Politikë

Kryeqyteti "në shtetrrethim"/ Samiti për Ukrainën në Tiranë, Zelensky vjen sot për herë të parë në Shqipëri

Shkruar nga Liberale

Kryeqyteti "në shtetrrethim"/ Samiti për Ukrainën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të vizitojë mbrëmjen e sotme për herë të parë Shqipërinë.

Lideri ukrainas do të jetë i pranishëm nesër në samitin e 28 Shkurtit që do të mbahet në Tiranë.

Duke filluar nga dita e sotme, Tirana do të jetë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa disa akse do të jenë të bllokuara në interval të ndryshme kohore.

Rreth 1600 forca policie pritet të jenë të angazhuara, duke përfshirë forcat RENEA, ato të Ndërhyrjes së Shpejtë apo dhe Shërbimi i Antiterrorit. Në gatishmëri do të jenë dhe 400 punonjës të Gardës të Republikës Në funksion të kësaj vizite, për të mbikqyrur perimetrin e sigurisë do të jenë edhe grupet anti-eksploziv.

Presidenti i Ukrainës pritet të ketë disa takime dypalëshe, duke përfshirë këtu Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe Kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla. Punimet e samitit pritet të zhvillohen në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes, ndërsa në përfundim të seancave të mbyllura për mediat do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Më 29 Shkurt, në Tiranë do të zhvillohet samiti i Ballkanit Perëndimor, ku do të marrin pjesë liderët e 6 vendeve të rajonit. Në fokus të këtij takimi do të jetë plani i rritjes ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rruga drejt integrimit evropian, ndërsa e pranishme pritet të jetë edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH