Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në liqenin e Shkodrës, ku dyshohet se është mbytur kapiteni i një anijeje turistike gjatë një akti heroik për të shpëtuar dy turistë.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 16:32, shtetasi A. A., 51 vjeç, kapiten i një anijeje që lundronte në liqen, ka ndërhyrë për të ndihmuar dy turistë që kishin rënë në ujë. Ai ka arritur t’i shpëtojë, por vetë nuk ka dalë më në sipërfaqe.
Fatmirësisht, turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë marrë në kujdes nga autoritetet shëndetësore.
Menjëherë pas ngjarjes, në vend kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupet e kërkim-shpëtimit, të cilat po vijojnë kërkimet për të gjetur trupin e kapitenit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie që ka tronditur zonën dhe më gjerë.