Gencian Subashi, 50-vjeçari shqiptar i arrestuar dy vite më parë së bashku me kushëririn e tij gjatë një operacioni për kapjen e një ngarkese prej 17.5 kilogramë kokainë, është dërguar në burgun e Pontine pas dënimit përfundimtar nga drejtësia italiane.
Policia italiane konfirmoi ekzekutimin e vendimit që parashikon 6 vite burg për Subashin, i cili deri më tani mbahej në arrest shtëpiak në banesën e tij. Arrestimi u realizua nga Karabinierët e Kompanisë Latina, pas një kontrolli rutinë në segmentin rrugor midis Isonzos dhe Pontine, në mars të vitit 2023.
Gjatë operacionit, brenda furgonit që drejtohej nga dy kushërinjtë shqiptarë u gjetën “tullat” e kokainës, me një sasi totale që përbënte rreth 79,000 doza droge dhe një vlerë të mundshme tregu që kapte mbi 1 milion euro.
Dënimi i 50-vjeçarit është konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe më pas nga Gjykata e Kasacionit italiane, duke bërë që ai të përfundojë në qeli për të vuajtur dënimin.