Politikë

Mbështetësit protestë poshtë pallatit, Berisha mban fjalim nga dritarja e shtëpisë

Shkruar nga Liberale

Mbështetësit protestë poshtë pallatit, Berisha mban fjalim

Ish-kryeministri, Sali Berisha ka përshëndetur mbështetësit e tij, të cilët i janë mbledhur për të disatën herë radhazi në shenjë solidarizimi ndaj vendimit të GJKKO për masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Nga dritarja e banesës, Berisha ka folur me mikrofon, por sot me fjalim të përgatitur më herët.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Faji i Sali Berishës është se ndërhyri për të shpëtuar opozitën e Shqipërisë kur ajo u kap peng nga Edi Rama.

Së pari, një falenderim nga zemra dhe i përulur për secilin nga ju, sa herë që unë dal në këtë dritare dhe ju shoh ju këtu, ndjej një erë të fuqishme që fryn.

Kjo nuk është era stinore e janarit, kjo nuk është era e ftohtë e dimrit, por kjo është era e shpresës, era e fitores, era e të ardhmes për PD-në dhe shqiptarët.

Kjo pra është era e ndryshimit, e cila buron nga shpirti, zemra, idealet tuaja dhe ka të gjithë fuqinë për të ndryshuar fatet e shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Grumbullimi juaj këtu lëshon rrezet e para të dritës që ndriçojnë një Shqipëri, e cila ishte e zhytur në errësirë.
Ju po ringjallni shpresën, ju po ringjallni besimin, prandaj dhe falënderimin tim më të madh për ju demokratë dhe demokrate të mbledhur sot në këtë rrugë.

Kurrë ndonjëherë në historinë e perëndimit nuk është bërë një luftë kaq e egër kundër një partie si ajo që na është bërë ne si PD.

Kurrë nuk është bërë ndonjë luftë ndaj një partie si kjo që i është bërë PD, e cila ndau historinë, ndau epokat, përmbysi diktaturën më të egër, më staliniste që Europa kishte njohur. Nxori Shqipërinë dhe shqiptarët nga honet më të thella të historisë në dritën e rrugës drejt BE, e anëtarësoi atë në NATO dhe ia doli që shqiptarët, kombi më i varfër i Europës, i treti më i varfër i planetit, të renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Në vitet e përpjekjeve të përbashkëta, PD bëri më shumë se të gjithë paraardhësit e saj në 110 vite pavarësi të marrë së bashku.

Me gjithë këto, këtë 10-vjeçar, demokratët janë persekutuar, janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë dhe të tretë, janë diskriminuar, janë mohuar, janë luftuar egërsisht si armiq nga Edi Rama, narkoregjimi i tij, mafia ndërkombëtare me në krye monstrën e njerëzimit, Xhorxh Sorosin.

Pse kjo luftë kundër demokratëve? Një përgjigje do merrni kudo: fajin e ka Saliu. Por përgjigjen e vërtetë e di çdo shqiptar. Faji i Sali Berishës është se ndërhyri për të shpëtuar opozitën e Shqipërisë kur ajo u kap peng nga Edi Rama.

Faji i Sali Berishës është se ndërhyri kur të tjerët donin t’i caktonin asaj kryetarin dhe u tha jo, kreu i PD do përcaktohet përjetë vetëm nga shqiptarët, nga demokratët.

Faji i Saliut ishte se denoncoi çdo ditë aferat e shekullit, inceneratorët, sterilizatorët, vjedhjet në Portin e Durrësit, lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe qeveritarët me bandat, me trafikantët e drogës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH