Politikë

33 vjet nga kongresi i PPSH-së që lindi PS-në. Kush e propozoi Fatos Nanon kryetar?

Shkruar nga Liberale
33 vjet nga kongresi i PPSH-së që lindi PS-në. Kush e propozoi

Socialistët festojnë sot 33-vjetorin e themelimit të partisë së tyre

12 vite në pushtet, PS e konsideron 12 qershorin e vitit 1991 si ditën e themelimit, edhe pse kjo parti u shpall si e tillë në kongresin e dhjetë të Partisë së Punës së Shqipërisë, parti e cila kishte qeverisur Shqipërinë përgjatë 45 viteve në një sistem diktatorial monopartiak.

Partia e Punës e Shqipërisë fitoi zgjedhjet e 31 marsit të vitit 1991, të parat zgjedhje pas rrëzimit të sistemit diktatorial. Sekretari i parë i PPSH, Ramiz Alia, pas zgjedhjeve të para pluraliste dha dorëheqje nga ky post pasi u zgjodh president i vendit.  Në këtë situatë ishte e domosdoshme reformimi i thellë i PPSH për të vazhduar më tej në kushtet e reja të pluralizmit politik. Në presionin ndërkombëtar, ndërsa Shqipërisë i duhej ndihmë ndërkombëtare për reformat dhe për të dalë nga varfëria ekstreme, nomenklatura e vjetër u dorëzua dhe shpalli zgjedhje të parakohshme një vit më vonë, çka i hapur rrugë ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, partia e parë dhe më e madhe e viteve të para të pluralizmit politik.   

Roli i Ramiz Alisë në kongresin e dhjetë të PPSH ose të parin e PS-së ishte shumë i rëndësishëm, pasi ai vetë ishte i interesuar, që situata të ishte e tillë, që ngjarjet të zhvilloheshin me shpejtësi dhe në kaos të plotë, për të mos i lënë kohë analizave dhe nxjerrjes së fajtorëve. Kur delegatët po gjykonin Byronë Politike, Ramiz Alia, mori rolin e të “persekutuarit”, u bashkua me mllefin e turmës dhe deklaroi: “E shikoni se me kë kam punuar unë”! E kishte fjalën për anëtarët e byrosë politike dhe KQ, të cilët asnjëherë nuk e kishin kundërshtuar as për çështjen më të vogël. Ramiz Alia, ishte i pari që duhet ti nënshtrohej analizës dhe të mbante përgjegjësitë që i takonin, si kryetar i atij shteti totalitarist.

Kjo nuk ndodhi dhe seanca u mbyll, duke i lënë hapësirën zgjedhjes së strukturave të partisë së re, të cilën Ramiz Alia e kishte ideuar prej kohësh në mendjen e tij, bashkë me të gjithë elementët e saj përbërës.

Xhelil Gjoni, i cili mbajti edhe raportin e kongresit të dhjetë, dëshmon se i pari individ që ishte propozuar nga Ramiz Alia për kryetar të partisë së re, që do të dilte nga PPSH ishte Maqo Lakrori, i cili ishte kthyer nga Franca, pas nëntë vite qëndrimi atje. Sipas Gjonit, lidhja e Lakrorit me Ramiz Alinë i përkiste rrethit familjar të Ramiz Alisë, si i njohur i të bijës. Nëse e marrim për të vërtetë këtë pohim të Xhelil Gjonit, duket se Ramiz Alia ka kërkuar midis të rinjve në PS, pikërisht një të besuar.

Edhe vetë Maqo Lakrori, në dëshmitë e tij për atë kohë, flet me admirim për Ramiz Alinë dhe, në se do të kishte marrë postin e kryetarit të PS, influenca e Ramiz Alisë do të kishte mbetur e fortë. Ai pohon, se Ramiz Alia i kishte ofruar postin e kryetarit të partisë së re, që do të dilte nga PPSH, por e kishte refuzuar, duke argumentuar se preferonte një drejtim kolegjial të PS, pa protagonist kryesor. Ndërsa Xhelil Gjoni tregon se kur Ramiz Alia i kishte ofruar Maqo Lakrorit postin e kryetarit, ky i fundit e kishte pranuar paraprakisht. Pas këtij çasti, Maqo Lakrori kishte shkuar në zyrën e Xhelil Gjonit dhe kishte kërkuar ndihmën e tij, për të tërhequr vendimin për postin .

“Para se të mblidhej kongresi, Ramiz Alia mua më propozoi që të bëhesha kryetar i partisë së re që do të dilte nga kongresi. Unë nuk e pranova atë propozim. Së pari, sepse angazhimi im nuk ishte për të marrë një post, angazhimi im ishte për të ndihmuar që edhe Shqipëria të shndërrohej në një vend modern siç ishte Franca që kisha njohur unë. Unë i propozova emrin e Fatos Nanos” – thotë Maqo Lakrori, në një intervistë.

Ka dëshmi kontradiktore, për sa i përket personit që propozoi i pari Fatos Nanon për kryetar. Veç Lakrorit, Xhelil Gjonit apo Spiro Dedes, edhe Musa Ulqini pretendon se propozimin për Nanon, e kishte bërë ai në konferencën e Tiranës.

“Në mbledhjen e parë të komitetit të përgjithshëm drejtues të PS, që u zhvillua në një prej sallave të Pallatit të Kongreseve, mbledhje të cilën e drejtoi Xhelil Gjoni, i pari që u ngrit në emër të delegatëve të Tiranës dhe propozoi, që Nano të ishte kryetar i PS, ishte sekretari i PS të kryeqytetit për propagandën, autori i këtyre radhëve. i dyti që mori fjalën dhe propozoi për kryetar të PS, prof. Servet Pëllumbit, ishte Halil Lalaj, kryetari i atëhershëm i PS për kryeqytetin” – shkruan Musa Ulqini.

Duke iu referuar dëshmitarëve të këtij momenti dhe protagonistëve gjithashtu, duket se propozimi për emrin e Fatos Nanos ka ardhur nga vetë Ramiz Alia. I bindur se Nano do të ishte personi i duhur pas refuzimit të Lakrorit, ai ka ngarkuar disa individë që t’i bëjnë të njëjtin propozim, për të qenë i sigurt se kjo kandidaturë do të gjente mbështetjen e duhur.

Sipas Maqo Lakrorit, në seancë vetë Ramiz Alia kishte propozuar emrin e Fatos Nanos për postin e kryetarit të PS-së. Pasi Nano kishte refuzuar, për shkak se ambiciet e tij lidheshin me poste ministrore dhe pikërisht me postin e ministrit të jashtëm, Ramiz Alia dhe disa protagonistë të tjerë, kishin zhvilluar negociata me të dhe në fund e kishin bindur. Sipas Lakrorit, Nano kishte vendosur kushte, që të kishte tre nënkryetarë të PS, dhe konkretisht Servet Pëllumbin, Spiro Deden dhe Ismail Lleshin. Pas zgjedhjes së Nanos kryetar, u zgjodh edhe kryesia e PS. Figurat e zgjedhura iu bënë të ditura kongresit, i cili priti me entuziazëm përbërjen e udhëheqjes së partisë së tyre.

Gjithsesi, duhet pranuar fakti që PS edhe pse doli nga Partia e Punës, është reformuar dhe është pranuar në organizmat ndërkombëtarë, dhe pas 12 viteve në pushtet ironikisht në raport me perëndimin duket sikur opozita ka dalë nga nomenklatura komuniste. Kjo, ndoshta për shkak të frymës që ajo ka ndjekur,  duke devijuar nga parimet demokratike, mbi të cilat u krijua.   

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH