Një operacion i përbashkët mes Prokurorisë Publike të Veronës në Itali dhe Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka zbuluar një nga rastet e para në Itali ku mafia shqiptare ka përdorur të ardhura nga trafiku ndërkombëtar i drogës për të blerë pasuri të paluajtshme në provincën e Veronës.
Sipas medias italiane “La Cronaca di Verona”, gjatë hetimeve të kryera nga Guardia di Finanza në Verona, u zbuluan prova të forta që tregojnë se një familje e njohur kriminale shqiptare, me prejardhje nga Elbasani, ka trafikuar sasi të mëdha kokainë nga Amerika e Jugut dhe ka investuar paratë e pista në blerjen dhe rinovimin e pronave në Veronë.
Hetimet u koordinuan ngushtë mes autoriteteve italiane dhe shqiptare, konkretisht Prokurorisë Publike të Veronës, SPAK-ut, Policisë Financiare të Veronës dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Në fokus ishte identifikimi i mënyrës se si paratë e fituara nga trafiku i drogës u riinvestuan në ekonominë lokale të Veronës.
Nga ky hetim rezultoi se një kompani pasurish të patundshme në Verona, me kapital shqiptar, ka marrë fonde të mëdha bankare nga Shqipëria. Këto para u përdorën për blerje, rinovime dhe më pas për dhënien me qira të 30 njësi pronash, duke përfituar nga një aktivitet i ligjshëm që fsheh origjinën e parave të pista.
Në qendër të këtij grupi kriminal janë dy vëllezër shqiptarë: njëri është i kërkuar ndërkombëtarisht dhe ndodhet në arrati, ndërsa tjetri është arrestuar në Verona dhe ndodhet në burg në Belgjikë. Ata dyshohen për përfshirje në një vrasje në Antverp të Belgjikës dhe janë të lidhur me trafikun e drogës në nivel ndërkombëtar.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan asete dhe prona me vlerë mbi 4 milionë euro, përfshirë një ndërtese të madhe në Nogarole Rocca me vlerë rreth 3 milionë euro, që përbëhej nga zyra dhe dyqane të dhëna me qira për qytetarë të pafajshëm. Pronat tani janë nën kujdesin e një kujdestari gjyqësor, i cili do të menaxhojë qiranë në vend të organizatës kriminale.
Hetimet zbuluan gjithashtu që grupi kriminal përdorte kompani frutash dhe perimesh në Shqipëri si pjesë të rrjetit për pastrim parash, duke kryer transaksione të fshehta për të penguar gjurmimin e origjinës së parave të pista.
Në përpjekje për të goditur këtë rrjet kriminal, u kryen kontrolle edhe ndaj mbështetësve italianë të grupit, të cilët dyshohen se kanë marrë pagesa për shërbime të ndryshme brenda organizatës.
Kryeprokurori i Veronës, Raffaele Tito, bëri me dije se ky është një rast i rëndësishëm që tregon bashkëpunimin efektiv mes autoriteteve të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.