Një 48-vjeçar me emrin Skënder Hoxha është arrestuar nga Policia e Krujës pasi dyshohet se ka kultivuar bimë narkotike në fshatin Rranxë.
Policia bën të ditur se së bashku me të dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe një tjetër person, i identifikuar si A. H., i cili është ende në kërkim.
Gjatë operacionit policor të zhvilluar ditën e djeshme, janë sekuestruar dy automjete, njëri i Skënder Hoxhës dhe tjetri i bashkëpunëtorit të tij. Në mjetet e tyre u gjetën pesticide që përdoren në bujqësi, të cilat dyshohet se janë përdorur për rritjen e bimëve narkotike.
Hetimet e policisë, të mbështetura edhe nga informacionet e inteligjencës policore, zbuluan 136 bimë narkotike të kultivuara në zonën e fshatit Rranxë.
Materialet e këtij rasti janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme. Policia po vijon punën për kapjen e personit tjetër të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.