Një operacion i përbashkët i Prokurorisë dhe Policisë së Ekuadorit çmontoi një rrjet trafiku droge që po dërgonte kokainë të fshehur në kontejnerë me fruta pitahaja drejt Spanjës. Aksioni u zhvillua më 29 maj 2025 në qytetet Quito dhe Guayaquil dhe u kodua “Gran Fénix 23”.
Në këtë aksion u arrestuan 13 persona, përfshirë edhe tre policë në detyrë, pas 11 bastisjeve të njëkohshme. Autoritetet po hetojnë lidhje të këtij grupi me bandën kriminale “Chone Killers”.
Hetimi nisi në vitin 2024, pas zbulimit të një ngarkese droge që arriti në Madrid më 15 gusht dhe që shkaktoi një operacion të madh në Evropë të quajtur “Operacioni Dragon”.
Sipas prokurorisë, trafikantët përdornin tregtinë e ligjshme të frutave si mbulesë për të dërguar drogën, me ndihmën e disa zyrtarëve dhe kompanive të sigurisë. Gjithashtu, u zbuluan bashkëpunëtorë shqiptarë në Spanjë që organizonin transportin detar.
Të arrestuarit në Ekuador do të përballen me drejtësinë, ndërsa në Spanjë janë arrestuar edhe 4 persona të tjerë në lidhje me këtë rrjet.
Ministria e Brendshme e Ekuadorit tha se këto veprime janë pjesë e përpjekjeve për të luftuar dhe shkatërruar organizatat kriminale që përdorin vendin si bazë për trafikimin ndërkombëtar të drogës.