Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha premtoi sot rritjen e numrit të mjekëve përmes hapjes së një fakultetit të dytë mjekësie në vend dhe dyfishim të rrogave.
Gjatë një deklaratë për mediet ai tha se sot shqiptarët vdesin nga sëmundjet e zemrës dy herë më shumë se mesatarja e BE-së.
“Shqipëria renditet në vendet në të cilën qytetarët paguajnë gjobën më të madhe në Europë për kujdesin e tyre shëndetësor, ndërkohë që Edi Rama i cili 12 vite më parë erdhi në pushtet me premtim solemn për shëndetësi falas, sot merret me çdo gjë tjetër, por jo me dështimin madhor, me pasoja shumë të rënda, në kujdesin shëndetësor. Sot shqiptarët vdesin nga sëmundjet e zemrës 2 herë më shumë se sa mesatarja e BE-së”, u shpreh Berisha.
“Shqipëria përballet me një furnizim me ilaçe të cilësisë më të dobët dhe pa efekt. Një ligj që u garantonte shqiptarëve ilaçe të një cilësie të njëjtë me vendet e BE-së, ky ligj u zhduk dhe sot shqiptarët blejnë në farmacitë e tyre jashtë të gjitha standardeve. Dëshmi të shumta kanë ardhur nga Onkologjiku. Ky spital në vend të ishte një institucion shprese, faktikisht është një strehë ku njerëzit nuk vdesin nga sëmundja por nga mungesa e ilaçeve. Për 3 vite u lanë jashtë funksionit aparaturat jetike”.
“PD konsideron emergjencë programin për kujdesin shëndetësor. Në buxhetin e parë do të dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë. Në programin e saj PD do të garantojë në mënyrë të padiskutueshme ilaçe të cilësisë që përdorin vendet anëtare të BE-së, duke ndaluar me ligj futjen në Shqipëri në medikamenteve që nuk përdoren në dy vende të BE-së. Shtimi i mjekëve, hapja një fakulteti të dytë të mjekësisë, do të jenë objektiva imediate të PD-së. Ne do të dyfishojmë rrogat e mjekëve dhe infermierëve, si kusht themelor që mjekët të qëndrojnë në Shqipëri”.- shtoi kreu i PD, Berisha.