Një i ri shqiptar është arrestuar në SHBA pasi shkaktoi një incident serioz gjatë një fluturimi nga Omaha drejt Detroit. Bëhet fjalë për 23-vjeçarin Mario Nikprelaj, i cili sipas autoriteteve amerikane, ka debatuar dhe është konfliktuar fizikisht me një stjuardesë në bordin e avionit.
Ngjarja ndodhi më 17 korrik 2025 dhe detyroi pilotët të bëjnë një ulje emergjente në Aeroportin Lindor të Ajovës, në Cedar Rapids. Sipas raportimeve nga CNN dhe policia lokale, i riu shqiptar gjithashtu ka tentuar të hapë derën e avionit gjatë fluturimit, duke rrezikuar sigurinë e të gjithë pasagjerëve.
“Më 17 korrik 2025, rreth orës 18:13, Policia e Cedar Rapids ndërhyri në aeroport për shkak të një situate të pazakontë në bordin e një fluturimi të kompanisë SkyWest”, tha në një deklaratë Departamenti i Policisë së Cedar Rapids.
Ndaj Nikprelajt janë ngritur akuza për sulm dhe ngacmim, ndërsa motivet e sherrit mbeten ende të paqarta. Hetimet janë në vijim dhe priten detaje të reja nga autoritetet amerikane.