Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi procesin zgjedhor të 11 majit 2025 në Shqipëri, si një farsë të parashikuar dhe të realizuar në kushte të një klime terrori politik të paparë më parë.
Në fjalimin e tij në samitin e IDU-së në Bruksel, Berisha u shpreh se këto zgjedhje ishin të manipuluara dhe të kontrolluara nga një regjim që e ka kthyer Shqipërinë në një narkoshtet, duke akuzuar kryeministrin për shkelje flagrante të standardeve demokratike dhe të drejtave të njeriut.
Berisha: Dua të informoj Bordin Ekzekutiv të IDU-së se zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri ishin një farsë e qartë, e paralajmëruar, një farsë masive, e parashikuar në rezolutën e IDU-së, në rezolutën e PPE-së, në rezolutat e CDI-së dhe në qëndrime të tjera ndërkombëtare. Këto zgjedhje u zhvilluan në një klimë terrori politik të paparë më parë, ku Kryeministri, i cili tani udhëheq një narkoshtet, i pari dhe i vetmi narkoshtet në Europë, për të siguruar mandatin e katërt, vuri në burg, në arrest shtëpie apo nën ndjekje penale, tre drejtues të partive kryesore të opozitës, u hoqi mandatet kryetarëve të bashkive dhe burgosi deputetë të opozitës.
Berisha tha se, për të siguruar një mandat të katërt, Kryeministri ka përdorur metoda të dhunshme dhe të papranueshme për të përmbushur objektivat e tij elektorale. Sipas Berishës, shumë figura kryesore të opozitës janë arrestuar ose janë nën ndjekje penale. Ky kontroll i fuqishëm mbi opozitën, shtoi Berisha, është një pasqyrë e përpjekjeve të regjimit për të eliminuar çdo mundësi për një zgjedhje të lirë dhe të ndershme.
Berisha: Shqipëria u bë vegël e organizatave kriminale që u përdorën gjerësisht për të siguruar vota për Kryeministrin. Në zyrën e tij ka një person që koordinon aktivitetin e organizatave kriminale shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në këto zgjedhje, këta individë kishin për detyrë të sillnin në Parlament.
Ai gjithashtu deklaroi se në zgjedhjet e 11 majit u përdorën mjete publike financiare për të blerë vota.
Berisha: Për të fituar, Kryeministri e ktheu të gjithë administratën dhe shtetin në një makineri të madhe elektorale. U përdorën mjete publike financiare për të blerë vota. Konkretisht, çdo pensionisti iu dhanë 100 euro si “dhuratë” në mes të fushatës zgjedhore, si një dhuratë nga Kryeministri.
Berisha gjithashtu akuzoi qeverisë se fali gjobat dy ditë para zgjedhjeve për të siguruar vota.
Berisha: Po ashtu, dy ditë para zgjedhjeve, Kryeministri shpalli një amnisti për të gjitha gjobat dhe interesat 10-vjeçare, me një total mbi 200 milionë euro. Punonjësit e administratës publike u vunë nën presion, u kërkua që secili të siguronte 10 vota nga familja dhe rrethi i tij. Ata u përdorën si patronazhistë në një sistem të vjetër diktatorial stalinist, ku votuesit kontrolloheshin në çdo mënyrë dhe pranë qendrave të votimit u ngritën zyra për të ushtruar presion.
Berisha kërkoi mbështetje nga qeveritë, nga IDU, PPE, CDI dhe qeveritë në pushtet që Shqipëria, sipas tij, të mund të votojë e lirë.