Politikë

INTERVISTA ELEKTORALE/ Denaj: Shqipëria 2030 është vizioni ynë për një vend me një realitet europian për çdo qytetar

Shkruar nga Liberale

INTERVISTA ELEKTORALE/ Denaj: Shqipëria 2030 është vizioni

Intervistoi: Aranit Muraçi

INTERVISTË ME ANILA DENAJ - Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe kandidate për deputete në Tiranë, në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit 2025

Thjeshtësia që e karakterizon, qartësia mbi idetë dhe platformën që përfaqëson si dhe sinqeriteti me të cilën ka vendosur të ndërtojë profilin politik, janë disa nga tiparet e para që dalin në pah, gjatë intervistës për Liberale të ministres Anila Denaj.

Unë nuk garoj mbi bazën e një pozicioni teknik, por mbi bazën e një angazhimi real politik, brenda një force politike, me një program të qartë për mandatin e katërt të Kryeministrit Edi Rama dhe në shërbim të interesit publik”, - thekson Denaj. – “Nga ana tjetër, garoj me respekt ndaj çdo kolegu në garë dhe rivali politik, duke besuar se qytetarët dinë të vlerësojnë qasjen serioze, jo agresive, aftësinë për të komunikuar dhe shërbyer  një produkt me rezultate konkrete’.

E ftuara e fundit e rubrikës së Liberale.al , në “Intervista Elektorale” për zgjedhjet parlamentare të majit 2025 ishte ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila kandidon në Tiranë, në listat e hapura për një mandat të dytë si deputete.

Zonja Denaj, për ju është fushata e parë në Tiranë. Cila është diferenca e kësaj fushate, krahasuar me atë të mëparshmen? 

Faleminderit për këtë  intervistë të parë në “Liberale”.

Unë kandidoj për një mandat të dytë për në Kuvendin e Shqipërisë, pas 4 vjet shërbim të besimit te qytetarëve në qarkun e Vlorës dhe në fokus të katër bashkive, Sarandë, Delvinë, Konispol dhe Finiq.  Ky mandat i parë më mësoi kuptimin e rolit të deputetit dhe vlerën që ka ky rol në shërbimin qytetar e për këtë jam shumë mirënjohëse. Kandidimi në Tiranë është si një sfidë, por edhe mundësi. Si anëtare e kryesisë së partisë, dhe e deleguar politike në Qarkun më të madh, kandidimi është përgjegjësi më e lartë dhe kërkon edhe një impenjim më të madh. Tirana është zemra politike, ekonomike dhe sociale e vendit dhe për këtë arsye, komunikimi me qytetarët kërkon jo vetëm përballje me problemet, por edhe një ritëm tjetër të përfshirjes. Kjo është një fushatë ku vërtet testohen idetë, projektet, serioziteti dhe kapaciteti për të qenë përfaqësues dinjitoz i qytetarëve. Por edhe vullneti dhe këmbëngulja për të qenë krah qytetarëve.

Ju mbani postin e ministres. Ky fakt ju favorizon më tepër në garë me rivalët apo me kandidatë brenda partisë suaj, apo me kandidatët e partive rivale? 

Mbajtja e një posti ministror është një përgjegjësi që të ekspozon më shumë ndaj publikut.  Si ish-Ministre e Financës dhe Ekonomisë, por edhe si Ministre e një sektori jo pak të gjerë dhe me shumë procese të ndërlidhura me integrimin, baza teknike është një mundësi e mirë për të folur me fakte konkrete dhe për të dëshmuar me argumente platformën e mandatit të katërt të Partisë Socialiste.

Por në raport me kohën dhe përkushtimin ndaj komunikimit me qytetarët në këtë fushatë në Tiranë, do te doja të kisha më shumë javë. Edhe pse mendoj se informimi nuk ka qenë kurrë i munguar. Mendoj gjithashtu se qytetarët janë  më të interesuar për performancën dhe imazhin, sesa për titullin që mban. Unë nuk garoj mbi bazën e një pozicioni teknik, por mbi bazën e një angazhimi real politik, brenda një force politike, me një program të qartë për mandatin e katërt të Kryeministrit Edi Rama dhe në shërbim të interesit publik. Nga ana tjetër, garoj me respekt ndaj çdo kolegu në garë dhe rivali politik, duke besuar se qytetarët dinë të vlerësojnë qasjen serioze, jo agresive, aftësinë për të komunikuar dhe shërbyer  një produkt me rezultate konkrete.

Kam përçuar gjithmonë atë që jam, një intelektuale e përgatitur në sistemin arsimor universitar shqiptar;  e trajnuar në sfida profesionale nga një kompani gjermane për 18 vite; një përfaqësuese e shoqërisë civile me një zë të shtuar ndaj mbështetjes së gruas në sipërmarrje;  gjithmonë në kërkim të më shumë dijeve duke u diplomuar edhe për ekonominë qarkulluese në Universitetin MIT; një person që dëgjon dhe përpiqet gjithmonë të gjejë zgjidhje për problemin; këmbëngulëse për t’u kuptuar si drejtuese kërkuese, por e drejtë. Mbi të gjitha një person me “këmbë në tokë” dhe me shumë dashuri për zhvillimin e vendit dhe progresin e merituar të shqiptarëve kudo që jetojnë.

