Policia në Dubrovnik ka përfunduar hetimet ndaj një shtetasi shqiptar 37 vjeç, i cili akuzohet për tentativë vrasjeje dhe përndjekje.
Sipas policisë, nga korriku i vitit të kaluar deri në maj të këtij viti, ai ka përndjekur vazhdimisht një vajzë 26-vjeçare nga Bosnje dhe Hercegovina, që jeton përkohësisht në Kroaci. Ai ka shkuar disa herë në vendin e saj të punës dhe ka tentuar të krijojë një marrëdhënie dashurie, megjithëse ajo e kishte refuzuar.
Ngjarja mori përmasa të rënda mbrëmjen e 13 majit, kur i dyshuari sulmoi fizikisht një të njohur të vajzës. Fillimisht e goditi me grushte në kokë dhe më pas, duke e kërcënuar me vdekje, tentoi ta godasë me një mjet të mprehtë në qafë. Ndërhyrja e një punonjësi të një lokali aty pranë shmangu tragjedinë.
Nga sulmi, lëndime të lehta morën si i riu i sulmuar, ashtu edhe punonjësi që ndërhyri për ta ndalur.
Pas ngjarjes, 37-vjeçari u arrestua menjëherë dhe u dërgua në paraburgim në Policinë e Qarkut Dubrovnik-Neretva.