Kronikë

Telefona në burgjet e sigurisë së lartë, Laert Haxhiu dhe grupi i tij vazhdojnë të drejtojnë krimin nga qelia

Shkruar nga Liberale.al

Telefona në burgjet e sigurisë së lartë, Laert Haxhiu dhe

Një skandal i rëndë trondit sistemin penitenciar në Shqipëri, ku dosjet hetimore zbulojnë se grupi kriminal i Laert Haxhiut vazhdon të drejtojë aktivitetet nga brenda burgut, duke përdorur telefona të fshehur për të dhënë urdhëra dhe për të organizuar veprime kriminale.

Edhe pse Laert Haxhiu dhe dy bashkëpunëtorët e tij janë të izoluar në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, Korçë, hetuesit zbuluan dhjetëra thirrje telefonike të kryera nga ata, ndërsa në ambientet e qelive u gjetën telefona, kufje dhe karikues të fshehur me kujdes.

Kontrollet e fundit në dhomat ku vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm Haxhiu dhe bashkëpunëtorët, zbuluan katër telefona celularë të markave të njohura, të fshehur mes sendeve personale dhe të hedhur nga dritaret për të shmangur kapjen. Pamjet filmike që po shqyrtohen do të ndihmojnë në zbardhjen e mënyrës se si këto aparate hynë në burg dhe kush i ka futur ato.

Për shkak të këtij incidenti, Laert Haxhiu është vendosur në izolim të rreptë, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e përgjegjësve që kanë mundësuar futjen e sendeve të palejuara në qelitë e sigurisë së lartë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH