Duket se përplasja verbale mes kryeministrit Edi Rama dhe politikanit britanik Nigel Farage, vijon pasi kreu i qeverisë shqiptare ka reaguar sërish ndaj deklaratave të deputetit mbi komunitetin shqiptar në Britaninë e Madhe.
Përmes një postimi në rrjetin social “X“, Rama ironizon pa hezitim pretendimet e Farage, i cili ka kaluar nga shifra “1 në 50 shqiptarë në burg” në “1 në 3, apo ndoshta 1 në 4”.
“Vërtet? Nuk e di?”– pyet Rama, duke vënë në dyshim jo vetëm vërtetësinë, por edhe seriozitetin e deklaratave të tij.
Kryeministri i referohet të dhënave zyrtare nga Ambasada Shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, duke sqaruar se numri i shqiptarëve në Britani nuk është 53 mijë, siç është përmendur në analizën e Telegraph, por mbi 300 mijë. “Këta janë njerëzit që mësojnë fëmijët tuaj, ndërtojnë shtëpitë tuaja, kujdesen për të moshuarit dhe të sëmurët tuaj”, shprehet Rama.