Politikë

Del RAPORTI i Transparency International/ KORRUPSIONI, Shqipëria krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor

Shkruar nga Liberale

Del RAPORTI i Transparency International/ KORRUPSIONI, Shqipëria krahasuar

Foto gjatë takimit të liderëve BE-Ballkani Perëndimor më 3 dhjetor 2024

Mali i Zi është vendi i renditur më mirë në Ballkanin Perëndimor, bazuar në vlerësimet e Indeksit vjetor të Perceptimit të Korrupsionit (CPI), publikuar sot nga Transparency International.

Vendi ynë fqinj pasohet nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kosova dhe Shqipëria kanë përmirësuar rezultatet e tyre në krahasim me edicionin e vitit të kaluar, ndërsa Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë pësuar rënie.

Sipas CPI, rezultati i një vendi është niveli i perceptuar i korrupsionit në sektorin publik në një shkallë nga 0-100, ku 0 do të thotë shumë i korruptuar dhe 100 do të thotë shumë i pastër. Mesatarja globale është 43, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian është 64.

Mali i Zi renditet i 65-ti nga 180 vende. Në shkallën 0-100, Mali i Zi shënoi 46 pikë, po aq sa vitin e kaluar.

Kosova ka përmirësuar rezultatin e saj për tre pikë nga 41 në 44 dhe renditet e 73-ta në botë, e dyta në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka përmirësuar më së shumti pikët në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, krahasuar me vitin 2023 kur shënoi 37 pikë nga 100. Vendi ynë aktualisht ka 42 pikë dhe renditet i 80-ti në botë.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka rënë me dy pikë, krahasuar me vitin 2023, nga 42 në 40 dhe tani renditet e 88-ta në botë.

Serbia ka zbritur një pikë në krahasim me vitin 2023, nga 36 në 35. Ajo renditet e 105-ta nga 180 vende. Bosnja dhe Hercegovina gjithashtu ra me dy pikë dhe zbriti nga 35 në 33. Ajo renditet e 114-ta në botë.

Rezultati i secilit vend është një kombinim i të paktën 3 burimeve të të dhënave të nxjerra nga 13 sondazhe dhe vlerësime të ndryshme të korrupsionit. Këto burime të dhënash janë mbledhur nga një sërë institucionesh me reputacion, përfshirë Bankën Botërore dhe Forumin Ekonomik Botëror, shpjegon CPI.

“Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2024 (CPI) tregon se korrupsioni është një problem i rrezikshëm në çdo pjesë të botës, por ndryshimi për mirë po ndodh në shumë vende”, thuhet në deklaratën që shoqëron Indeksin e këtij viti.

Ndërsa 32 vende kanë ulur ndjeshëm nivelet e tyre të korrupsionit që nga viti 2012, ka ende një punë të madhe për të bërë – 148 vende kanë qëndruar në stanjacion ose janë përkeqësuar gjatë së njëjtës periudhë, saktëson deklarata.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH