Një banor i asfiksuar nga zjarri në fshatrat e Gramshit, teksa ndodhet i shtruar në shtratin e spitalit të qytetit, shprehet se situata në fshat është e vështirë pasi është djegur gjithçka.
Tashmë gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Pavarësisht vendimit të tij për të qëndruar, ushtria dhe policia e larguaj me forcë.
Ai u shprej në një intervistë për Report TV se nuk donte të largohej, pasi kishte banesën dhe gjënë e gjallë dhe ishte vetëm.
“Isha vetëm, gruaja dhe djali në spital. Nuk doja të ikja, kisha shtëpinë dhe bagëtitë. Situata është e vështirë, është djegur çdo gjë, bagëti dhe shtëpi në fshatin Skënderbegas.
Ca fshatra të tjerë janë djegur fare. Si ka mundësi të digjet Shqipëria për dy minuta. Ne shikonim zjarret nga malet, ai na erdhi te shtëpia. Kisha nja 10 kuintalë ujë te shtëpia dhe markusë dhe ndërhyra për ta shuar. Ata uruar qofshin që na shpëtuan, ushtria dhe policia, se unë nuk ikja po të mos ishin ata”, tregoi ai.