Kronikë

4 të rinjtë që humbën jetën të moshës 20-25 vjeç, 3 të arrestuar pas ngjarjes, DETAJE nga aksidenti tragjik i Fushë-Prezës

Shkruar nga Liberale

4 të rinjtë që humbën jetën të moshës 20-25

Aleksandër Krrashi, shoferi i betonieres dhe pa patentë, me të cilën u përplas makina ku udhëtonin katër të rinjtë në Fushë Prezë, u arrestua disa orë pas ngjarjes.

Ndaj 24-vjeçarit, rëndojnë veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Sipas policisë, ai nuk ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimi, ndërkohë që para përplasjes fatale kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin.

Ndikuar nga errësira, por edhe shpejtësia tej normave të lejuara, “Benz-i” u përplas me betonieren dhe nga goditja e fortë shpërtheu në flakë, duke u marr jetën në vend drejtuesit të automjetit Enejdi Laçi, 24 vjeç, dhe tre pasagjerët në mjetin e tij Erildi Laçi, 20 vjeç, Enrikejd Kurti, 24 vjeç dhe Andi Laçi, 22 vjeç (në foto).

Policia e Tiranës ka dhënë detaje pasditen e sotme, ku sqaron se të arrestuar janë drejtuesi i betonierës me të cilën u përplas automjeti me të cilin udhëtonin viktimat, një i afërm i tij për pengim të zbulimit të së vërtetës dhe menaxheri i firmës së betonit.

Ndërsa është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme.

Njoftimi i Policisë Tiranë: 

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për aksidentin e ndodhur në Fushë Prezë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit:

-A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë - Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja;   

-V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin;

-D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.

-Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH