Detaje të reja janë zbardhur nga mediet italiane, lidhur me ngjarjen e rëndë në Itali, ku Nikollaq Hudhra vrau me thikë ish-bashkëshorten e tij, shqiptaren Gentiana Hudhra në mes të një parku atje.
Ekspertiza mjeko-ligjore e kryer nga doktori Antonio Tombolini në morgun e spitalit të Maceratas konfirmoi se Gentiana ishte goditur 17 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë kokën, shpinën dhe fytin, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pas vrasjes, autori, i cili është po shqiptar u arrestua menjëherë. Ai u përball ditën e djeshme në gjykatën e Maceratas. Me anë të një lidhje live nga burgu i Montacutos, ai pranoi krimin e rëndë.
Si ndodhi ngjarja?
Krimi ndodhi në mbrëmje, më 14 qershor, pak pas orës 19:45, në Viale Benadduci, në qendër të qytetit Marche, pranë një parku.
Një debat i dhunshëm shpërtheu midis të dyve, i cili degjeneroi shpejt. Nikollaqi nxori një thikë dhe e goditi atë disa herë, përpara se ta godiste me shkelma trupin e pafuqishëm të Gentianës.
Kalimtarët e tronditur njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës. Karabinierët, 118 dhe forcat e rendit mbërritën në vendngjarje dhe e gjetën vrasësin ende të ulur në stol, me sytë e ngulur te gruaja. Nikollaq nuk rezistoi dhe u dërgua në komisariat për t’u marrë në pyetje para prokurorit publik Enrico Riccioni.
“Dëgjova britma dhe pashë burrin duke e goditur me shkelma gruan”, tha një dëshmitar.
“Ajo në një moment ra në tokë, e pafuqishme, ndërsa ai vazhdonte ta godiste me shkelma. Thirra menjëherë 118-in, iu afrova dhe pashë shumë gjak. Ai ishte ulur në një stol, pothuajse i kënaqur, dhe thoshte: ‘Unë e bëra, jam mirë. Po pres’”, shtoi dëshmitari.
Ish çifti kanë dy fëmijë, 21 dhe 23 vjeç, që jetonin me nënën.