Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike tha se do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina.
PD thotë se nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milionë lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës kur ushtron edhe mandatin e deputetit.
“Deputeti Vullnet Sina i shpallur si “deputet kampion” nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.
Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend”, thotë deklarat e grupit parlamentar të PD.