Nga e majta: Hysni Kapo, Enver Hoxha, Kareman Ylli dhe Misto Treska
Plot 79 vite më parë, në gusht të vitit 1946, qeveria shqiptare mori pjesë në Konferencën e dytë të Paqes në Paris, me një delegacion të nivelit më të lartë, i cili kryesohej nga vetë kryeministri, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, që mbante gjithashtu edhe postet e ministrit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes. Kurse anëtarë të tjerë të atij delegacioni, ishin dhe: Hysni Kapo (ambasador i Shqipërisë në Beograd), Kahreman Ylli (ambasador i Shqipërisë në Paris) si dhe Javer Malo, përkthyes dhe përfaqësues i shtypit shqiptar. Ndërsa nga ana e sigurisë, ai delegacion shoqërohej nga kolonel Myftar Tare, ndihmësministër i Punëve të Brendshme për zbulimin me jashtë.
Në fjalën e tij Enver Hoxha u përplas me delegacionin grek, ku edhe rrëzoi edhe pretendimet e tyre territoriale në jug të vendit.
“Ai (kryeministri grek) ka 79 shkolla dhe një lice në gjuhën greke, ai e ushtron vetë pushtetin lokal autonom si populli shqiptar; ai ka përfaqësuesit e tij në Kuvendin Popullor; në radhët e ushtrisë dhe të administratës ndodhen gjithashtu minoritarë grekë”.
“Nga ana tjetër, nuk e di nëse zotërinjtë delegate kanë dijeni për terrorin e ushtruar në kurriz të pakicës shqiptare në Greqi. Nga të 60 mijë shqiptarët e mbetur në Greqi, sipas Traktatit të Londrës, nga viti 1913 e gjer në vitin 1923, 35 mijë shqiptarë u dërguan me forcë në Turqi si “nënshtetas turq” në këmbim të grekëve të Azisë së Vogël; në kundërshtim me angazhimet e marra solemnisht prej Greqisë, qeveritë greke kanë ndjekur gjithmonë një politikë shfarosjeje kundrejt minoritetit shqiptar në Greqi dhe nuk i njohën kurrë ndonjë të drejtë”.
“Në qershor të vitit 1944 dhe në mars të vitit 1945, bandat e gjeneralit kuisling Napoleon Zerva deshën t’i zhduknin shqiptarët që kishin mbetur: ata dogjën katundet e tyre, u plaçkitën pasuritë dhe vranë me mijëra burra dhe gra, fëmijë dhe pleq. Më se 20 mijë shqiptarë, që mundën të shpëtonin nga vdekja, u arratisën në Shqipëri, ku sido që kanë ndihmën e qeverisë dhe të popullit shqiptar, jetojnë në një mjerim të madh. Por objektivi i vërtetë i gjithë këtyre thënieve të delegatit grek është që t’i merren Shqipërisë dy krahina: të Korçës dhe të Gjirokastrës, që kanë qenë gjithmonë nga qendrat më të zjarrta të patriotizmit shqiptar, si gjatë pushtimit të gjatë turk, ashtu edhe gjatë luftës nacionalçlirimtare kundër zaptuesve italianë dhe gjermanë. Këto qëllime pasqyrojnë politikën e vjetër të “Megali-idesë” greke, domethënë të zgjerimit imperialist grek në krejt Ballkanin, ide që ka mbirë edhe në kokën e qeveritarëve grekë të tanishëm”, tha Enver Hoxha në fjalën e tij, të publikuar në mediat e kohës, gjatë Konferencës së Paqes së Parisit.