Një person i afërt me të shumëkërkuarin Laert Haxhiu është arrestuar në Angli nga Interpol Tirana dhe Njësia e të Kërkuarve në Britani. Ai është Lorenc Lala, 47 vjeç, dhe akuzohet nga drejtësia shqiptare për përfshirje në planifikimin e një vrasjeje.
Sipas dokumenteve të gjykatës së ekstradimeve, Lala dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal dhe se ka paguar për një vrasje që ndodhi në fshatin Gjocaj të Peqinit. Viktima ishte Albi Bashaliu, dhe për vrasjen thuhet se u dhanë 50 mijë euro.
Prokuroria shqiptare bazohet në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili ka treguar se vrasjen e kryen ai bashkë me Lulzim Arapin, Bledar Berberin, Enrico Xhahysën dhe Laert Haxhiun. Sipas tij, pagesa për këtë krim është bërë nga Lorenc Lala, i njohur edhe si Kristian Lala.
Aktualisht, Lala ndodhet në paraburgim në Angli dhe pritet të dalë para gjykatës më 24 qershor për të vendosur nëse do të ekstradohet drejt Shqipërisë.