Në kuadër të operacionit ndërkombëtar të quajtur “The Wanted”, janë arrestuar dhe ekstraduar drejt Shqipërisë dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, njëri në Greqi dhe tjetri në Itali.
Në Greqi, u kap dhe u ekstradua shtetasi N. K., alias N. T., 34 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për bashkëpunim në kultivimin e bimëve narkotike në Ulëz të Dibrës, në vitin 2022. Sipas autoriteteve shqiptare, ndaj tij Gjykata e Matit kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”. Bimët narkotike ishin zbuluar dhe asgjësuar nga Policia në atë kohë.
Ndërkohë, në Milano të Italisë, u arrestua dhe u ekstradua në Shqipëri shtetasi O. J., alias O. Ç., 44 vjeç. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Fierit me 6 muaj burg për veprën penale “Dhunë në familje”.
Të dy arrestimet u bënë të mundura falë bashkëpunimit mes strukturave të Interpolit në Tiranë dhe partnerëve ndërkombëtarë në Athinë dhe Milano. Policia e Shtetit njoftoi se operacionet për kapjen e personave të kërkuar do të vijojnë në bashkëpunim me vendet partnere.