Policia e Fierit ka vënë në pranga dy shtetas, të akuzuar për zjarrvënie në zona të ndryshme të qarkut, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme mjedisore dhe materiale.
Një 61-vjeçar ndezi zjarr në luginën e lumit Vjosa, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke (arë), 300 pemë ulliri dhe bimësi e llojeve të ndryshme e parkut kombëtar.
Ndërkohë në Lushnjë, u arrestua në flagrancë një 58 vjeçar, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje toke, si dhe ka penguar zjarrfikësit në përpjekjet për shuarjen e flakëve.
NJOFTIM:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. B., 61 vjeç, banues në fshatin Cakran, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, konkretisht në vendin e quajtur “Mezarak”, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke (arë), 300 pemë ulliri dhe bimësi e llojeve të ndryshme e parkut kombëtar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Dushk, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe toke.
Gjithashtu, 58-vjeçari ka penguar zjarrfikësit për të shuar flakët.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon sërish, për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me pasoja penale.