PS ka garuar e vetme dhe i ka fituar dy zgjedhjet e fundit parlamentare. Do të ketë më të lehtë apo më të vështirë fitoren? 

Nuk ka garë të lehtë; procesi zgjedhor është një moment i ri vlerësimi dhe komunikimi. Problematikat mund të shtohen siç shtohen pritshmëritë ndërkohë që progresi është i dukshëm. Partia Socialiste hyn në këtë fushatë me një bilanc të jashtëzakonshëm: transformim rrënjësor të infrastrukturës publike, rritje të pagave, menaxhim i krizave me përgjegjësi, ulje te borxhit dhe menaxhim te stabiliteti makro fiskal. Por mbi të gjitha, një program të qartë për Shqipërinë e vitit 2030. Është një vizion që i ofron qytetarëve një mundësi shpresëdhënëse dhe të besueshme për të hyrë në familjen europiane, një ëndërr e kahershme e shqiptarisë. Kjo na jep forcë në garë, por asnjëherë nuk na bën të vetëkënaqur. Ne kërkojmë mbështetje për të vijuar punën, reformat dhe procesin e integrimit në BE dhe zhvillimin e Shqipërisë aty ku e meriton.

Pse mendoni se pas tre mandatave qytetarët duhet të votojnë sërish PS-në, ndërkohë që kanë edhe alternativa të tjera? 

Cilat janë alternativat... Alternativat do të duhet të zhvillohen në lartësinë e konkurrencës reale me detyrat e bëra ndërkohë në 12 vitet e qeverisjes së Kryeministrit Rama. Sigurisht që ka sot një përpjekje konkrete për alternativa, por duhet të dilet nga uni-individit dhe të shkohet drejt platformave qeverisëse. Qytetarët duhet t’i besojnë këtë mandat Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama sepse është një forcë që, jo thjesht ka qeverisur, por është një forcë që ka ndryshuar realisht Shqipërinë.

Nëse PS nuk siguron maxhorancën, pas 11 majit, a mendoni se mund të ketë vend për një koalicion të gjerë për atë që quani “Shqipëria Europiane”? 

Përgjigja e kësaj pyetje është dhënë ndërkohë dhe është negative. Objektivi ynë është të fitojmë me shumicë të pastër për të vijuar qeverisjen me përgjegjësi të plotë për çështje madhore si integrimi europian, zhvillimi ekonomik dhe modernizimi i institucioneve. Shqipëria ka nevojë për stabilitet institucional, për një dialog të ndershëm dhe për prioritete të përbashkëta.

Suksesi elektoral i PS-së në 12 vitet e fundit është fakt. Cila është arma më “e fortë” e PS-së që nuk e kanë partitë e tjera; është partia apo individi, përfshirë këtu edhe lidershipin? 

Fitorja e PS-së është rezultat i një kombinimi të suksesshëm midis vizionit të liderit dhe fuqisë së organizimit të strukturës.  Në këto katër vite si anëtare e kryesisë kam parë nga shumë pranë energjinë dhe disiplinën e një strukture të gjerë. Ne socialistët nuk kemi ndenjur asnjë moment pa punuar në përmirësim të vijueshëm të punës si në selinë e Partisë Socialiste, por dhe në çdo qelizë dhe organizatë socialiste që është “zemra” e strukturës sonë.

Në Partinë Socialiste punohet në grup dhe Ne kemi ndërtuar një parti moderne, gjithëpërfshirëse, që përfshin të rinj, gra, profesionistë dhe përfaqësues të çdo komuniteti. Kjo e bën PS-në një forcë të qëndrueshme, që nuk varet nga momenti, por që investon në kohë. Pra dhe Lidershipi, duke iu rikthyer edhe njëherë asaj që thashë më lart është investuar te kjo që Partia Socialiste të jetë një forcë politike që e gjen veten çdo i ri apo e re, çdo teknicien dhe profesionist, çdo qytetar i thjeshtë. Përfaqësimi në çdo krahinë të Shqipërisë është po ashtu shumë i rëndësishëm dhe komunikimi kapilar dhe i drejtpërdrejtë një vlerë e trashëguar dhe e nxitur në breza.

Çfarë rezultati nuk do të dëshironit të lexonit më 12 maj? 

Nuk do të doja që Shqipëria të ndalej në rrugën e saj drejt integrimit europian. Një rezultat jo në favor të Partisë Socialiste  do t’i jepte më shumë zë retorikës së zbrazët të opozitës pa krye, politikave populiste apo destabilitetit politik, do të ishte një kthim pas për vendin. Më 11 maj jam e bindur që qytetarët do të jenë të qartë për vazhdimësinë e reformave, për zhvillimin ekonomik dhe për anëtarësimin në BE.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH