Politikë

Përveç qeverisë, kujt i intereson tjetër amnistia e zyrtarëve të lartë (të akuzuar nga SPAK e të dënuar për korrupsion)

Shkruar nga Liberale
Përveç qeverisë, kujt i intereson tjetër amnistia e

Amnistia e të burgosurve ka marrë një pikë kthese në miratimin final në Komisionin e Ligjeve ku është propozuar përfshirja si grup përfitues nga ligji edhe për zyrtarë të lartë të dënuar nga gjykata e Posaçme.

Projektligji kërkon 84 vota në Kuvend të cilat qeveria nuk i ka. Ndërkombëtarët nga ana tjetër nuk janë shprehur ende publikisht për ligjin.

Kjo do të thotë se qeveria përderisa e ka propozuar dhe e mbron me forcë është e interesuar që politikanët e dënuar për korrupsion, një pjesë e mirë nga radhët e saj të përfitojnë prej amnistisë, ndonëse ligji (edhe nëse konsiderohet i nevojshëm për momentin) në të ardhmen mund të inkurajojë korrupsionin dhe mund të dekurajojë SPAK dhe organet e reja të drejtësisë në punën e tyre për ta luftuar atë.

Por si mund të kalojë ligji i amnistisë penale teksa një i tillë kërkon 84 vota në Kuvend?

PD zyrtare e udhëhequr nga Lulzim Basha është shprehur kundër miratimit të ligjit por qeveria duket e vendosur, ndërkohë që heshtja e rithemelimit do të thotë se ka një interes të shtuar për miratimin e tij, çka e bën qeverinë më të sigurt për të mbledhur votat e nevojshme në miratimin e ligjit. Janë edhe një grup deputetësh që konsiderohen "asnjanës" të cilët mund të bashkohen për interesin e ditës në miratimin e Amnistisë Penale.

Propozimi i miratuar për të amnistuar zyrtarët e lartë është shoqëruar edhe debate politike ku palët mazhorancë – opozitë akuzojnë njëra tjetrën për amnistim të zyrtarëve të korruptuar. Por kush ishte ndryshimi që ngriti këtë debat. 

Në draftin paraprak të dorëzuar në Kuvend më 7 dhjetor 2023, në nenin 5, pika 2 parashikohej edhe përjashtimin nga përfitimi i zbritjes së dënimit 1 vit burg për burrat dhe 1 vit e 6 muaj për gratë, e të dënuarve nga gjykata e Posaçme për veprat penale që lidhen kryesisht me korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe korrupsionin e gjyqtarëve apo prokurorëve.  

Por në miratimin e djeshëm është bërë ky ndryshim. Në nenin 5 pika 2 e tij shkurtohet dhe hiqet germa C, duke i dhënë të drejtën uljes së dënimit që gjykata ka dhënë për ish zyrtarë, prokurorë a gjyqtarë deri më 31 janar 2024.

Nuk do të ketë amnisti për mbi ndjekjet penale për asnjë nga veprat që po hetohen apo gjykohen në gjykatën e Posaçme ku përfshihen ish zyrtarë dhe zyrtarë të shtetit. Ndërkohë një tjetër ndryshim që iu bë ligjit pushimi i hetimeve apo gjykimeve për të gjithë ata zyrtarë të nivelit të mesëm e të ulët që mund të dënohen deri në 2 vjet, por jo për veprat korrupsion dhe shpërdorim i detyrës.

Këto ndryshime u thanë se u kërkuan nga deputeti demokrat i grupimit të rithemelimit, Bledjon Nallbati, por ky i fundit e ka mohuar duke hedhur akuzën se përfshirja në përfitim të ish zyrtarëve të lartë është bërë nga relatori i çështjes, deputeti socialist Plarent Ndreca. Madje Nallbati ka publikuar edhe këtë dokument që tregon propozimet e bëra ku asnjë prej pikave nuk kërkon ndryshimin e nenit 5.

Por larg debateve politike, drafti final i amnistisë ka shtuar gamën e qytetarëve përfitues. Numri i të dënuarve që dalin nga burgu pas amnistisë shkon në 700 ndërsa 3200 të dënuar përfitojnë ulje nga dënimet e tyre.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH