka dhënë për qytetarët nuk po funksionojnë.”

Por a është e vërtetë? Imigrimi, vështirësitë ekonomike dhe pabarazia në rritje në përgjithësi janë faktorët që shtyjnë votuesit drejt ekstremiteteve, por këto probleme duket se janë zbutur disi gjatë viteve të fundit. Mbërritjet e azilkërkuesve aktualisht janë poshtë mesatares së dekadës së fundit dhe shoqëritë evropiane kanë mikpritur miliona refugjatë ukrainas pa shumë debate.

Gjithashtu faktorët ekonomikë nuk duket se mund të shpjegojnë rezultatet aktuale të anketimeve të votuesve. Megjithëse inflacioni ka kafshuar nga fuqia blerëse, veçanërisht në Itali dhe në Gjermani, BE-ja pati përjetuar kushte shumë më të këqija ekonomike pas krizës financiare të vitit 2008. Punësimi sot është në nivelin më të lartë në shumë dekada në shumicën e vendeve të BE-së, përfshirë vendet anëtare, ndërsa pabarazia në një farë mase është moderuar. Në Francë, indeksi GINI (i cili mat pabarazinë në të ardhura), ka qenë në rënie që nga viti 2010 dhe tendenca të ngjashme mund të vërehen në shumicën e vendeve të tjera me rëndësi kyçe në BE.

Gjithmonë do të ketë arsye për pakënaqësi ekonomike dhe politike. Në Holandë, disa votues shqetësohen se imigrantët do të mbingarkojnë sistemin e solidaritetit shoqëror dhe do të konkurrojnë për shtëpitë e pakta që kanë çmime të përballueshme. Italia ka vuajtur prej kohësh nga sëmundjet ekonomike dhe rritja e dobët dhe Gjermania po duket gjithnjë e më shumë si i sëmuri i ekonomisë botërore.

Kështu, një rrymë tjetër e panjohur duhet të jetë shkaku që po fuqizon të djathtën nacionaliste. Një indicie mund të kërkohet te fakti që shumica e partive të të djathtës ekstreme – pavarësisht nëse janë proruse apo jo – filluan të forcohen dukshëm në sondazhe pasi Vladimir Putin urdhëroi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës. Kjo mund të ketë shkaktuar reagim duke ushqyer ndjesinë e pasigurisë, ndërsa evropianët u zgjuan me makthet e rrëzimit të rendit politik të kohës së pasluftës së ftohtë.

Rendi politik evropian gjtihmonë ka tërhequr legjitimitet jo vetëm nga forca apo nga institucionet, por edhe nga vlerat e përbashkëta. Së paku që nga koha e Kongresit të Vienës (1814-15), “forca bashkuese” në politikën Evropiane, siç e ka vërejtur Henry Kissinger, ishte besimi kokeltiv në idealet e një sistemi. Kështu, rendi politik i Evropës së Metternich mbështetej te monarkët që ishin në dakordësi me njëri-tjetrin se idealet e borgjezisë duhej të shtypeshin. Evropa e pas-Versajës, (1919), ndryshe nga kjo, nuk arriti një unitet ideologjik apo një ndjesi të përbashkët për legjitimitet, gjë që përfundoi me kaosin total të një lufte botërore.

Pas Luftës së Dytë Botërore, një forcë bashkuese u kthye te Evropa (perëndimore), në formën e Luftës së Ftohtë, kur qëllimi ishte që të minimizohej ndikimi sovjektik dhe të vijohej me një integrim ekonomik të ngadaltë, por gjithsesi të qëndrueshëm. Pas rënies së Murit të Berlinit më 1989, krijimi i një Evrope të bashkuar – dhe politikisht dhe ekonomikisht liberale – u bë mision në vetvete. Evropianët panë se ata mund të ndikonin pjesën tjetër të botës përmes “efektit të Brukselit”, një bazë dysheme rregullatore që tërheq nënshrtrim të botës përkundrejt interresit të thjeshtësisë. Objektivi i përgjithshëm i bllokut reflektonte vlerat mbështetëse që ishin krijuar mes publikut gjatë periudhës kur Evropa prodhoi stabilitet dhe mirëqenie.

Por tani, lufta e Putinit në Ukrainë, trazirat në Lindjen e Mesme, perspektiva e rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, janë duke dobësuar shtyllat në të cilat mbështetet stabiliteti i Evropës. Duke ndjerë një det të trazuar ndryshimesh, votuesit po kthehen te partitë të cilat ata nuk i identifikojnë me sistemin ekzistues. Frika se rendi që u krijua pas vitit 1989 po rrëzohet, ka shtyrë votuesit të pyesin veten: “A jemi ne me të vërtetë në anën e drejtë të historisë, siç na kanë thënë? A mos kjo ka qenë mashtrim?”

Ndryshimet gjeopolitike të kohëve të fundit kanë gërryer legjitimitetin e perceptuar të sistemit. Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës ka bërë të qartë që Evropa është vetëm pjesërisht sovrane dhe se magjepsësi “efekt i Brukselit” ka dështuar të materializohet te tranzicioni global drejt rritjes ekonomike me emisione ndotëse zero. Vendet e tjera të mëdha aktualisht po e injorojnë pretendimin e Evropës se ajo po udhëheq botën në çështjet klimaterike, për shkak se e dinë se Evropa nuk ka fuqinë e nevojshme teknologjike. Dhe sa i përket migrimit, BE-ja ka dështuar në mënyrë konsistente të gjejë një përqasje të zakonshme për trajtimin e shqetësimeve të shkaktuara nga vendet e origjinës së ndotjes.

Nativistët e vërtetë si Meloni me raste duket sikur bëhen më të moderuar në çastin që ngjiten në pushtet. Por në vend që të përqafojnë vlerat e sistemit, ata mundet të jenë duke punuar për t'i ndryshuar ato gradualisht dhe butë. Ndërsa prezanton veten si urbane, të artikuluar dhe mbështetëse për Ukrainën, Meloni me qetësi ka mbushur çdo post burrokratik të disponueshëm me militantë partie. Për më shumë, ajo po shtyn përpara për një reformë kushtetuese e cila duket si një rrëmbim pushteti (ajo mundet të dëmtojë rëndë pushtetin e presidentit dhe të parlamentit), si dhe është duke krijuar aleanca me figura të pakëndshme, të tilla si ksenofobi francez Éric Zemmour, dhe ekstremisti i djathtë spanjoll Santiago Abascal. Ajo i ka marrëdhëniet e mira edhe me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, megjithëse është kritike për qëndrimin e tij pro-rus.

Modeli i Melonit ka filluar të duket si një shembull që duhet të ndiqet nga e djathta nacionaliste për të fituar pushtet dhe pastaj për ta ndryshuar Evropën nga brenda. Por pasiguria gjeopolitike është në të vërtetë problemi qendror që po fuqizon pozicionin elektoral të të djathtës ekstreme në Evropë dhe ata që pretendojnë se po i mbrojnë vlerat e Evropës duhet të kuptojnë se BE-ja nk mund të mbrohet në kushtet e status quo-së. Ata do të duhet të argumentojnë se nevoja për siguri dhe sovranitet në çështje të sigurisë kërkon në fakt një integrim politik edhe më të madh se sa kemi aktualisht

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH