Politikë

“Gatuajnë thashethemnajën për Berishën”, Dash Sula tregon prapaskenat e deputetëve të PD-së në grupin e WhatsApp

Shkruar nga Liberale
“Gatuajnë thashethemnajën për Berishën”, Dash

Deputeti Dashnor Sula pasi u la jashtë listës së PD-së për zgjedhjet e 11 Majit reagoi ashpër ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të partisë, Flamur Noka dhe Albana Vokshit.

Sula nuk i la pas akuzat, kur tha se “gjënë më të madhe” e ka nga ata. Sipas Sulës, Noka dhe Vokshi janë dy njerëzit që “gatuajnë një thashethemnajë për Berishën”.

“Deri dje unë mendoj për shkak të gjitha rrethanave që zoti Berisha ka qenë i plotfuqishëm 100%. Nuk mendoj që nuk është i plotfuqishëm. Nuk mendoj që zoti Berisha nuk i vë vulën i fundit, por tani zoti Berisha ka arritur në një moment se çfarë gatuhet përqark, çfarë gatuhet gjella, se shikoj mënyrën kur shkon në parlament, si rri Albana, si rri Flamuri, si kapin karrigen, si kapin çantën, si i afrohen te veshi. E kam parë këtë lloj qasje. Zoti Berisha nuk e ka pasur nga 2005 e këtej. Këta janë dy njerëzit dhe të tjerë aty që gatuajnë një thashethemnajë, ose ngrejnë pluhurin, ose tornadon për zotin Berisha. Kjo nuk është çështje as lëpirje as fresku që i bëjnë zotit Berisha, por gjënë më të madhe e kam nga këta”, tha Sula në Klan News.

Sula tregoi edhe disa nga prapaskenat në Partinë Demokratike. Ai foli për një grup në aplikacionin WhatsApp ku deputetët deri dje shkruanin më shumë për ditëlindje e festa sesa për punët e partisë.

“Është një grup WhatsApp-i, aty më shumë deri tani më shumë shkruhej për ditëlindje, për festa, sesa për punë partie. Komplimentohenin njëri-tjetrin. Unë zotit Berisha nuk i kam çuar mesazh për ditëlindje. Kështu jam dreqi e mori. Thashë kur nuk i kam çuar këto tre vjet, pse duhet ta bëj tani. Ata në 6 të mëngjesit shkruanin për zotin Berisha. E merr vesh ti. Të luash mendsh pra”, tha Sula.

Sula zbuloi edhe se kur ishte momenti që kuptoi se diçka nuk po shkonte.

“Ishte e pamoralshme që të paktën nuk m’u kërkua apo nuk m’u tha përpara që do ishte ky vendim përpara një jave se të shpallej lista, duke patur parasysh tentativën që kam pasur unë të komunikoja me zotin Berisha po të takohesha me zotin Berisha duke i kërkuar nëpërmjet dy mesazheve në mënyrë të shkruar që të kisha një takim për situatën që po afrohej. Në një kohë që përgjatë 20 viteve nuk ka bërë vaki kurrë që Zoti Berisha të cilin e kam vlerësuar maksimalisht që edhe në 2 të natës do të vinte mesazhi i një përgjigjeje, gjë e kotë sesa ky moment. Gjë që nuk ndodhi. Aty kuptova që diçka nuk po shkon”, tha Dash Sula.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH